Kulturë

“DAM” dhe Dega e Artit Muzikor në Fakultetin e Arteve zyrtarizojnë bashkëpunimin

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Klasike dhe Eksperimentale “DAM”, i cili u themelua para 15 vjetësh nga studentët e Universitetit të Prishtinës, është kthyer përsëri në hapësirën universitare. “DAM” dhe Dega e Artit Muzikor në Fakultetin e Arteve kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi, një akt që rrit përgjegjësinë e të dyja palëve, të cilat në forma të ndryshme kanë bashkëpunuar për më shumë se një dekadë.

“Përmes këtij memorandumi të mirëkuptimit, palët nënshkruese kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për bashkëpunim dhe njohje të ndërsjellët në promovim dhe mbështetje institucionale për bashkëpunim në realizimin e aktiviteteve të përbashkëta muzikore – përfshirë edhe organizimin e punëtorive, programeve edukative dhe krijimit të platformave inovative për promovim dhe prezantim të studentëve të Fakultetit të Arteve – Dega e Artit Muzikor në Prishtinë”, është shkruar në memorandum.

Aty tregohet se palët po ashtu kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për shkëmbim të përvojave për ndërtim të dialogut ekstra-kurikular me mysafirët e festivalit nga vendet e rajonit, Evropës dhe më gjerë. Marrëveshja ka afat 3-vjeçar, me mundësi zgjatjeje.

Sipas memorandumit – të nënshkruar në ditën e parë të qershorit, pa ceremoni – palët pajtohen për shfrytëzimin e hapësirave të Fakultetit të Arteve – Dega e Artit Muzikor në Prishtinë për organizimin e punëtorive dhe masterklasave gjatë organizimit të festivalit “DAM” si dhe programeve të tjera, bartëse e së cilave është festivali Gara e Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë (BCCP), “DAMacademy” (Shkolla për Muzikë Bashkëkohore), EduDAM, “OperDAM” dhe programi “Përplasje”. Po ashtu, edhe organizimin e një apo më shumë koncerteve të festivalit me pjesëmarrjen e studentëve të drejtimeve të ndryshme të cilat veprojnë brenda Degës së Artit Muzikor.

Dardan Selimaj, themelues e njëherësh edhe drejtor artistik i festivalit “DAM”, ka thënë se pavarësisht se ka ekzistuar bashkëpunimi, një marrëveshje e tillë do të duhej të ekzistonte shumë kohë më parë.

“Por, e rëndësishme është se tani ajo edhe formalisht ekziston dhe kjo na shtyn të dyja palëve të angazhohemi më shumë për ta rritur efikasitetin e çdo hapi tutje”, ka thënë ai.

Sipas memorandumit, përgjegjësitë e festivalit “DAM” janë që të ofrojë programin e vet të masterklasave dhe punëtorive për studentët e Fakultetit të Arteve – Dega e Artit Muzikor (pa pagesë), të ofrojë mundësi të prezantimit të punës së studentëve brenda programit të festivalit, si dhe të ofrojë dhe bashkorganizojë një koncert me Fakultetin e Arteve – Dega e Artit Muzikor.

Selimaj ka bërë të ditur se festivali është në rritje e sipër dhe sidomos me Garën Ballkanike po merr rrugën drejt një faze tjetër të zhvillimit.

“Po ashtu, edhe programet të cilat do të kurohen brenda festivalit do të marrin format tjetër, të cilin do ta shpalosim në vijim, përfshirë edhe prezantimin e programeve të studentëve jashtë Prishtinës”, ka thënë ai.

Rreze Kryeziu, drejtoreshë gjenerale e festivalit “DAM”, ka thënë përfshirja e më shumë institucioneve padyshim që do t’i lehtësojë më tepër tërë qëllimet e paracaktuara nga “DAM” vite më parë.

“Ajo çfarë përmban ky memorandum është realizuar në ‘DAM’ që nga edicioni i parë, duke u pasuruar ndër vite. Diferenca është vetëm te dokumenti i shkruar, pajtues i dy palëve, padyshim me fokus për ta arritur me të mirën për studentët, faktorët kyç për ekzistencën dhe zhvillimin e mëtutjeshëm për kulturën muzikore të Kosovës”, ka thënë ajo.

Sipas memorandumit, përgjegjësitë e Fakultetit të Arteve – Dega e Artit Muzikor janë që të ofrojë mbështetje dhe lehtësime institucionale me qëllim të arritjes së synimeve të kësaj marrëveshjeje, të ofrojë hapësirën e organizimit të punëtorive dhe masterklasave në objektin e Fakultetit.

Drinor Zymberi, prodekan i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina", ka thënë se ky memorandum është një lloj legalizimi i përkrahjes së ndërsjellët të të dyja palëve.

“’DAM’ ka filluar nga ish-studentët e Departamentit të Muzikës të Fakultetit të Arteve dhe vazhdimisht e ka përkrahur punën tonë dhe ua ka ofruar të gjitha mundësitë e veta studentëve të Fakultetit të Arteve”, ka thënë ai. Ka shtuar se memorandumi është një hap me tutje drejt bashkëpunimit të ngushtë midis dy palëve dhe është realizuar si nismë e thellimit të bashkëpunimit në të mirë të zhvillimit të kulturës muzikore në vend.

“Natyrisht se bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm, sepse ‘DAM’ njihet si festival i cili vazhdimisht ka sjellë interpretë, ansamble dhe kompozitorë të ndryshëm dhe përmes këtij bashkëpunimi studentëve u ofrohet kontakt me emra të njohur nga skena ndërkombëtare”, ka thënë ai. Sipas tij, studentët përfitojnë më së shumti nga kontakti dhe shkëmbimi i ideve me personalitete të ndryshme nga bota.

Edicioni i 16-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Klasike dhe Eksperimentale “DAM” sivjet pritet të mbahet prej 1 deri më 9 shtator.