Kulturë

“Chopin Piano Fest Prishtina” në rikthim me fuqinë e muzikës

Pianistja Tutu Aydınoğlu, nëpërmjet interpretimit të veprave të Frédéric Chopin, Franz Liszt dhe Charles-Valentin Alkan, ia mundësoi publikut që të ndiente mjeshtërinë e saj në interpretim. Pesha e koncertit merr edhe tjetër kuptim: atë të rikthimit me fuqinë e muzikës

Festivalet e muzikës janë rikthyer. “Chopin Piano Fest Prishtina” e ka hapur me këmbë të mbarë edicionin e 11-të. Nisi dekadën e dytë me pianisten Tutu Aydınoğlu e cila la publikun të mahnitur me interpretimin e saj. Dhuroi një udhëtim muzikor duke interpretuar vepra të kompozitorëve me të njohur në fillimshekullin e 19-të, Frédéric Chopin dhe Franz Liszt. Megjithatë, ani pse masat janë liruar, gjurmët e pandemisë dhe problemet e së kaluarës ishin të dukshme.

Qe drejtoresha artistike e Festivalit, Lejla Pula që rikujtoi se “Chopin Piano Fest Prishtina” nuk ishte mbajtur vitin e kaluar. Theksoi se nuk do ta kishte besuar po t’i ishte thënë në prill të 2019-s se nuk do të takoheshin deri në qershor të këtij viti.

“Një periudhë e vështirë”, ka thënë Pula gjersa u ka shprehur ngushëllim të gjithë atyre që kanë humbur familjarët e miqtë e tyre gjatë kësaj periudhe. “Ju e dini që artistët nuk mund të interpretojnë larg skenës dhe prandaj dëshira jonë e përbashkët ishte që të sjellim një festival i cili më të vërtetë do të ngjallte në skenë një emocion në mes të artistit dhe publikut, sepse vetëm ashtu mund të përjetohet një komunikim i përbashkët”, ka thënë ajo. Ka theksuar se të gjithë artistët pjesëmarrës të këtij edicioni janë shprehur të gatshëm që të vijnë në Prishtinë, ani pse siç ka theksuar ajo, u janë ofruar mundësi të shumta nga festivale e vende që kanë kushte shumë më të mira sesa ato që Festivali që ajo drejton.

Megjithatë, sipas saj me e rëndësishme mbetet muzika dhe ka treguar se stafi organizativ ka bërë me të mirën që edhe Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Qendrore Universitare, t’i japin ndjesinë e një salle.

“Sonte kemi artisten Tutu Aydınoğlu e cila me të vërtetë e ka një program të mrekullueshëm të kompozitorëve virtuozë. Një turke e cila na sjell frymën pianistike parisiene midis Prishtinës”, ka thënë Pula.

“Sonte jemi këtu për t’u kënaqur me muzikë”, ka thënë drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha. Ajo nuk ka ngurruar të potencojë se sfidat kanë qenë të shumta, mes tyre kryesorja mbetet mungesa e sallës koncertale.

“Fatkeqësisht këtë sallë të cilën e kemi hapur për herë të parë para 5-6 vjetëve, po e gjejmë në një gjendje edhe më të keqe se atëherë, pa drita e pa gjëra elementare që duhet të ketë një ambient për takime publike, e lëre më për takime të kësaj natyre”, ka thënë ajo gjersa ka falënderuar të gjithë ata që i kanë mbështetur.

Image

“Chopin Piano Fest Prishtina” me pianisten Tutu Aydınoğlu e cila la publikun të mahnitur me interpretimin e saj. Dhuroi një udhëtim muzikor duke interpretuar vepra të kompozitorëve me të njohur në fillimshekullin e 19-të


Edhe pianistes Tutu Aydınoğlu, njëlloj si “Chopin Piano Fest Prishtinës”, i ka munguar kontakti me publikun dhe mbrëmjet ku fjalën kryesore e ka muzika. E nisi mbrëmjen me “Sonatën nr.2, Op.35” të Frédéric Chopinit. Vepra të cilën polaku e kishte kompozuar gjatë kohës kur jetonte në Paris, është në mesin e tri sonatave me të rëndësishme të tij si dhe konsiderohet një nga sonatat me të mira në literaturën pianistike. I vendosur në kryeqytetin francez në shtator të vitit 1831, ai arriti që të bëhej një ndër kompozitorët më me nam.

Më pas, pianistja solli veprën “Paraphrase de la Marche pour Sa Majesté le Sultan Abdul Médjid-Khan” të kompozitorit hungarez Franz Liszt. Rrëfimi i kësaj vepre nis në fakt me kompozitorin italian, Giuseppe Donizetti. Ai, pasi që kishte shfaqur interesim të madh për Turqinë kishte vendosur që të zhvendoset në Stamboll. E bëri këtë në vitin 1828 kur edhe mori titullin Pasha dhe themeloi orkestrën “Mizikay-i Hümayun”. Ndërkohë, kompozoi edhe “The Grande Marche” për kurorëzimin e Sultan Abdülmecid-Khan në vitin 1839, dhe për disa dekada ajo vepër ishte himni i Perandorisë Osmane. Liszt kompozoi versionin e tij kur e vizitoi Stambollin dhe u dekorua nga sulltani në vitin 1847. Atë version e interpretoi edhe pianistja nga Azerbajxhani, por që jeton dhe vepron në Turqi.

Aydınoğlu e vazhdoi mbrëmjen me kompozitorin francez Charles-Valentin Alkan. Solli veprën “Le Festin d’Esope” Op.39 Nr.12. Në majën e suksesit të tij gjatë periudhës 1830-1840 ai bashkë me miqtë dhe kolegët e tij Frédéric Chopin dhe Franz Liszt, ishin në mesin e pianistëve me virtuozë në Paris. Përmes interpretimit të këtyre veprave, Aydınoğlu, ia mundësoi publikut që të ndiente perfeksionizmin e saj në interpretim, duke i bindur se ajo do të kujtohet si një pianiste virtuoze e këtij shekulli.

“Kontakti me njerëzit është ndjenjë e mrekullueshme. Të performosh në skenë është një ndjenjë e mrekullueshme veçanërisht kur kalon nga koncerti online në atë fizik. Është diçka e jashtëzakonshme. Je duke performuar dhe i dëgjon gjithë ato duartrokitje dhe pastaj të vjen ajo ndjenja kur i gjithë trupi të rrëqethet”, ka thënë Aydınoğlu.

Ajo nisi që të luante piano kur ishte 6-vjecare dhe tani është mësimdhënëse në “Istambul Universitu State Conservatory”. Është përfaqësuese e shkollës pianistike të profesoreshës së nderuar turke me prejardhje nga Shkupi, prof. Meral Yapali dhe Shkollës pianistike të Azerbajxhanit. Në Kosovë pati ardhur edhe në vitit 2019, si pjesë e jurisë në garën e muzikantëve të rinj “ArsKosova” që organizohet nga Fondacionin “ArsKosova”.

Image

Lejla Pula, drejtoreshë artistike e “Chopin Piano Fest Prishtina” dhe drejtoresha organizative, Besa Luzha, në hapje të edicionit të 11-të


Violinistja Sihana Badivuku ka thënë se edicioni i sivjetmë është impozant si nga organizimi ashtu dhe përzgjedhja e artistëve që do të perfomojnë në 15 mbrëmjet koncertale.

“I përgëzoj koleget e mia të dashura, Lejlën dhe Besën, për vullnetin dhe energjinë për ta rikthyer aq fuqishëm jetën koncertale në Kosovë mbas ngrirjes totale të jetës koncertale në Kosovë e botë në këtë kohë pandemie”, ka thënë ajo. Ka shtuar se ishte e lumtur që soliste e natës së parë ishte pianistja koncertante Tutu Aydınoğlu, të cilën e ka edhe kolege dhe bashkëpunon me të që nga vitit 2016.

“Mbrëmë Tutu shkëlqeu me temperament, ekspresivitet, subtilitet dhe teknikë brilante në sonatën e F. Chopin, Liszt dhe Alkan”, ka thënë Badivuku.

Për sopranon Besa Llugiqi, nata e parë e edicionit të sivjetmë të “Chopin Piano Fest Prishtina” ishte një mbrëmje jashtëzakonisht e bukur.

“Na kishte munguar shumë festivali dhe organizatorët ishin kujdesur në detaje që skena të duket bukur e që të krijohet një atmosferë që na kishte munguar deri më tani. Mund të them se interpretimi i pianistes ishte jashtëzakonisht i mirë dhe një program i vështirë, por i bukur në interpretim. Mezi po presim për artistët e tjerë, në mënyrë që të shijojmë mbrëmje të tilla muzikore që na kishin munguar deri më tani”, ka thënë ajo.

Në mbrëmjen e radhës të “Chopin Piano Fest Prishtina” më 7 qershor, pritet të interpretojë pianisti Stephan Möller. Koncerti do të nisë në orën 19:00 dhe mbahet në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qendrore Universitare.