Kulturë

Dialogu pianistik me elegancë gdhend kryeveprat

Një lojë në piano ka kritere të përcaktuara qartë: teknikë, virtuozitet e precizitet. E kur këtyre u shtohen edhe eleganca e sharmi, interpretimi rrëmben perfeksionin. Artemida Qarri i ka të tëra dhe këtë e ka dëshmuar në koncert recital. Ajo gdhend kryeveprat dhe publikut ia ofron si skulptura tingujsh

Në hapësirën e ndriçuar lehtazi krijohet pamja mahnitëse e cila fton në intimitet muzikor. Shfaqet pianoja “Kawai” teksa qëndron stoikisht nën dritën skenike që i përshkon çdo hir të saj të punuar nga mjeshtërit japonezë. Pret në një takim të gjatë e të vështirë miken e saj, Artemida Qarri, pianisten e afirmuar nga Kosova. Kur i afrohet pianos, elegante e plot sharmë, ashtu siç i ka hije një solisteje të këtij kalibri, i bashkëngjitet një kompozicion dritash të cilat ende pa filluar tingujt krijojnë një skulpturë muzikore e poetike.

Kur gishtërinjtë u takuan me tastet e pianos, krejt natyrshëm, si dy miq që njihen prej vitesh, nisi biseda mes vete duke refuzuar të besojnë se kishin një audiencë të tërë si dëshmitarë, të cilës ia dhuroi një spektakël qysh në notat e para.

Recitalin në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë e nisi me Ferrucio Busonin dhe trashëgiminë e tij, e cila shtrihet përtej kompozimeve, duke paraqitur kështu një kontribut multidimensional që vazhdon të studiohet e admirohet edhe sot, ashtu siç bëri dhe Qarri, të enjten mbrëma, duke e nderuar atë me zotësinë e treguar në ekzekutimin e veprës së tij. “24 Preludi“ Op.37 qe koleksioni prej preludesh për piano me të cilin pianistja nisi këtë recital, me një qasje avangarde duke shërbyer edhe si dëshmi me inovacionin e Busonit dhe aftësisë së tij për të shtyrë kufijtë e formave tradicionale. Çdo prelud qe një spektër më vete duke ofruar herë nuanca të romantikës e herë të impresionizmit.

Repertori unik për nga prurjet e rralla për skenën klasike kosovare vazhdoi me vepra të shekullit XX. Një maratonë e vërtetë e cila nisi me italianin Alfred Casella me “A la manière de..." (Në mënyrën e...), e cila shërbeu si homazh ndaj kompozitorëve të ndryshëm duke marrë në dorë stilin e tyre përmes veçorive melodike dhe harmonike të kompozitorëve. Kjo seri ofroi një pamje fascinuese në ndërlikimin e Casellas si kompozitor dhe aftësisë e tij për të kapur thelbin e traditave të ndryshme muzikore.

Solli përzierjen e lirikës krahas impenjimit teknik, por që kjo e fundit dukej e lehtë për solisten e cila zotëroi çdo pjesë të përzgjedhur. Maratona vazhdoi me Richard Wagnerin, diçka kishte dhe nga Brahmsi, Debussy e Straussi.

Image
Ky koncert recital nuk kishte se si të përfundonte ndryshe veç se me Luciano Berio dhe “Six encores for piano” (Foto: Arben Llapashtica)

Radha qe për “Three Preludes on Gregorian melodies” të Ottorino Respighit ku notat e hapjes rezonojnë tinguj lashtësie, të thirrur nga solemniteti i melodive gregoriane. Në preludin e parë pianistja udhëhoqi notat me një kujdes që dukej se e transportonte audiencën në hapësira sakrale, e ambienti dukej gati i mjegulluar nga meloditë që zhvillohen butësisht me ca doza të mistikes. Kur pianistja kaloi në preludin e dytë, atmosfera ndryshoi ndjeshëm. Meloditë gregoriane tani u veshën me një vitalitet ritmik. Gishtat, të çliruar dhe të sigurt, duken sikur po vrapojnë duke ndjekur ritmin me shumë stil.

Preludi i tretë, një kulmim i këtij udhëtimi gregorian, u zhvillua me një madhështi triumfuese. Një paletë e pasur e tingujve, e cila ofroi mundësi të eksplorimit të instrumentit në vetvete përmes një rrëfimi magjik që lidh të lashtën me të sotmen. Akordi i fundit u ngrit në ajër duke qëndruar pezull për ca sekonda reflektimi mbi madhështinë e asaj që sapo ngjau e u thye nga vërshime duartrokitjesh.

Ky koncert recital nuk kishte se si të përfundonte ndryshe veçse me Luciano Berio dhe “Six encores for piano”. Me notat e para, pianistja u dha jetë krijimeve avangarde të Berios. Ato u zhvilluan si një mozaik muzikor me fraza të fragmentuara dhe motive ritmike që sfidojnë pritshmëritë e audiencës. Qe një përmbyllje e denjë e cila përveç zotësisë teknike të pianistes ia dha audiencës një fushëbetejë mes gishtërinjve e pianos ku inovacioni i Berios dhe emocioni bashkëjetojnë në harmoni.

Artemida Qarri, e cila aktualisht është në përfundim të studimeve të doktoratës në drejtimin piano-interpretim në universitetin “Sv.Kiril i Metodij” në Shkup, studimet e magjistraturës i ka përfunduar në Konservatorin Shtetëror të Muzikës “Lorenzo Perosi” në Itali. Ajo ka mbajtur koncert recital në Jerusalem në shkurt të këtij viti nën udhëheqjen e dirigjentit Antoine Marguier në Romë me po të njëjtin koncert, në Paris në vitin 2018 me vepra të Schumanit e Brahmsit. Por këtë koncert të sajin recital e cilëson si të veçantë si për nga repertori ashtu edhe për nga ana sentimentale.

“Pas çdo performance është një ndjenjë satisfaksioni, sepse përmbyllet një punë kaq e rëndësishme përmes një recitali njëorësh e pak, i cili është premierë. Kam dëshirë që të bëj një hap përpara sepse vendit i duhet të sfidohet dhe një përzgjedhje e tillë e programit do të duhej ta arrinte efektin e saj sadopak tek të rinjtë”, ka thënë Qarri pas përfundimit të performancës e vërshuar nga kërkesat për fotografi e buqetat me lule.

Si performance të arrirë e vlerësoi dikur dhe mësuesi i saj i pianos, mjeshtri Misbah Kaçamaku.

“Artemida ka qenë nxënësja ime, andaj e njoh mirë edhe zhvillimin e saj. Me këtë performancë sonte Artemida më ka lënë një përshtypje se po vjen si një fillestare e një visi të ri të pianizmit në Kosovë. Besoj që ajo do të jetë një lokomotivë, e cila do t’i tërheqë pianistët e tjerë të aktivizohen”, ka thënë ai.

Sopranoja Jeta Çitaku ka thënë se Artemida Qarri është një emër i njohur dhe serioz për muzikën klasike në Kosovë. ”Sonte me koncertin e saj ajo dëshmoi për punën e madhe që ka bërë me një program të larmishëm dhe ngjyra të thella muzikore që ajo transmetoi përmes teknikës së saj dhe botës shpirtërore që shpalosi”, ka thënë Çitaku.