Kulturë

Dita e Alfabetit - festë e thirrje për unifikim midis shqiptarëve

Midis urimeve e shpresës për prosperitet të shqiptarëve dhe ankesave për mosunifikim të Abetares e gjendjes jo të mirë të objektit ku është mbajtur Kongresi i Manastirit, është shënuar Dita e Alfabetit.

Në 110-vjetorin e përfundimit të ngjarjes që në nëntor të vitit 1908 përcaktoi shkronjat me të cilat shkruhet shqipja, Manastiri, Shkupi e Dibra kanë festuar. Tetova ka protestuar. Në Prishtinë për këtë ditë s’ka pasur ngjarje të organizuara nga institucionet shtetërore, shkruan sot Koha Ditore.

Orët e mbrëmjes kanë mbledhur udhëheqësit e Shqipërisë, Kosovës e të Maqedonisë në objektin e Filarmonisë së Maqedonisë. Para koncertit të këtij institucioni, me solist violinistin me nam, Shkëlzen Doli, udhëheqësit shqiptarë e kanë vlerësuar Kongresin e Alfabetit si një ngjarje që shkon përtej përcaktimit të germave të shqipes.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, në cilësinë e nikoqirit, ka thënë se Kongresi i Manastirit, për çështjet që diskutoi e zgjidhi dhe si një nga tubimet më të gjera e më përfaqësues nga përbërja e tij, me të drejtë vlerësohet si Kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shekullit XX. Sipas Xhaferit, vendimet e Kongresit përbëjnë një nga shtyllat e rëndësishme që ndihmuan në ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, por edhe të konsolidimit të mëtejshëm në drejtim të zhvillimit dhe përparimit të shqiptarëve.

Në fjalën e tij, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se është kënaqësi që në këtë përvjetor jubilar në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë u miratua Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe si vullnet i përbashkët për bashkëjetesë për të gjithë qytetarët e këtij vendi.

E presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se 110 vjet më parë rilindësit shqiptarë në Kongresin e Manastirit përcaktuan alfabetin e gjuhës shqipes. Sipas tij, ata kujtohen si njerëz që jo vetëm që kanë caktuar se cilat shkronja do të përdorim, por edhe se cilit klub të kombeve do t’i përkasin shqiptarët e shtetet e tyre. Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sipas Thaçit, Kongresi ishte ngjarja më e rëndësishme për shqiptarët.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka thënë se kjo ditë është e rëndësishme për shqiptarët. Ai ka uruar të pranishmit për Ditën e Alfabetit.

Pas fjalimeve i ka ardhur radha programit artistik.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).