Kulturë

Dalin në ankand veprat e mbretëreshës së Danimarkës

Një pikturë e viteve 1980 nga mbretëresha e Danimarkës, e cila hoqi dorë nga pushteti mbretëror së fundmi, Margrethe II, mund të arrijë vlerën në mbi 100 mijë korona daneze kur të dalë në ankand të martën, më 5 mars. Në janar 83-vjeçarja Margrethe nënshkroi zyrtarisht heqjen dorë nga pushteti mbretëror, duke ia kaluar fronin djalit të saj të njohur, Frederik X.

Veprat e mbretëreshës së Danimarkës, Margrethe II, janë paraqitur në disa ekspozita, si në Danimarkë ashtu edhe jashtë saj.

Por shtëpia daneze e ankandeve, Bruun Rasmussen, thotë se jo çdo ditë krijohet mundësia për të blerë një prej tyre.

Kjo pikturë e vitit 1988, pa titull, nga Margrethe do të dalë në ankand të martën, më 5 mars, një mundësi e rrallë për të blerë një vepër arti të 83-vjeçares.

Ishte një dhuratë personale nga Margrethe për një gjykatës ushtarak të atëhershëm, i quajtur Hans Soelvhoej. Dhe tani është në pronësi të familjes së tij qëkur ai vdiq në 1989.

Margrethe, e cila ishte edhe artiste e talentuar, ka pikturuar dhe dizajnuar kostume baleti, veshje të kishës dhe enë të ndryshme. Ajo madje bëri ilustrime për një botim të veçantë të J.R.R. Tolkienit “The Lord Of the Rings”.

Kreu i departamentit të artit modern në Bruun Rasmussen, Boe-Hauggaard, tregon më shumë për Mbretëreshën.

“Mbretëresha është artiste e gjithanshme. Ajo ka punuar në shumë fusha të artit: ilustrim librash, kostume, dizajn skenik, veshje kishe, vizatime e piktura. Ajo definitivisht ka bërë shumë punë, por asnjëra prej tyre nuk ishte menduar për tregun publik, kurrë. Pra vetëm dhuratat do të dalin në treg, si kjo pikturë”.

Boe-Hauggaard e përshkruan pikturën, një akrilik në kanavacë, si “pjesë abstrakte” dhe një “përshtypje personale për natyrën”.

Vlerësohet se do të arrijë vlerën midis 75 mijë dhe 100 mijë korona daneze kur të shitet në shtëpinë e ankandit të Bruun Rasmussenit në Lynbgy, dhjetë kilometra në veri të Kopenhagës qendrore.

Piktura do të dalë në ankand të martën, më 5 mars, si pjesë e shitjes se pikturave moderne, skulpturave dhe skicave të Bruun Rasmussenit.

Boe-Hauggaard thotë se piktura pa titull e mbretëreshës Margrethe pritet të zgjojë interesim për artdashësit.

“Mendoj se gjithë nderimi dhe respekti i madh për mbretëreshën ka ndikuar në mënyrën se si e ka parë ajo artin. Ne parashikojmë shumë interes për një ankand të tillë, duke pasur parasysh rrallësinë e shitjes së veprave të saj. Dhe me të vërtetë, kur do të dalë në ankand piktura e radhës? Nuk mund të themi. Nuk e dimë as ne”.

Margrethe është monarkja e parë daneze që ka hequr dorë vullnetarisht nga froni në gati 900 vjet.

Duke përmendur çështjet shëndetësore, Margrethe njoftoi në natën e Vitit të Ri se do ta jepte dorëheqjen, duke befasuar një komb të tërë që kishte pritur që ajo të jetonte ditët e saj në fron, siç është traditë në monarkinë daneze.