Si çdo vit, edhe në këtë edicion festivali “Chopin Piano Fest” është duke pasur në fokus studentët, veçanërisht pianistët e rinj. Organizatorët e Festivalit kanë hapur audicionin për “Çmimin Special” të Festivalit. Të drejtë për pjesëmarrje në audicion kanë studentët e pianos të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe nxënësit e pianos nga shkollat e muzikës në vend e që janë fitues të çmimeve në gara paraprake. Çmimi i ndahet vetëm një personi dhe si mision ka identifikim e talentëve të rinj në vend.
Audicionet do të mbahen më 28 qershor duke filluar nga ora 12:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. Aty janë duke u mbajtur të gjitha koncertet në kuadër të edicionit të sivjetmë, që nisi më 31 maj e do të përfundojë më 30 qershor.
Ky çmim ndahet nga Festivali me mbështetjen e dr. Herbert Groeger nga “Bad Honnef”, Salzburg, në bashkëpunim me pianisten e njohur shqiptare Ardita Statovci, e cila ishte iniciatore për organizimin e këtij çmimi special qysh prej vitit 2017.
Pjesëmarrësit duhet të kenë të përgatitur një program në kohëzgjatje prej 60 minutash, në rast se do të përzgjidhen si fitues. E në audicionin përzgjedhës, kandidatët duhet të performojnë një program prej 45 minutash, duke përfshirë një vepër obliguese të Beethoven-it (përveç sonatave e variacioneve, mund të luhen edhe vepra të tjera më të shkurtra nga ky kompozitor) ose një vepër nga R. Schuman. Pjesa tjetër e repertorit është e lirë.
Kurse sipas njoftimit të publikuar nga “Chopin Piano Fest”, inkurajohen kandidatët që në program të përfshijnë një pjesë nga kompozitorët shqiptarë. Programi, sipas rregullave të vendosura nga Festivali, në audicion luhet përmendësh.
“Paraprakisht, deri më datën 20 qershor 2021, të interesuarit duhet të aplikojnë duke u dërguar organizatorëve në emailin [email protected], program-propozimin e recitalit (në formë të shkruar, komplet programin në kohëzgjatje prej 60 minutash dhe një pjesë për bis (encore) të cilin kandidati fitues do ta luante në Bonn në rast se shpallet fitues”, është shkruar në njoftimin e publikuar nga Festivali.
Kandidatët që nuk aplikojnë me programin e shkruar dhe me detajet përkatëse deri më datën 20 të këtij muaji nuk do të mund të luajnë në audicion. Po ashtu, në njoftim është bërë e ditur se kandidatët fitues të edicioneve paraprake të “Çmimit Special” të “Chopin Piano Fest-it” nuk do të kenë të drejtë për të garuar.
Aty është bërë e ditur se në këtë edicion “Çmimi Special” ashtu si dhe herëve të kaluara përfshin një koncert recital në vendet gjermanofone, Gjermani ose Austri gjatë sezonit 2021-2022, masterklasë, vizitë në vendet historike me rëndësi muzikore historike në një prej qyteteve në vendet gjermanofone, njohje me kulturën e këtij rajoni gjersa të gjitha shpenzimet janë të mbuluara nga sponsori i “Çmimit Special”.
Drejtoresha organizative e “Chopin Piano Fest”, Besa Luzha, ka thënë se kjo është një mundësi fantastike në etablimin e karrierës së një pianisti apo pianisteje.
“Kjo është një mundësi e rrallë dhe e shkëlqyeshme për pianistët e rinj e të talentuar”, ka thënë ajo.
Në vitin 2017 fituese e këtij çmimi ishte pianistja Fortesa Jusufi, pastaj në vitin 2018 “Çmimin Special” e fitoi Anila Aliu e në vitin 2019 atë e mori Andi Duraku. Vitin e kaluar ky çmim nuk u nda, pasi që “Chopin Piano Fest” nuk u mbajt për shkak të pandemisë.
Festivali edhe këtë vit, për edicionin e 11-të, është duke u kushtuar rëndësi të veçantë pianistëve të rinj duke u ofruar ligjërata e masterklasë me mysafirët që po i sjell. Po ashtu, do të ketë një seri koncertesh ku do të prezantohen talentët e rinj, që nga fëmijët e 8 shkollave të muzikës (më 20 qershor) dhe disa mbrëmje tematike me muzikantë të rinj (Mbrëmja për nder të Beethoven 23 qershor), Mbrëmja romantike (24 qershor), Mbrëmje e solistëve të rinj (25 qershor) dhe Skena Juvenis(26 qershor).
Koncerti i radhës i “Chopin Piano Fest-it” do të mbahet të hënë (sot) me këngëtarët nga Shqipëria, Marjana Lekaj dhe Armaldo Kllogjeri, të shoqëruar nga pianistja Lejla Pula.