Kulturë

Digjitalizimi – kapitull i ri për trashëgiminë arkeologjike nënujore

Një prej elementeve trajnimit ka qenë edhe dokumentimi me teknologji për 3D i pasurive arkeologjike nënujore

Një prej elementeve trajnimit ka qenë edhe dokumentimi me teknologji për 3D i pasurive arkeologjike nënujore

Shqipëria, Mali i Zi e Kroacia, kanë pasuri të trashëgimisë arkeologjike nënujore, e metodat e reja për ruajtjen dhe avancimin e saj, kanë qenë kryefjalë e një trajnimi intensiv në Ulqin. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja ka thënë se trashëgimia kulturore, edhe nën ujë, meriton dritën e vëmendjes si aset i turizmit

Përfaqësues shtetërorë nga Shqipëria, Mali i Zi e Kroacia, ditë më parë janë bashkuar në Ulqin në trajnimin rajonal për arkeologjinë nënujore, e kryefjalë ka qenë digjitalizimi i trashëgimisë me metoda moderne.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja të premten ka ndarë në rrjete sociale momente nga ky trajnim si dhe mesazhet nga disa prej specialistëve pjesëmarrës në këtë takim.

Ministri Gonxhja e ka cilësuar me rëndësi procesin e dokumentimit dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nënujore të Shqipërisë.

“Nga fotogrametria te simulimet në zhytje, kjo përvojë rriti kapacitetet tona për ruajtjen dhe promovimin e thesareve nënujore, duke forcuar bashkëpunimin Shqipëri–Mal i Zi–Kroaci”, ka thënë Gonxhja.

Sipas tij, trashëgimia kulturore, edhe nën ujë, meriton dritën e vëmendjes si aset i turizmit.

Një nga specialistët pjesëmarrës në këtë trajnim, Sabian Hasani, e ka vlerësuar pozitiv bashkëpunimin mes vendeve ballkanike për një qëllim të përbashkët.

“Nga ana teknike eksperienca me fotogametrinë do të jetë një ndihmë e madhe për të gjithë, për ata që nuk kanë eksperiencë, për ata që kanë më pak eksperiencë, ashtu si unë që nuk kam bërë kurrë arkeologji nënujore e cila është një pikëpamje krejt ndryshe, pra do të jetë një ndihmë shumë e madhe”, citohet të ketë thënë ai. Sipas tij, “veçanërisht për arkeologjinë nënujore, se është një fushë e pazhvilluar mirë në këtë pjesë të botës”.

“Është mirë të nisim përpjekjet bashkëpunuese që të gjithë të jemi në harmoni”, ka thënë ai.

Frenk Peza, specialist në Agjencinë Kombëtare të Turizmit në Shqipëri e ka konsideruar këtë trajnim si një eksperiencë pozitive, që gjithashtu “tregon se si vende të ndryshme e trajtojnë sipas mënyrës së tyre mbrojtjen e trashëgimitë kulturore”.

Sipas tij, edhe pse Kroacia është shumë më e avancuar se homologët rajonalë, mënyra sesi afrohen dhe duan ta tregojnë, të mësojnë studentët dhe njerëzit që janë pjesë e institucioneve, është shumë interesante.

“Na bën të mendojmë sipas mënyrës së tyre”, ka thënë ai.

Ndërsa Blerina Toci, një tjetër e pranishme në trajnim ka thënë se një trajnim si ky hap shtigje të reja në qasjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

“Kjo është një nga gjërat më të rëndësishme, për të parë drejt të ardhmes, për ne njerëzit që punojmë me entitete kulturore, duke parë edhe nga e kaluara. Është me rëndësi të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, se si funksionojmë ne në vendin tonë, në Kroaci dhe në Malin e Zi, për të gjetur pikat e dobëta dhe të forta dhe të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë”, ka thënë ajo.

Andrea Pambuku ka thënë se “ky takim shërbeu si një eksperiencë për të mësuar se si të ruhet arkeologjia nënujore dhe si mund të krijohen vende të reja për turizëm dhe kulturë. “Gjithashtu të mbrojmë vendet nënujore ku është e nevojshme, duke qenë se jemi të rinj në këtë fushë”, ka thënë ajo.

Një prej elementeve të këtij trajnimi ka qenë edhe dokumentimi me teknologji për 3D i pasurive. Trashëgimia arkeologjike nënujore konsiderohet si një potencial në zhvillimin e turizmit kulturor.