Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Masakra e Tivarit përballë fshehjes së gjurmëve e ikjes nga përgjegjësia

Detaj i ilustrimit nga novela grafike “Dimri i gjatë i vitit 1945: Tivari”, e autorëve Anna Di Lellio dhe Dardan Luta

Masakra e Tivarit ka ndodhur më 1 prill 1945, në Breg të Tivarit, në ndërtesën e Monopolit të Duhanit, në oborrin e tij dhe në rrugën afër mureve të oborrit. Kjo masakër u krye vetëm brenda disa minutave, në një sipërfaqe të ngushtë dhe në mënyrë barbare.

Ushtria “çlirimtare” serbo-malazeze masakroi, me armë zjarri e armë të ftohta mijëra shqiptarë duarthatë, të mobilizuar kinse për nevoja të Armatës Antifashiste të Jugosllavisë. Ja si e përshkruan i mbijetuari Azem HajdininXani, këtë krim: “... në të dy anët e hyrjes së oborrit i prisnin me shufra hekuri... Vetëm në hyrje të oborrit mbetën të vdekur 100-150 persona, ndërkohë në ndërtesë ishin futur rreth 1000 persona, ndërsa në oborr konsideroheshin që ishin nga 2200 deri në 2500. Përveç tyre, në rrugë të rrethuar nga ushtarët mbetën 1000 deri në 1100, tani më jo të rreshtuar, por grumbull, për arsye se likuidimi i tyre të kryhej sa ma lehtë, shkruan sot KOHA.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në përfundim të këtij plani, ushtarët kapën Ramiz Loshin nga fshati Vraniq i Komunës së Suharekës, me pretekstin se ai ishte njëri nga ata që kishte tentuar ta merrte revolen, andaj mbi të u zbraz një ‘shanzher’ revolesh. Sipas Azem Hajdinit, i riu Ibrahim Koca, nga fshati Polac i Skenderajt, së bashku me disa rekrutë, u drejtuan tek komanda e shtabit, e cila ishte e vendosur në oborr, për t’ua parashtruar këto kërkesa: Të apelonte që të ndërpriteshin represioni dhe dhuna ndaj rekrutëve shqiptarë dhe t’u lejonin që t’i ndihmonin rekrutët e tjerë që kishin mbetur tek hyrja e oborrit”.

Ata u gjuajtën me breshëri armësh nga të gjitha anët, por dhe nga këshilltarët infermierë dhe pjesëtarët “gati të gjitha institucioneve civile e ushtarake”, domethënë “të gjithë ata që ishin në atë moment aty dhe kishin armë”. Brenda një ore, shumë nga rekrutët shqiptarë, të cilët ishin në oborre dhe në sheshin e ndërtesës, gjetën vdekjen nga breshëritë e automatikëve.

Madje, nga tmerri që panë një pjesë e madhe u sëmurën psiqikisht, e shumë të tjerë ranë në gjendje kome. Pas një ore e gjysmë ndërpritet zjarri i armëve, ndërsa atyre që kishin mbetur gjallë iu bë thirrje të ngriheshin, ngase duhet mjekuar të plagosurit. Pra, sërish u tradhtuan pasi, kur ata filluan të ngriheshin në këmbë, repartet rihapën zjarr.

U bë thirrja e dytë, sipas së cilës të plagosurve iu premtua se do të dërgoheshin në spitalet e Tivarit, Dubrovnikut e të Splitit, ndërsa atyre që ishin brenda në ndërtesë iu kërkua t’i ndihmonin për të hapur rrugët. Sipas Azem Hajdinit, për të biseduar me ushtarët doli Isuf Halili nga fshati Radishevë–Skënderaj dhe pasi u premtua se vrasjet do të ndërpriteshin dolën nga ndërtesa të gjallët që ishin brenda. Gjatë daljes së tyre u kontrolluan një nga një dhe iu mor çdo gjë e vlefshme.

Pamjet në oborr ishin tejet të tmerrshme. Ishte shumë e vështirë të identifikoheshin njerëzit, ngase shumë prej tyre u ishte prerë koka apo u kishte humbur gjysma e fytyrës. Të tjerët, të mbuluar nga gjaku kërkonin ndihmë, ose luteshin që t’i vrisnin e të përfundonte vuajtja e tyre nga plagët e marra.

Hipokrizia e pushtetit komunistjugosllav vërehej hapur, kur në njërën anë kryenin masakra ndaj shqiptarëve, si kjo e Tivarit, ndërsa në anën tjetër oficerët mbanin fjalime për “vëllazërimbashkimin”. Gjatë pastrimit të vendit në mjetet e transportit u ngarkuan bashkërisht të vrarët dhe të plagosurit. Pas kërkesave këmbëngulëse të atyre që shpëtuan u bë verifikimi i të gjallëve.

Të plotë e gjeni sot në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.