E qartë, ajo që e bën të suksesshëm korin “Siparantum” është mjeshtëria në muzikë korale, dhe më 2021, me disa medalje të arta, u konfirmua edhe botërisht. Por ka edhe të tjera veçanti të këtij formacioni. Për shembull: puna vullnetare e krejt anëtarëve të Korit që çoi emrin e Kosovës nëpër botë. Secili ka peshën e vet, por ai që e ka gjetur formulën e harmonisë së Korit e në muzikë është dirigjenti e themeluesi i “Siparantumit”, Memli Kelmendi. Në radhë të parë, flet për sukseset e Korit, përderisa edhe veprat e tij si kompozitor kanë pasur një rrugëtim të bujshëm
Nëse viti 2020 ka qenë krejtësisht i bllokuar sa u përket aktiviteteve jashtë vendit, kompozitori dhe dirigjenti Memli Kelmendi një realitet të tillë e ka përmbysur bindshëm më 2021. Aktivitetet e shumta e kanë lënë gati pa pushim, por të pareshtura kanë qenë edhe sukseset që ia ka sjellë Kosovës.
Përveçse shumë aktiv në vend, jashtë kufijve ka arritur të depërtojë nëpërmjet veprave të tij korale e instrumentale dhe muzikës së kompozuar për film. Kjo veçse e bën Kelmendin më shumëdimensional në muzikë. Kompozimi nuk është fusha e vetme që e identifikon punën e tij. Si dirigjent, njihet për veçantitë e tij në skenë. Një gjë të tillë e ka bërë veçmas me korin “Siparantum”, me të cilin është dëshmuar në shumë festivale në Kosovë e rajon. Por Kelmendi nuk është mjaftuar me kaq – ka depërtuar edhe përtej kufijve, prej nga është kthyer me shpërblime. Pikërisht puna me korin “Siparantum” ia ka dhënë vulën e sukseseve këtij viti. Me pjesëmarrje në festivale jashtë vendit e ka shfaqur potencialin e Korit, që Kelmendi tashmë e konsideron jo vetëm kor të qytetit të Pejës, por kor të të gjithë Kosovës dhe përfaqësues i saj në eventet më të njohura korale në botë.
Triumfi në Olimpiadën e muzikës korale
Udhëheqësi dhe themeluesi i tij, 2021-tën e ka mbyllur me aktivitete në Berlin, me hiç më pak se tri koncerte. Por ky s’ka qenë suksesi i vetëm. Memli Kelmendi ka synuar që “Siparantum” këtë vit të dëgjohet në skenat ku interpretojnë koret më të njohura të botës. Epilog i sukseseve të tij ka qenë Belgjika. Në nëntorin e vitit 2021, në Gent dhe Antwerp të Belgjikës “Siparantum” u prezantua bashkë me 308 kore nga e gjithë bota. “Siparantumi” ishte në mesin e 108 koreve që patën mundësinë që të performonin live dhe me prani fizike të publikut dhe jo virtualisht si pjesë tjetër. Dhe me këtë e dëshmoi veten. Për herë të parë e vendosi emrin e Kosovës në atë që konsiderohet si Olimpiada e muzikës korale. Atje ka marrë medalje si Kori më i mirë në kategorinë dedikuar muzikës bashkëkohore në Lojërat Botërore të Korit. Përpos garës, Kori ka mbajtur edhe dy koncerte të tjera, njëri në Handelsbeurs, Antwerp dhe tjetri në St-Maartenskerk, Kortrik.
“Pranimi i shtetit tonë, përfaqësimi i Kosovës me ‘Siparantum’ në World Choir Games, zuri vend të historinë tonë të re korale”, ka thënë Kelmendi në një intervistë për numrin festiv të “Kohës Ditore”. Gjatë qëndrimit atje, si anëtar i këshillit më të madh të koreve në botë “World Choir Council”, ai ka shkëmbyer takime të shumta me njerëz me ndikim në muzikën korale për ta çuar një hap më tutje këtë muzikë nga Kosova. Sipas tij, pandemia veçmas ka ndikuar te muzika korale, e cila vështirë mund të zhvillohet në distancë. Por kapërcimi i sfidave, sipas tij, i ka rrënjët në vullnetin për të mos e ndalur punën.

I barabartë me shtetet e tjera
Kori që ka dëshmuar veten në shumë gara korale tashmë ka marrë ftesa deri në vitin 2024.
“Përballja me restrikcione të ndryshme ka shkaktuar probleme, mirëpo pavarësisht sfidave të ndryshme me të cilat jemi përballur, ne asnjëherë nuk jemi ndalur, prandaj kemi gjetur alternativa të ndryshme të punës, për të mos humbur kontinuitetin e sukseseve”, ka thënë tutje ai.
Kompozitori nga Peja ka kompozuar edhe muzikën në filmin “Pa Vend”, me regji të Samir Karahodës, i cili u dha premierë botërore më 16 korrik në Festivalin e Filmit në Cannes, ku garoi për “Palmën e Artë” e tani është në garë zyrtarë të Festivalit të Filmit në Sundance.
Vepra e tij vokale dhe instrumentale janë luajtur edhe në shumë vende të botës. Por veçon veprën e tij të kompozuar për piano “Renuo”, e cila është interpretuar nga pianisti Menan Berveniku në Musikwerkstatt Alle Schimiede në Vjenë të Austrisë. Vepra e tij “Me nji lule”, e kompozuar gjatë vitit, përveçse nga “Siparantum” është kënduar nga shumë kore të ndryshme edhe në Spanjë e Itali. Këtë vepër Kelmendi e kishte kompozuar për festivalin evropian për të rinj “Europees Muziekfestival voor de jeugd Neerpelt”. Ndonëse Kelmendi nuk kishte pasur ndonjë kriter për veprën e kompozuar, kishte insistuar që ta dërgonte një vepër me motive shqiptare atje.
“Përdorimi i shkallës, ritmit, shtrirja melodike dhe dramaturgjia mendoj se e kanë karakterizuar këtë vepër, e cila është vlerësuar shumë. Ideja ka qenë për të promovuar muzikën dhe kompozitorët nga Ballkani në kuadër të projektit ‘WeBEUnited’”, ka thënë ai. Por kjo vepër nga vetë kori “Sipranatum” ishte interpretuar edhe në Kroaci në garën ndërkombëtare të koreve “Zlatna lipa” (Bliri i artë). Edhe atje Kori i udhëhequr nga dirigjenti dhe kompozitori Memli Kelmendi ka triumfuar. Është shpërblyer me “Pllakatin e Artë”, duke u radhitur i pari prej 14 koreve garuese nga Kroacia, Sllovenia e Bosnjë-Hercegovina. Sipas Kelmendit, shpërblimet janë vetëm një motiv shtesë që të vazhdojnë tutje.
“Jam tejet i lumtur që jemi pjesë e këtyre ngjarjeve të mëdha të muzikës korale ndonëse përballemi me sfida të shumta, megjithatë motivi për të përfaqësuar kulturën dhe muzikën tonë asnjëherë nuk mungon. Të jesh pjesë e të gjitha këtyre aktiviteteve, të jesh i barabartë me shtetet e tjera të botës të cilët kanë traditë shumëvjeçare, të ndihesh i barabartë me të tjerët, kjo është vetëm dëshmi e punës”, ka thënë tutje Kelmendi.
“Siparantum”, që debutoi në skenë në prillin e vitit 2017, është themeluar katër vjet më parë në bazë të një trashëgimie artistike të këndimit koral në Pejë. Kori, i cili përbëhet nga 45 anëtarë, u krijua nga vullneti i lirë i qytetarëve nga zona dhe kategori të ndryshme për të dhënë dashuri, besim dhe shpresë duke u kënduar të gjithë atyre që besojnë në një të ardhme më të mirë të botës. Sipas Kelmendit, Kori i cili u themelua mbi bazën e muzikës korale në Pejë tashmë nuk është vetëm i Pejës, por i gjithë Kosovës. Vizionit të tij i janë shtuar edhe vullnetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës.
“Kori ‘Siparantum’ tashmë nuk është vetëm i qytetit të Pejës, në korin ‘Siparantum’ tashmë kemi anëtarë vullnetarë që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës si, Prishtina, Prizreni, Gjilani, Gjakova, Mitrovica, Vushtria, Klina, Skenderaj, Istogu. Prandaj Kori tashmë është i gjithë Kosovës, për këtë ndihem shumë i lumtur, ndonëse që në fillim ky edhe ka qenë qëllimi i Korit”, ka shpjeguar ai. Tash, Kori ka edhe një tjetër qëllim të rëndësishëm – ta promovojë Kosovën në rajonin e Ballkanit dhe në mbarë botën përmes muzikës artistike dhe ndërkombëtare, të përbërë nga kompozitorë të mirënjohur të shekujve të kaluar e deri te këta të ditëve të sotme.
Dashuria, vullneti e harmonia e vullnetarëve
Kelmendi thotë se deri këtu i kanë sjellë vullneti, puna dhe motivi për të qenë më afër muzikës dhe për të mos u shkëputur prej saj pavarësisht kushteve dhe rrethanave. Puna ndër vite thotë se i ka bërë të ndihen si një familje. Vështirësitë që kanë thotë se mundohen të mos i reflektojnë në skenë. Gjithmonë tentojnë për të kundërtën. Për këtë ai thotë se është falënderues ndaj secilit anëtar që ka qenë ndër vite pjesë e korit “Siparantum”.
“Është e pabesueshme se si funksionon atmosfera që kemi ndërtuar përbrenda nesh. Puna jonë është ndërtuar me shumë dashuri. Të gjithë ne jemi vullnetarë, pra asnjëri prej nesh nuk paguhemi për punën që bëjmë. Kudo që kemi shkuar jemi paraqitur, kemi reflektuar më ndryshe, kjo vërehet në fytyrën e secilit”, ka theksuar ai.
Kelmendi e ka thyer konvencionalitetin edhe me bashkëpunimin me Korin e Filharmonisë së Kosovës këtë vit, në koncertin e mbajtur në fund të prillit. Me udhëheqjen e tij si dirigjent, ai e ka bërë që të shpërfaqë një anë tjetër të korit të Filharmonisë së Kosovës. Me vepra premierë, ai nëpërmjet qasjeve, stilit, muzikalitetit e provave, kishte shpërfaqur një tjetër anë të koristëve. Përveç shpërblimeve të korit “Siparantum”, Kelmendi këtë vit është shpërblyer edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me çmimin për vepër solistike, për “Flas me heshtjen”. Kelmendi me punën e tij e ka futur Kosovën në listën që radhit 1,000 koret më të mira në botë. Me “Siparantum “, Kosova aktualisht është e radhitur në pozitën e 460-të me 896 pikë.
Një vit të pasur me koncerte e ka përmbyllur në kryeqytetin e Gjermanisë. Atje është prezantuar me tri koncerte për dy ditë. Njërën prej mbrëmjeve ia ka dedikuar vetëm muzikës shqiptare. Ata janë bërë pjesë e festivalit dimëror “ChoralSpace”, i cili shquhet si vendtakim koresh elitare dhe këtë fundvit ka bashkuar 13 formacione të tilla nga e gjitha bota. Atje Kori ka pasur mundësinë edhe të vazhdojë takimin me emra të njohur të muzikës.
“Pjesëmarrja në Berlin ka qenë vazhdimësi e sukseseve tona të mëhershme. Pikërisht qëllimi i festivalit është rrjetëzimi dhe bashkëpunimi me kore të tjera. Në kuadër të programit ‘Choral Cluster – Veni, Veni Emmanuel’ ne ishim në bashkëpunim me korin ‘Wilmersdorfer Kamerchor’ (Gjermani) që drejtohet nga Christian Bährens’”, ka thënë ai.
Bashkë të dy koret “Siparantum” dhe “Wilmersdorfer Kamerchor” kanë interpretuar premierë veprën "Veni, Veni Emmanuel" te Christian Bährens. Po ashtu, atje është interpretuar edhe vepra e Kelmendit ‘Agnus Dei’, e cila është dëgjuar në shumë festivale të muzikës korale në botë.
“Dy dirigjentë, dy kore nga dy vende të ndryshme, ku njëri kor i përket moshës së re (Siparantum Choir) dhe tjetri i moshës më të vjetër (Wilmersdorfer Kamerchor), ishte interesante për të gjithë. Bashkëpunime të tilla janë shumë të rëndësishme për promovimin e kulturës dhe rëndësinë e muzikës korale”, ka thënë ai.
Pavarësisht sukseseve pa ndalur, dirigjenti beson se të gjitha janë vetëm një bazë për suksese të reja tutje. Këtë Kelmendi po e bën me akoma më shumë vizion. Ai përveçse punon me korin e të rriturve, punën e tij e përcjellë me shumë pasion edhe te kori i fëmijëve në kuadër të “Siparantum Kids”, i cili përbëhet nga 30 anëtarë. Planet e tij janë që tutje të ngritë një gjeneratë të re të fëmijëve që e duan po aq muzikën korale.
“Aktualisht ne jemi duke punuar në CD-në e parë të korit të fëmijëve ‘Siparantum Kids’. Shpresojmë që këtë do të arrijmë të realizojmë më së largu deri në qershor të vitit 2022”, ka thënë ai.

Ftesa deri më 2024
Fill pas kthimit nga Berlini, “Siparantum” është duke punuar për realizimin e planeve të mëtejshme. Ftesat nga festivale të shumta tashmë u kanë ardhur në adresë, madje edhe për tre vjetët e ardhshëm. Por për realizimin e tyre, sipas Kelmendit, nuk mjafton vetëm puna e tyre, por edhe shumë përkrahje nga institucionet.
“Tashmë në adresën tonë kanë arritur ftesa të shumta për festivalet e ardhshme, deri në vitin 2024. Kjo më së miri tregon rëndësinë e punës që bëjmë ne si shoqëri, këtu. Të shohim, për të realizuar këto qëllime ne gjithnjë varemi nga përkrahja institucionale dhe sponsorët. Pikërisht për shkak të fondeve ne kufizohemi për të qenë pjesëmarrës jo në të gjitha ftesat që vijnë”, ka treguar ai.
Derisa Kori që e udhëheq Kelmendi po e lë prapa një vit me shpërblime e prezantime të suksesshme, në agjendën e tyre pritet të sistemohen edhe datat për vitin 2022, ku planifikojnë të marrin pjesë në festivale të mëdha të muzikës korale në botë.
“Unë kam besuar që në fillim për mënyrën se si e kemi formuar korin ‘Siparantum’. Besoj që me punë dhe me optimizëm arrihet çdo gjë, prandaj unë jam shumë optimist për sukseset e radhës. Mendoj që ne jemi në rrugë të suksesit. Ëndrrat asnjëherë nuk ndalen, unë dhe i gjithë grupi po punojmë për të realizuar të tjerat”, ka thënë Kelmendi.
Ai shpreson që edhe viti i ardhshëm të jetë pjesë e sukseseve të përbashkëta me qëllime të përbashkëta.
“Vetëm të bashkuar mund t’i arrijmë synimet tona. Gëzuar!”, ka përfunduar urimin e tij Kelmendi. Zërat e “Siparantum”, përderisa po e mbyllin një vit që u dha pak pushim e shumë suksese, tashmë janë të gatshëm për kapitullin e ri muzikor.