Ngjeshja e argjilës është hapi i parë. Duhet të ndrydhet fort në mënyrë që t’i humbin vrimat e mbushura me ajër. Ky proces i paraprin punës për të arritur në realizimin e një vepre.
Kësisoj Granita Grezda-Lila e vendos një masë të argjilës mbi tavolinë. Pas fazës së parë, nis ta shtrijë. Masën e fut midis dy shkopinjve në mënyrë që shtrirja që bëhet më holluese, të jetë në nivel të njëjtë. Më pas merr një pjatë që e përdor si negativ për t’ia dhënë argjilës formën e duhur. Pjesën rrethore që kalon masën e pjatës e pret me thikë, shkruan Koha Ditore.
“Tash duhet të qëndrojë nja tri ditë në mënyrë që të thahet e pastaj të vazhdohet puna me të”, thotë Grezda-Lila në dhomën e banesës që e shfrytëzon edhe si atelie. Tharja duhet të bëhet në kushte natyrale. Nëse e stimulon atë me temperatura më të larta pasojat mund të jenë deri tek çarja e argjilës.
Kur vepra finalizohet, akti i fundit është stampimi i fjalës “Dhé”. Kështu e ka pagëzuar Grezda-Lila, linjën e punëdoreve të saj. Në njëfarë forme, me këtë zbërthehet krejt qasja e saj artistike: materiali është dheu e më këto punëdore vetë ajo i është rikthyer artit. Në fakt, ky është ndër artet më të vjetra që ka aplikuar njerëzimi e me të kjo artiste në mënyrë elegante rikthen edhe vlerat... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)