Kulturë

Ditarët e Chirstos ndriçojnë jetën e tij artistike

(The Guardian) - Ekstraktet nga ditarët privatë të artistit që njihet si Christo, që mbështolli “Pont Neuf” në Paris dhe “Berlin Reichstag” me pëlhurë, janë botuar për të promovuar një ankand të koleksionit të tij personal të artit.

Shënimet e takimeve - shpesh të shoqëruara me vizatime - japin një vështrim të “botës së fshehur” të artistit që vdiq vitin e kaluar, dhe të gruas së tij, njëkohësisht edhe bashkëpunëtore, Jeanne-Claude, gjersa përpiqeshin të vendoseshin në New York në vitet ‘60.

Të katër librat nga 1964-1968, që nuk janë në shitje, ilustrojnë gjithashtu rrethin e shkëlqyeshëm të miqve të çiftit në New York, duke përfshirë Roy Lichtenstein, Andy Warhol dhe Marcel Duchamp. Hyrjet variojnë nga ato banale - një listë blerjesh për të bërë salcë bologneze për një darkë me artistin italian Mimmo Rotella, te ato më joshëse – THIRRE ANDY WARHOL.

Të hënën, 18 mars 1968, është shkruar: "Filmat Andy Warhol - 33 Union Square". Një shënim tjetër në vitin 1967 thotë: “Darka me M Duchamp. A Warhol”. Duchamp dhe Christo u takuan për herë të parë në Milano në vitin 1963, por u bënë miq të ngushtë në New York.

"Christo thoshte që Marcel ishte i qetë dhe nuk i pëlqente të fliste për artin, por Jeanne-Claude kishte një marrëdhënie shumë të gjallë me të. Christo tha se e vetmja kohë kur Marcel ishte llafazan ishte kur Jeanne-Claude ndante shaka dhe histori”, ka thënë Lorenza Giovanelli, menaxher i studios dhe mik besnik i Christos.

Ajo shtoi: “Kur Marceli erdhi për të darkuar në shtëpinë e tyre, ai ishte tashmë mjaft i moshuar, kështu që ata vendosnin një stol për t’u ulur në secilin kat, në mënyrë që ai të pushonte gjatë ngjitjes”.

“Christo dhe Jeanne-Claude gjithashtu kaluan mjaft kohë me Andy Warhol. Ata kishin shumë miq të përbashkët dhe drekonin ose darkonin së bashku ose shkonin në kinema. Christo tha se ai ishte një person shumë i ëmbël, gati i ndrojtur”.

Një përzierje eklektike e objekteve nga koleksioni personal i artit i Christo dhe Jeanne-Claude po dalin në ankand nga Sothebys. Aty përfshihen piktura e Warholit e ish-zonjës së parë Jackie Kennedy –Jackie, 1964 - vlerësuar deri në 1 milion €; një printim me litografi të Warhol, e Liz, Elizabeth Taylor, nënshkruar me një stilolaps nga artisti, dhe dy printime litografike të Warhol me titull “Floëers” dhe “Coë”.

Ekziston edhe një statujë prej bronzi,”Personnage by Joan Miró”; vizatimet e projektit për të mbështjellë “Pont Neuf” dhe instalimet e tjera të Christos; dhe një miniaturë nga Marcel Duchamp nga fundi i viteve 1930. Shitja përfshin “Bacon and Egg, Ice Cream and Beef Steak” nga fillimi i viteve 1960, të cilat skulptori suedez Claes Oldenburg ia kushtoi Christo.

Christo i lindur në Bullgari, si Christo Vladimirov Javacheff, studioi në Sofje përpara se të largohej për në Perëndim në vitin 1957, në Paris, duke udhëtuar përmes Pragës, Vjenës dhe Gjenevës. Në kryeqytetin francez, takoi Jeanne-Claude Denat de Guillebon - vajzën e një gjenerali aristokrat francez, e cila u bë partnerja artistike dhe gruaja e tij deri në vdekjen e saj në vitin 2009 në moshën 74 vjeç - dhe filloi të eksperimentonte me ambalazhet e objekteve dhe monumenteve.

Çifti u transferua në New York në vitin 1964 duke kaluar tre vjetët e parë si emigrantë të paligjshëm. Kur zbarkuan nga SS France në Portin e New York-ut, pronat e tyre të vetme ishin dy dyshekë dhe një karrige “Rietveld” që Christo, një admirues i respektuar i stilistit, kishte shkëmbyer me një vepër të tij.

Ata morën me qira dy kate të një fabrike të braktisur të shekullit të 19-të në rrugën “Howard Street”, ku jetuan për 56 vjet, duke blerë përfundimisht të gjithë ndërtesën që shërbente si vendbanim dhe punëtori.

Përveç rrethimit të 11 ishujve në gjirin Biscayne në Miami, me pëlhurë rozë të ndritshme dhe mbështjelljen e urës “Pont Neuf” në Paris, arritja më spektakolare e çiftit konsiderohet të jetë mbulimi i “Reichstag” në Berlin në pëlhurë alumini. Ata gjithmonë refuzuan sponsorimin e financimit të instalimeve gjigante dhe i mbuluan shpenzimet duke shitur vizatime të realizuara paraprakisht.

Në vitin 1962, dyshja caktoi planet për të mbështjellë “Arc de Triomphe” në Paris, e që ishte menduar të realizohej vitin e kaluar, por u shty për shkak të pandemisë Covid-19. Mbështjellja e saj është vendosur që të bëhet më 18 shtator të këtij vitit dhe të shndërrojë ashtu për 18 ditë.

Matthias Koddenberg, i cili shkroi dy libra për Christo dhe Jeanne-Claude, sugjeron që shumica e punimeve në koleksionin privat të çiftit kanë më shumë vlerë sentimentale sesa monetare.

“Një pjesë e madhe e punimeve qëndrojnë si testamente të miqësive dhe takimeve të ndryshme; secila vepër shoqërohej me një anekdotë që ishte më e çmuar për ta sesa vetë vepra. Lucio Fontana, Yves Klein, Andy Warhol, Keith Haring (vetë një admirues i madh i Christo dhe Jeanne-Claude). Në sytë e tyre, emrat prestigjiozë nuk ishin të rëndësishëm, por historitë që i lidhën çiftin me secilit prej tyre me siguri ishin të rëndësishme”, shkruan Koddenberg në katalogun e ankandit.

Ankandi, i titulluar “Unwrapped: The Hidden World of Christo and Jeanne-Claude” do të zhvillohet në internet nga 8-18 shkurt në “sothebys.com” dhe në Sotheby në Paris më 17 shkurt.