Kurorëzimi i zgjedhjeve amerikane u prit nga amerikanët dhe nga bota si të ishte fitore e një revolucioni demokratik kundër një regjimi autoritar. “Ripërtëritja amerikane” dhe “Një epokë e re”, ishin disa prej kryetitujve të mediave më të mëdha amerikane derisa Bideni po përçonte mesazhin e unitetit të brendshëm e të kthimit të lidershipit të jashtëm
Kjo është dita e Amerikës.
Kjo është dita e demokracisë.
Një ditë e historisë dhe e shpresës.
Pas hyrjes me fjalë nderi për liderët e institucioneve më të larta amerikane, këto ishin tri fjalitë e para të Joe Bidenit në adresimin e parë si president i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. U thanë prej ballkonit të Capitolit, mu në vendin ku fiks dy javë më parë bandat e nxitura nga pararendësi Donald Trump u ngjitën dhunshëm në sulmin më të madh kundër demokracisë amerikane në historinë moderne të pishtarit të demokracisë. Kurorëzimi i zgjedhjeve amerikane u prit nga amerikanët dhe nga bota si të ishte fitore e një revolucioni demokratik kundër një regjimi autoritar.
“Ripërtëritja amerikane” dhe “Një epokë e re”, ishin disa prej kryetitujve të mediave më të mëdha amerikane derisa Bideni po përçonte mesazhin e unitetit të brendshëm e të kthimit të lidershipit të jashtëm.
“Bideni po kërkon unitet bipartizan. Politika e jashtme do të ishte pika prej ku do të duhej të fillohej”, i rekomandoi gazeta “Washington Post” në editorialin e publikuar të enjten, një ditë pasi botës demokratike iu ringjall shpresa për kthimin e lidershipit amerikan.
“Kthimi i Amerikës”
“Mbetet të shihet nëse presidenti Biden mund të gjejë gjuhë të përbashkët me republikanët, por politika e jashtme mund të jetë pikë e mirë nismëtare. Duke gjykuar nga interpelancat e konfirmimit të ekipit të sigurisë kombëtare të administratës së re, të martën, ka – në mungesë të ish-presidenti Donald Trump – konsensus thelbësor për kërcënimet e mëdha me të cilat po përballen Shtetet e Bashkuara”, shkruhet në editorial.
Besnik Pula, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Virginia Tech, thekson se Bideni është “multilateralist dhe transatlantist me pedigre”.
“Prandaj rindërtimi dhe përforcimi i marrëdhënieve me aleatët evropianë do të jenë në krye të agjendës së tij, ridedikimi ndaj NATO-s, ashtu si dhe kthimi i lidershipit moral amerikan në botë. Është domethënës që vendimi i parë i Bidenit është kthimi i SHBA-së në Marrëveshjen e Parisit për Klimën dhe në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), dy institucione nga të cilat Trumpi e kishte larguar SHBA-në”, thotë ai.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se SHBA-ja “është kthyer”.
“Evropa është gati. Të rilidhemi me një partner të vjetër dhe të besueshëm”, ka shkruar ajo.
“Ditë të mira për demokracinë”, e ka konsideruar edhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier. “Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo (demokracia) ka përballuar sfida të mëdha – dhe ia ka dalë. Pavarësisht përpjekjeve për të shkërmoqur fabrikën institucionale të Amerikës, guvernatorët dhe zyrtarët e zgjedhjeve, drejtësia dhe Kongresi e kanë vërtetuar se janë të fortë”, ka thënë lideri i ekonomisë më të madhe të Evropës.
“Demokracia në epokën e autoritarizmit”
Bideni tha gjatë inaugurimit se Amerika gjatë historisë është testuar seriozisht disa herë, porse gjithnjë ia ka dalë të ngrihet mbi sfidat.
“Demokracia në epokën e autoritarizmit”, titullohej fjalimi i Bidenit në Samitin e Demokracisë të mbajtur më 22 qershor 2018 në Kopenhagë, duke paralajmëruar se edhe në demokracitë e zhvilluara, “përfshirë vendin tim”, po shtoheshin thirrjet e populizmit dhe ksenofobisë që po dobësojnë nga brenda normat dhe institucionet demokratike. “Në njëfarë forme, është e kuptueshme”.
Por, në 6 janarin e këtij viti, Amerika dhe bota mbarë u shtangën kur vetë presidenti amerikan u kthye në rrezikun më të madh për demokracinë më të madhe të botës. Capitolit iu kthye më 20 janar shkëlqimi, por kryeqyteti u militarizua me nxjerrjen e 25 mijë trupave të Gardës Kombëtare.
“Ripërtëritja amerikane” dhe “Një epokë e re”, ishin disa prej kryetitujve të mediave më të mëdha amerikane derisa Bideni po përçonte mesazhin e unitetit të brendshëm e të kthimit të lidershipit të jashtëm
Trumpi iku i vetëm nga Shtëpia e Bardhë, duke u bërë komandanti i parë suprem në historinë moderne që bojkotoi ceremoninë e dorëzimit të pushtetit, por paralajmëroi frikshëm: “Në njëfarë forme do të kthehemi këtu”.
Indeksi i Perceptimit të Demokracisë për vitin 2020, studimi më i madh vjetor për demokracinë në botë ka treguar se 78 për qind e qytetarëve anembanë globit thonë se është e rëndësishme që në vendet e tyre të mbizotërojë demokracia. Matja e opinionit që kryhet nga “Dalia Research” në bashkëpunim me Aleancën e Demokracive, synon t’i pasqyrojë sjelljet kundrejt demokracisë.
“40 për qind e qytetarëve që jetojnë në demokraci besojnë se vendi i tyre aktualisht nuk është demokratik”, bëhet e ditur në anketimin e kryer ndërmjet prillit dhe qershorit të vitit të kaluar, të shënjuar nga masat e ashpra të vendeve në luftën kundër pandemisë së koronavirusit, që shpesh, sidomos në botën perëndimore, u konsideruan shkelje e të drejtave elementare demokratike.
Sfida kineze
43 për qind e popullsisë thonë se qeveria e tyre i shërben vetëm një grupi të vogël njerëzish në vend. Kjo ndjenjë është e lartë në demokraci po aq sa në jodemokraci, tregojnë të dhënat e Aleancës së Demokracisë, fondacion joprofitabil, themeluar nga Anders Fogh Rasmussen, ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s dhe ish-kryeministër i Danimarkës.
NATO-ja shpreson se do të fuqizohen marrëdhëniet transatlantike me ardhjen e Bidenit. Aleanca Veriatlantike, ku SHBA-ja është forca dhe kontribuuesja më e madhe, ka vlerësuar se në kohën “kur po përballemi me sfida botërore, asnjëri prej nesh nuk mund t’i zgjidhë i vetëm”.
Pula paralajmëron se botën e presin sfida të reja dhe se administrata e tij nuk mund thjesht të bëjë kthim në një kohë të mëhershme, kur SHBA-ja gëzonte fuqi unilaterale në botë, “por duhet të ballafaqohet me sfida të reja ndërkombëtare, siç janë luftimi ndërkombëtar i pandemisë, i rrezikut që paraqet tkurrja e demokracisë nëpër botë dhe agresiviteti në rritje i Rusisë dhe i Kinës”.
Trumpi iku i vetmuar nga Shtëpia e Bardhë, duke u bërë komandanti i parë suprem në historinë moderne që bojkotoi ceremoninë e dorëzimit të pushtetit
Kina, që po e sfidon SHBA-në në të gjitha frontet në skenën ndërkombëtare, do të jetë një prej çështjeve kryesore të politikës së jashtme që do ta shoqërojë vazhdimisht administratën e re në Shtëpinë e Bardhë.
Liderët e Tajvanit, që Kina e pretendon si territor të sajin, e uruan Bidenin dhe Kamala Harrisin, zëvendëspresidentja me prejardhje jugaziatike. Bi-Khim Hsiao, ambasadore de fakto e Tajvanit në Washington, u bë zyrtarja e parë e lartë nga ishulli i vetëqeverisur, që mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit. “Demokracia është gjuha jonë e përbashkët dhe liria është qëllimi ynë i përbashkët”, deklaroi ajo në një video të shkurtër në Twitter.
Ndikimi i sprovave të brendshme
Bota demokratike pret kthimin e Amerikës së shpresës, sikurse mjeshtërisht e përmblodhi të enjten karikaturisti i Grupit KOHA, Jeton Mikullovci – Jemi
Pula thotë se Bideni dhe Harrisi – dhe demokratët që dominojnë Kongresin - janë shans për një kthesë të thellë në politikën dhe shoqërinë amerikane. Ai thotë se edhe “kthetrat” e pandemisë së koronavirusit, që ka marrë jetën e mbi 400 mijë amerikanëve dhe ka lënë miliona të tjerë pa punë, do të jenë sfidë për administratën e re.
“Situata në të cilën Bideni merr drejtimin e ekzekutivit është pothuajse më e rëndë se në vitin 2009, kur Obama u bë president në kulmin e një krize financiare dhe ekonomike, e krahasueshme për nga sfidat me presidencën e Franklin Delano Roosevelt gjatë Luftës së Dytë Botërore apo Abraham Lincolnit pas Luftës Civile Amerikane në vitet 1860”, thekson Pula, duke shtuar se të dy këto përbënin momente të kthesave të mëdha në politikën dhe institucionet amerikane.
“Bideni nuk duket aspak nën iluzione për peshën e madhe historike të kësaj epoke dhe ka projekte të mëdha për rimëkëmbje dhe ndryshim të kahut ekonomik në SHBA”, thotë ai. “Një pjesë e restaurimit të unitetit amerikan dhe tejkalimit të polarizimeve do të varet nga suksesi i Bidenit në politikat që adresojnë jo vetëm çështjet urgjente, po edhe disa nga problemet sistematike në SHBA, siç janë racizmi dhe pabarazia në rritje”.
Minimi i demokracisë
Trumpi e mbylli mandatin me 34 për qind të përkrahjes popullore, tregojnë të dhënat e Gallupit. Kjo është shifra më e ulët e presidencës së tij. Mirëpo, 82 për qind e republikanëve të anketuar kanë shprehur vlerësime pozitive për punën e tij si president.
“Ani pse shumë prej tyre po mundohen të çajnë para, popullariteti i Trumpit siguron se në bazën republikane do të vazhdojë të jetë forcë e madhe politike”, vlerësoi agjencia amerikane e lajmeve AP.
Në analizë thuhet më tej se gjatë katër vjetëve të fundit, vlerat e Partisë Republikane ishin të lidhura nyjshëm me “tekat e një presidenti që vazhdimisht ka minuar institucionet demokratike dhe bëri pazar me angazhimet afatgjata të partisë për disiplinë fiskale, politikë të jashtme më të fuqishme dhe sundim të ligjit për populizëm të paqëndrueshëm”.
Lidershipi republikan asnjëherë nuk u distancua haptas nga Trumpi, shenjë e drojës nga ndikimi i madh i tij te votuesit tradicionalë të partisë, tashmë opozitarë në Shtetet e Bashkuara. Partia Republikane është në udhëkryq. Demokratët janë të vendosur që Senati t’ia ndalojë Trumpit kandidimin për poste publike.
Besnik Pula, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Virginia Tech, thekson se Bideni është “multilateralist dhe transatlantist me pedigre”
Pula thotë se shkaqet e polarizimit të madh të shoqërisë amerikane datojnë para kohës së ardhjes së Trumpit në pushtet më 2016.
“SHBA-ja ka anën e saj të errët të historisë: të supremacisë, racizmit dhe nativizmit, të shtypjes e të dhunës kundër minoriteteve jo të bardha, e të hendekut socio-ekonomik midis të pasurve dhe të varfërve, që është më i madhi në mesin e shteteve të zhvilluara”, thekson ai. “Në dallim nga liderët e tjerë politikë, përfshirë edhe republikanët tradicionalë, Donald Trumpi nuk ngurroi që të legjitimojë dhe të mobilizojë forcat ekstremiste për qëllimet e veta politike”.
“Njolla e zezë” e Amerikës
Pula e konsideron se njollë e zezë në administratën Trump dhe në historinë e re të SHBA-së, është marshi i dhunshëm i supremacistëve dhe racistëve në Charlottesville, Virginia në gusht 2017, të cilin Trumpi nuk e dënoi dhe nuk u distancua.
“Elementi i dytë është ekosistemi i mediave të djathta, i mbështetur dhe financuar nga një segment i caktuar i elitave politiko-ekonomike amerikane dhe i mbushur përplot demagogë medialë që me dekada demonizojnë personat dhe grupet që nuk u takojnë rrymës së tyre ideologjike, gjoja në mbrojtje të parimeve konservatore, nacionaliste e patriotike”, thotë ai.
Studiuesit amerikanë të demokracisë e radhitën Trumpin në rreshtin e liderëve autoritarë, si Vladimir Putini i Rusisë apo Recep Tayyip Erdogani i Turqisë. Trumpi, duke vënë në dyshim edhe rëndësinë e ekzistencës së Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, u takua me liderë kundërthënës, si diktatori i Koresë Veriore, Kim Jong-un. Sikurse liderët autokratë, Trumpi pa ofruar asnjë dëshmi i hodhi poshtë rezultatet e zgjedhjeve. Edhe atëherë kur të gjitha gjykatat ia rrëzuan pretendimet.
Kthimi i Trumpit?
“Ushqyerja nga Trumpi e idesë se SHBA-ja po bie pre e një komploti liberal, ‘globalist’, ‘komunist’ etj. bashkë me legjitimimin dhe përkrahjen nga ai të teorive konspirative e paranojake të kësaj natyre, kulmuan në sulmin tragjik që një masë ekstremistësh, nën ndikimin e Trumpit, sulmuan godinën e Kongresit më 6 janar, derisa aty po kryhej një certifikim ritual i fitores së Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale”, thotë Pula, duke vlerësuar se krejt këto elemente Trumpi i shfrytëzoi me mjeshtërinë “tyxhari (salesman) dhe shoumeni televiziv”, me qëllim që t’i mobilizonte e përdorte për përmbushjen e ambicieve të tij.
Ai thotë se Trumpi edhe ashtu nuk kishte hyrë në politikë me ndonjë platformë të caktuar, por si figurë e mbushur me mllef e pezëm ndaj elitave politike. Vitet paraprake, Trumpi i kishte kaluar duke promovuar konspiracionin se Barack Obama, ishte president jolegjitim, sepse gjoja nuk ishte lindur në SHBA.
“Pavarësisht një morie masash në aspektin e politikave të brendshme e të jashtme, Trumpi përfundoi mandatin e tij ashtu siç e kishte filluar dhe ekzekutuar, person që nuk jep pesë pare për çmimet që ia faturon demokracisë amerikane për ambiciet e tij egocentrike”, thekson Pula.
Dhe në ditën e largimit nga Shtëpia e Bardhë, një reporter e pyeti Trumpin para nisjes nga Washingtoni dhe pas arritjes në Florida: “A jeni penduar për ngjarjet e 6 janarit?”. Në asnjërin rast, nuk ia ktheu.
Bujë më të madhe bëri paralajmërimi i tij: “Në njëfarë forme, do të shihemi këtu”.
Me një gjuhë krejt ndryshe, atë të unitetit, para Capitolit që u zaptua për disa orë nga mbështetësit e Trumpit fiks dy javë më parë, Bideni iu referua disa prej vargjeve të Himnit amerikan kur tha se do të japë gjithçka nga vetja që Amerika të vazhdojë të jetë vend i mundësive.
“Dhe, bashkë, ne do ta shkruajmë një histori amerikane shprese, e jo frike”, deklaroi ai. “Kështu, me synim e vendosmëri, ne u kthehemi detyrave të kohës sonë”.
Bota demokratike pret kthimin e Amerikës së shpresës, sikurse mjeshtërisht e përmblodhi të enjten karikaturisti i Grupit KOHA, Jeton Mikullovci – Jemi. Në karikaturën e Jemit, nga kapela e Bidenit del fjala HOPE. Shpresa ishte pjesë e sloganeve të fushatës së Barack Obamas, presidentit të parë me ngjyrë të Shteteve të Bashkuara. E Bideni, për dy mandate qe zëvendës i tij. Bashkë me kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, tash si president, është kthyer edhe shpresa.