Pak javë pas mbylljes, diçka e kureshtshme ngjau në Instagram. Gjithnjë e më shumë njerëzit po afishonin imazhe të shtëpizave të bukura të zbukuruara me lule kacavjerrëse, rreze dielli që shigjetonin nëpërmjet gjethnajës së dendur, rrugë gjarpëruese pylli e kërpudha që gëlonin me tepri, tryeza të vogla çaji e piknikë në kopshte ndanë krojeve gurgulluese, fustane të pambukta me zbukurime dredhëzash e fluturash…një fantazi pjesërisht surreale, pjesërisht eskapiste nga tmerret, e pjesërisht edhe për të marrë veten. Kjo dukuri shoqërohej me hastagun “#cottagecore”.
Është një prirje që ngadalë u bë estetika e bukur e vitit 2020. Njësoj si konceptet skandinave të hygge dhe friluftsliv, estetika baritore e “cottagecore” po rreh si një tel.
Sigurisht, asgjë nuk ecën vaj sikur një koncept të mos përqafohet nga një emër i njohur. Muaj më parë Taylor Swift nxori albumin e saj “Folklore”. Fotografitë promocionale e shpërfaqnin atë në një prapavijë me drurë dhe një pallto të rehatshme. Albumi seç kishte një energji tokësore e nostalgjike, që purtekej mes thjeshtësisë, rehatisë dhe arratisjes. Me të mbyllur sytë, kjo estetikë u shpërhap gjithandej.
Si një estetikë që romanticizon kthimin drejt atributeve tradicionale baritore, “cottagecore” i mëshon fort theksimit të një përzierjeje të vetëmjaftueshmërisë rurale dhe zbukurimit delikat, me një dorë të fortë nostalgjie. Ironikisht, për theksin e vet të idilit rural dhe anti-modernes, ajo po shpërndahet me të madhe në internet – në Tumblr, Pinterest, Instagram dhe Facebook. Ky i fundit ka një duzinë faqesh që u kushtohen aspekteve të ndryshme të kësaj estetike.
Është një prirje që ngadalë u bë estetika e vitit 2020. Njësoj si konceptet skandinave të hygge dhe friluftsliv, “cottagecore” vjen si estetikë që romanticizon kthimin drejt atributeve tradicionale baritore teksa thekson një përzierjeje të vetëmjaftueshmërisë
Në zemër të tij, “cottagecore” mbështetet me të madhe në fantazitë bashkëkohore të arratisjes, dhe afishimet në internet janë përplot me kërpudha, fustane me rrudha, beze tavolinash, shporta me lule e bukë të ardhura. Gjithçka aty rrethohet me pyje, kërmij, hoje dylli, punëdore delikate, kafshë ferme dhe një thjeshtësi e tërë fshati.
Edhe
Vogue do më pak zhurmë e më shumë identitet në trendet e modës të vitit 2026
“Është i tëri për hapësirat e jashtme, jetën e ngadaltë dhe shpesh përfshin shtëpi fshati. Është një bashkësi e ngrohtë dhe e rehatshme përplot me natyrë, që krijon vetë ushqimet, kalon kohën me kafshët apo bën piknik në natyrë”, thotë praktikuesja e kësaj estetike, Lucy Blackall, oborri i së cilës në Oxforshire ngërthen idealet e të jetuarit në fshat.
Blackall ka afishuar fotografi të periferisë angleze për më shumë se një vit në faqen e saj të Instagramit “@hercountryliving”, dhe i është bashkuar komunitetit të “cottagecore” në fillim të pandemisë. Ajo thotë të jetë kënaqur duke qenë mes njerëzve që mendonin njësoj e të cilët “duan të bëjnë gjëra, të bëjnë vetë e të bashkëndajnë modën, stilizimin e shtëpive, kopshtarinë dhe të gjitha gjërat e rehatshme”. Estetika e “cottagecore”, e cila lidhet me të gjitha estetikat e tjera nostalgjike si “faeriecore”, “farmcore” dhe “grandmacore”, ka qenë e pranishme që prej 2018-s. Megjithatë, ajo e arriti popullaritetin e vet më 2020. Mund ta merrni si shembull Tumblr, kur hastagu me #cottagecore pati një rritje përdorimi prej 153 për qind, derisa numrat e pëlqimeve në postimet me këtë lloj estetike patën një rritje të pabesueshme prej 500 për qind.
Duke i paraqitur izolimin dhe të qëndruarit në shtëpi si romantike e madje edhe si frymëzuese, a e bën trendi “cottagecore” mbylljen të duket një prospekt më pak i frikshëm? Kompania e inteligjencës artificiale nga Singapori “Quilt.AI” – që përdor këtë lloj inteligjence për të përkapur dromca nga sjellja njerëzore – së fundmi ka analizuar më shumë se 300 afishime në Instagram që kishin po këtë hashtag, dhe përfundoi se emocioni kryesor ishte kreativiteti (28 për qind), i pasuar nga afeksioni (19 për qind) dhe vetmia (10 për qind). Kjo kompani ka studiuar edhe mbi 1.5 milionë kërkime të veçanta në platformat e dy vjetëve të fundit dhe ka zbuluar një rritje prej rreth 30 për qind në kërkimet që kishin si interes rrobat me katrorë dhe ato me stil prej “mjelësve” të qumështit.
“Derisa vendet po hapeshin pas situatës me COVID-19, ne vumë re një rritje të përgjithshme të tërheqjes pas pozitivitetit dhe gëzimit. Ne pamë individë që u riktheheshin mënyrave më pak urbane të jetës”, thotë antropologu dhe bashkëthemeluesi i kësaj kompanie, Angad Chowdhry. “Ajo çfarë më intereson mua është se shkëputja është pothuajse një largim prej modernitetit konvencional urban”.
Chowdhry thotë se “cottagecore” është tregues i një dëshire për thjeshtësi dhe antimodernitet.
Edhe
Gratë që kërkojnë fuqi përmes magjisë
“Është një reaksion i kundërt i helmatisjes, katandisjes dhe jokoherencës së mise en scene sonë bashkëkohore”. Gjithashtu, analiza e Quilt. Ai ka vënë re se përderisa përdoreshin simbole tokësore si lule, gjethe, bletë e kërpudha, emocioni kryesor ishte ai i xixave që shenjëzonin magjinë dhe mrekullinë, duke e bërë të qartë se “cottagecore” ka goxha kuptim te një parajsë përrallore.
Marrë nga BBC. Përktheu: Salih Mehmeti