Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Cosmo për trashëgiminë kulturore e historike në rrezik

Flaka në katedralen mesjetare të Parisit, ngriti në këmbë gjithë botën.

Ky simbol fetar që u ndërtua në shekullin 13, e që konsiderohet kryevepër arkitekture dhe artistike, u dogj më 15 prill.

Tymi i madh që doli nga çatia e katedrales Notre Dame, ka prekur miliona njerëz, të cilët menjëherë u mblodhën për të kontribuuar, e për më pak se 48 orë për të u mblodhën më shumë se një miliard euro.

Për simbolin e Parisit, kontribut modest dha edhe Kosova.

Ky shtet i vogël vendosi që t’i dhurojë 20 mijë euro shtetit francez.

Vendimi ngjalli reagime të shumta, por për kryeministrin ishte veç një vepër e vogël për t’ia treguar miqësinë shtetit francez, raporton KTV, në magazinën e përjavshme informative Cosmo.

Një vit më herët, ishte kisha katolike e Parisit që kishte ngritur alarmin se katedralja rrezikonte të rrënohej.

E të tilla alarme ka çdo ditë në Kosovë.

Qindra objekte të trashëgimisë historike e kulturore rrezikojnë të rrënohen e shemben, shumica e tyre nga mungesa e dorës së shtetit.

Madje, Kosova rrezikon që t’i shemben para syve, kullat e rezistencës së Jasharëve në Prekaz, si historia më e re e më e dhimbshme.

“Nëse ndodh të rrënohen unë nuk do të ndihesha mirë, por përgjegjësia nuk është vetëm e imja”, ka thënë Bislim Zogaj, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.

Këto kulla nuk guxojnë ta presin edhe një dimër, prandaj po tentohet që ndërhyrja të jetë e shpejtë.

“Nuk mund të them se shteti nuk ka investuar në atë kompleks, sa herë flitet për atë kompleks, por shqetësuese është se nuk janë zgjedhur prioritetet. Kur kemi pritë 20 vjet të presim edhe dy vjet…por të bëjmë diçka të dinjitetshme…”, ka thënë Zogaj.

Përveç kësaj, edhe objektet qindravjeçare janë në të njëjtin rrezik.

Shumë objekte historike e kulturore në Kosovë mund të sjellin të tjera raste sikurse me Notre Dame, meqë asnjë nga to nuk kanë sistem të mbrojtjes nga zjarri.

Për ata që secilën ditë frymojnë për kontribuuar në mbrojtje të kësaj historie qindra vjeçare, institucionet nuk po e bëjnë as minimumin.

E kjo pamje me shtëpi të vjetra në qytetin historik të Prizrenit, mund të jetë vetëm edhe për pak kohë.

Këtë alarm e kanë dhënë organizatat që merren me ruajtjen e objekteve historike që thonë se në Prizren, shtëpi të vjetra mund të ketë vetëm edhe një vit meqë shkatërrimi i tyre e rrënimi nga vetë pronarët, po vazhdon.

Por, institucionet nuk pajtohen me përfundimin e tyre.

Ministria e Kulturës konsideron se ka mbetur e vetme në këtë mes.

Aty thonë se janë të shumta objektet që Ministria ka investuar, e shumë të tjera që janë në radhë.

Problemet më të mëdha i kanë me pronarët privatë që shpesh nuk e pranojnë ndihmën e institucioneve.

Por, çka ndodh kur një objekt qindravjeçar, ani pse nën mbrojtje të shtetit, rrënohet apo i ndërrohet pamja?

Organizata “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” thotë t’i ketë të listuara objektet që janë buzë shkatërrimit total.

“Në këtë listë janë më shumë se 150 ndërtesa që janë në rrezik të shkatërrimit total sa i përket gjendjes fizike”, ka thënë Kaltrina Thaçi, nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij- CHWB-Kosova.

E kjo, sipas Valon Xhabalit nga “Ec ma ndryshe”, është sepse i gjithë përqendrimi i institucioneve tash është te sporti, derisa ka lënë prapa interesimin për trashëgiminë.

Megjithatë diçka po tentohet të ruhet nga ajo pamje e vjetër, e kjo është rruga “Marin Barleti” në zonën historike të Prizrenit.

Fenomeni i presionit nga ana e pronarëve që kanë objekte të vjetra, është evident në të gjitha komunat.

Rasti më i fundit është ai në Gjakovë me Kullën e Sulejman Vokshit që ngjalli pakënaqësi e protesta kohë më parë në këtë komunë.

Por, institucionet premtojnë se ajo kullë do të shpronësohet nga komuna dhe nuk do të lënë të ndodhë shkatërrimi i saj.

Për të ndërmarrë masa këtu, institucionet po presin të lirohen nga presioni i mungesës së gjërave elementare për jetë, si mungesa e ujit dhe barnave.

Familjarët kanë hezituar të flasin, por kanë treguar se për këtë rast do t’i informojnë edhe ambasadat e huaja në Kosovë, vendet e të cilëve trashëgiminë historike e kulturore e kanë prioritet shtetëror.

Kësaj situate nuk i kanë shpëtuar as objektet arkeologjike.

Fatkeqësia është që shkatërrimi ndodh në mungesë të kushteve teknike, me gjithë vullnetin e faktorit njeri që t’i shpëtojë ato.

Se si është gjendja e objekteve të vjetra, zyrtarët e lartë shtetërorë mund ta shohin nga dritaret e objekteve të tyre, meqë fare afër Presidencës, Kuvendit e Qeverisë, është Xhamia e Çarshisë, objekt ky më i vjetër se 600 vjet, por që ka mbetur në mëshirën e kohës duke u bërë fole (ose strehë) për shumë dukuri negative.

Për restaurimin e këtij objekti fetar në zemër të Prishtinës para rreth një viti është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Bashkësisë Islame të Kosovës dhe organizatës turke TIKA, por punët ende nuk kanë nisur aty.

Artikuj të ngjashëm