Shaban Pajazitit nga Çubreli i Skenderajt i kishin trokitur në derë dy partizanë në mars të vitit 1945.
Pasi kishin konfirmuar se Pajaziti ishte personi që po kërkonin, i kishin thënë se me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare duhej të shkonte me ata menjëherë. Nëna e tij do t’ia përgatiste shpejt një copë buke për t’ia dhënë me vete. Me porosinë “N’dorë t’zotit nanë!” do ta përcillte për rrugën që e priste, shkruan Koha Ditore.
Krejt ngjarja pasqyrohet nëpërmjet dialogëve dhe ilustrimeve të skenave se si ka ndodhur. Rrëfimi i Pajazitit është bërë bashkë me të dhjetë të tjerëve. Nëpërmjet novelës grafike “Dimri i gjatë i vitit 1945: Tivari”, me autorë Anna Di Lellio dhe Dardan Lutën shpaloset rrëfimi i gjithë rrugës që kanë ndjekur mijëra shqiptarë të Kosovës deri në Tivar të Malit të Zi, në mars të vitit 1945. Ilustrimet e Lutës, së bashku me rrëfimin gojor të të mbijetuarve, janë bërë bashkë në novelë prej 145 faqesh, që sjell historinë autentike të disa shqiptarëve të mbijetuar në atë që njihet si Masakra e Tivarit. Aty ka edhe dokumente e skica.
Në promovimin e librit, të martën mbrëma, në kafe librarinë “Dit’ e Nat’”, hulumtuesi Shkëlzen Gashi ka thënë se shifrat e të vrarëve në masakrën e Tivarit janë të ndryshme. ‘Në pranverë të vitit 1945 në Drenicë njësitë partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të ish-Jugosllavisë vranë e masakruan mbi 4 mijë veta' ka thënë.
Anna Di Lellio shkruan në parathënie të librit se është motivuar të shkruajë një libër për Masakrën e Tivarit, duke e ditur se është e pamundur të dihet me siguri perfekte e gjithë historia se çfarë ka ndodhur në bregdetin malazez. Në promovim ajo ka thënë se është shumë e kënaqur që ia kanë dalë të nxjerrin librin para lexuesve....(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")