Kulturë

Digjitalizimi – shpëtim për materialet bibliotekare që po shkatërrohen

Jo pak materiale bibliotekare po dëmtohen çdo ditë e më shumë për shkak të përdorimit, mungesës së kushteve për ruajtje e faktorëve të tjerë. Për këtë digjitalizimi konsiderohet si nevojë urgjente për revista, libra e gazeta. Në sesionin “Digjitalizimi i revistave shkencore me qasje të hapur” është theksuar se pos shpëtimit, versionet elektronike do të hapnin kapitull të ri për këto materiale

Rëndësia e revistave shkencore, digjitalizimi jo vetëm i tyre, por edhe materialeve të tjera bibliotekare, janë theksuar në ditën e dytë të edicionit të 18-të të “Javës së Bibliotekës”. Të martën, në sesionin shkencor “Digjitalizimi i revistave shkencore me qasje të hapur”, që u mbajt në bibliotekën publike “Hivzi Sulejmani” – nëpërmjet diskutimeve, por edhe ekspozimit të revistave me qasje të hapur që janë pjesë e koleksionit që posedon Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” – është theksuar se një hap i tillë është i domosdoshëm, në përmbushje të kërkesave të lexuesve e studiuesve.

“Java...” si ngjarje tradicionale, që nisi të hënën, pas anulimit të edicionit të vitit të kaluar, është rikthyer sivjet duke iu përshtatur masave ndaj pandemisë. Një pjesë të aktiviteteve vijnë në formatin online e një pjesë tjetër me prezencë fizike. Pikërisht pandemia e shtyri BKK-në që “Javën e Bibliotekës” të mos e mbante në prill dhe ta zhvendoste në maj. Përveç aktiviteteve të shumta të natyrës kulturore e bibliotekare, gjatë kësaj jave organizohen edhe sesione shkencore që trajtojnë temën e sivjetme, “Kujtesa Kombëtare: koleksionet audiovizuale dhe efemere”. Do të zgjasë deri më 30 maj.

Zaide Krapi, librare në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ka thënë se sfidë kryesore me të cilën përballet BKK-ja është kërkesa në rritje për informacion në formë digjitale dhe vetëdija ende e ulët e komunitetit për përfitime nga digjitalizimi në njërën anë dhe aftësitë në rënie të Bibliotekës për të ruajtur materialet bibliotekare për shkak të mungesës së hapësirës, faktorit kohë, dëmtimit të materialit nga përdorimi, teknologjia e shpejtë dhe shpërndarja e informacionit.

“Digjitalizimi dhe qasja e hapur do të siguronte ruajtje, mbrojtje dhe zëvendësim të revistave shkencore, gazetave, librave të rrallë dhe materialeve të tjera bibliotekare, që po përkeqësohen shpejt për shkak të përdorimit të tepërt”, ka thënë ajo.

Sipas saj, BKK-ja dhe misioni i saj mbi mbledhjen, ruajtjen dhe shpërndarjen e informacionit e ka konceptuar dhe shtjelluar këtë situatë dhe ndien përgjegjësi për t’i lejuar shoqërisë qasje në të gjitha informacionet e disponueshme që ka.

“Mundësia për t’i ofruar këto shërbime në internet dhe me qasje të hapur do të ishte një përfitim i madh për komunitetin pa dallim dhe do të kishte efekt të shumanshëm në të gjitha aspektet e zhvillimit edukativ, kulturor e të tjerë”, ka thënë ajo, duke theksuar se mision i tyre mbetet edhe mbështetja dhe digjitalizimi i revistave shkencore me qasje të hapur.

Pas saj, Ioannis Kikkis, ekspert për të drejtat e autorit nga projekti i BE-së për forcimin e sistemit të pronësisë intelektuale në Kosovë, ka diskutuar për pronësinë intelektuale dhe të drejtat e autorit në rastin e digjitalizimit të materialeve.

“E drejta e huazimit publik është e drejta që autori të pranojë një pagesë pas publikimit të librit të tij në një platformë të qasshme nga të gjithë që bëhet nga ana e bibliotekave publike”, ka thënë Kikkis, i cili ka treguar tutje se vendit do t’i duhet ta rregullojë këtë edhe me anë të legjislacioneve një gjë të tillë.

Sesioni shkencor "Digjitalizimi i revistave shkencore me qasje të hapur" vazhdoi me studiuesin Muhamet Mala nga Fakulteti i Filozofisë të UP-së, i cili shpalosi kumtesën, “58 vjet nga numri i parë i Buletinit të Fakultetit të Filozofisë - sfidat dje e sot”.

“Ne kemi arritur që të gjithë numrat e Buletinit të Fakultetit të Filozofisë në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës t’i digjitalizojmë dhe t’ua ofrojmë ata të gjithë lexuesve për 24 orë edhe online. Kështu kemi kryer një punë që shkon në drejtim të asaj për të cilën po mbahet edhe ky sesion”, ka thënë Mala gjersa ka shpalosur rrugëtimin e kësaj reviste nga fillimi e deri në ditët e sotme. Ai ka theksuar se situatat politike nuk duhet të bëhen shkas për pengesa në aspektin shkencor.

Nail Draga, studiues nga Ulqini, ka thënë se revistat në gjuhën shqipe në Mal të Zi janë realizuar dhe vazhdojnë të realizohen pa mbështetje institucionale. Sipas tij, pikërisht në këtë aspekt duhet që të bëhet më shumë.

“Institucionet duhet që të mbështesin më shumë revistat, sidomos ato që realizohen në Mal të Zi. Revistat kryejnë misionin e vet nëse janë në vendin e duhur dhe arrijnë te njerëzit, ndërsa çështja e digjitalizimit që theksohet sot do të ishte një pasuri jo vetëm personale, por pasuri kombëtare për të gjithë neve nga vetë fakti se do t’i mundësohet publikut të gjerë që të konsultojë dhe të shfrytëzojë botimet e tilla”, ka thënë Draga gjersa ka shpalosur historinë e revistave: “Koha”, “Dija” dhe “Malësia”.

Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, ka folur në lidhje me revistën “Gjurmime Albanologjike”.

“Fillimisht duhet të bëhet sigurimi i një buxheti adekuat për botim të revistave shkencore të Institutit Albanologjik, si dhe revistave të tjera. Mungesa e financimit të specifikuar ashtu si dhe mosbuxhetimi i projekteve shkencore e vështirëson daljen e rregullt të revistës dhe ndikon në cilësinë e saj. Digjitalizimi, në këtë rast i 117 numrave të revistës ‘Gjurmime Albanologjike’ dhe mundësia e qasjes së hapur të kësaj trashëgimie do të ndikojnë për avancimin e studimeve mbi të kaluarën dhe kulturën shqiptare dhe do të bëjë që trashëgimia jonë albanologjike të jetë më e qasshme për publikun”, ka thënë ai.

Ka theksuar se duhet të punohet edhe për përkthimin e kësaj reviste në gjuhën angleze, frënge e gjermane për të komunikuar edhe me gjuhë të tjera.

“Një nevojë imediate e revistës sonë, si dhe revistave të tjera shkencore në Kosovë është përtëritja e regjistrimit në qendrën e ISSN-së (International Standard Serial Number). I gjithë ky proces lidhet ngushtë me anëtarësimin e vendit tonë në UNESCO”, ka thënë ai. Sipas tij, regjistrimi i revistës në një vend tjetër që është pjesë e UNESCO-s nuk është një opsion.

Përderisa Arsim Sinani nga Fakulteti i Filozofisë në Universitetin e Prishtinës ka diskutuar në temën “Nevoja për një platformë shqiptare për revistat shkencore me qasje të hapur”, profesori Edmond Hajrizi nga Universiteti për Biznes dhe Teknologji – UBT ka shpalosur kumtesën “UBT knowledge center si model i hapur i dijes dhe i shkencës”. Maria Dojçe diskutoi për “Rëndësinë e informimit masiv nëpërmjet revistave shkencore”.

Në hapësirën e Bibliotekën Publike “Hivzi Sulejmani”, aty ku u mbajt edhe sesioni shkencor, u ekspozuan dhjetëra revista me qasje të hapur që janë pjesë e koleksionit të BKK-së. Ekspozita është kuruar nga Venera Nitaj, Eronida Ismajli, Genita Margataj dhe Blerina Vehapi. Mes revistave të ekspozuara mund të haseshin disa numra të revistave, si ajo për trashëgimi kulturore “Dardania”, revistës për kulturë, gjuhë, media “Akademia”, revistës letrare, shkencore, informative, kulturore dhe çështje të tjera “Illyricum”.

“Ringjallja” për shkencë, kulturë, art, ashtu sikurse edhe “Lemba” ,“Verbi” e të tjera.

Image

Në kuadër të kësaj dite disa botime librash e revistash u janë dhuruar edhe bibliotekës së Shkollës së Mesme “Dr. Xheladin Deda” në Mitrovicë, bibliotekës së Shkollës Fillore e të Mesme të Ulët, “Isa Boletini” në Besi-Mramur të Prishtinës, Bibliotekës së Shkollës Fillore e të Mesme të Ulët “Dardania” në Pejë, si Bibliotekës së Institutit për Studime Sociale dhe Humanistike dhe Fakultetit të Filozofisë në Universitetin e Prishtinës. Dita tretë e “Javës...” i kushtohet folklorit nëpërmjet aktiviteteve që organizohen nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës në bashkëpunim me bibliotekën publike “Azem Shkreli” në Pejë.