Kulturë

“Codex” në kujtim të Maks Velos

Në shenjë kujtimi të Maks Velos, që vdiq më 7 maj 2020, KTV-ja ritransmeton intervistën që ai ia kishte dhënë gazetarit Durim Abdullahu për emisionin “Codex”, në gusht të vitit 2018.

Në këtë bashkëbisedim, sipas formatit të emisionit, Velo flet për tre libra: "Kronikë në gurë" të Ismail Kadaresë, "Rrno vetëm për me tregue" të Atë Zef Pllumit dhe romanin "Ridënimi" të Fatos Lubonjës.

Në të, Maks Velo tregon se si e kishte lexuar si dorëshkrim romanin e Kadaresë dhe se si kishte qenë ai që ia kishte propozuar titullin "Kronikë në gurë". Përmes veprës së Atë Zef Pllumit, ai flet për letërsinë e burgut si një letërsi dokumentare për krimet e komunizmit, si dhe për vetë veprat e tij të kësaj natyre.

Ndërkaq përmes romanit "Ridënimi" të ish-shokut të tij edhe të burgut, Fatos Lubonja, piktori dhe arkitekti Maks Velo flet për vitet e tij të kaluara në burg, si dhe për dënimet e krimet e komunizmit. Kjo ishte intervista e parë që Maks Velos kishte dhënë për një media të Kosovës, e mbetur dhe e vetmja e tillë.

“Codex” është platformë në të cilën figura kryesisht publike nga fusha e artit, shkencës dhe politikës përmes tre titujsh të zgjedhur nga vetë ata flasin për tema të ndryshme nga dashuria te pushteti, nga religjioni te filozofia, dhe nga historia te utopia. Emisioni transmetohet çdo të shtunë nga ora 18:00 vetëm në Kohavision.