Një e katërta e xhamit të Çezmës afër Teatrit Kombëtar të Kosovës është e spiruar, e vegjetacioni që ka kapluar zbulimin arkeologjik është muhabet në vete. Koha kur mbushen tre vjet që nga krisja e xhamit po ashtu do të jetë përvjetor i zotimeve të institucioneve që gjendja do të përmirësohet. Pos një projekti të gatshëm dhe disa shkresave me Agjencinë Turke për Zhvillim dhe Rindërtim, TIKA, nuk është bërë ndonjë hap tjetër
Në korrik bëhen fiks tre vjet prej kur monumenti në qendër të kryeqytetit nuk është plotësisht i qasshëm për kalimtarë. Një e katërta e xhamit të Çezmës afër Teatrit Kombëtar të Kosovës është e spiruar, e vegjetacioni që ka kapluar zbulimin arkeologjik është muhabet në vete. Koha kur mbushen tre vjet që nga krisja e xhamit po ashtu do të jetë përvjetor i zotimeve të institucioneve që gjendja do të përmirësohet. Pos një projekti të gatshëm dhe disa shkresave me Agjencinë Turke për Zhvillim dhe Rindërtim, TIKA, nuk është bërë ndonjë hap tjetër. Një problem i ngjashëm ishte riparuar nga TIKA, pasi kjo agjenci edhe e ka vendosur xhamin mbi këtë çezmë.
Një premtim i TIKA-s e ka mbajtur peng për më shumë se një vit çezmën dyshekullore.
Asokohe, zyrtarët e Ministrisë së Kulturës kishin thënë se janë në pritje të ndërhyrjes nga agjencia turke. E, prej prillit të vitit 2019, nuk i është përgjigjur as MKRS-së për këtë çështje. Të kota kanë qenë përpjekjet e disahershme të KOHËS për të marrë përgjigje nga TIKA sa i përket kësaj çështjeje.
Qysh prej tetorit të vitit të kaluar, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë e ka të gatshëm projektin për ndërhyrje emergjente në këtë monument.
“Ministria e Kulturës dhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve mund t’ju informojnë rreth implementimit të projektit të intervenimit emergjent, të cilin e kanë hartuar zyrtarët e QRKT-së”, ka thënë të dielën Edona Gashi–Derguti, drejtoreshë e QRKT-së së Prishtinës.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, është frekuentues i shpeshtë i një kafehaneje ngjitur me monumentin. Si deputet, para se ta merrte pozitën e ministrit të Kulturës në mars të këtij viti, ishte interesuar goxha për çezmën. Kurse të dielën, Çeku nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës.
Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, në gusht të vitit të kaluar, kishte bërë të ditur se institucionet do të veprojnë “sa më parë që të jetë e mundur”.
“Edhe vitin e kaluar e kemi aktualizuar këtë çështje. Po ashtu kemi pritur përgjigje prej TIKA-s, më shumë sa i përket qelqit, meqë të tillë nuk ka pasur në Kosovë”, kishte thënë Aliu, e cila kishte shtuar se TIKA nuk u është përgjigjur kërkesave të përsëritura të Ministrisë.
“Për këtë arsye na mbetet të ndërmarrim vetë veprime. Do të ndërhyjmë sa më parë që të jetë e mundur”, kishte shtuar ajo. Të njëjtën gjë e kishte thënë edhe në prill të vitit 2019.
Zbulimi i çezmës së gurtë ishte bërë krejt rastësisht në vjeshtë të vitit 2012, teksa ekskavatorët po kryenin punime për rregullimin e hapësirës para TKK-së.
Niveli lokal e ai qendror i pushtetit ishin përplasur vazhdimisht për vlerat që thuhej se kishte objekti i sapozbuluar.
Ministria e Kulturës ishte acaruar me veprimin e Komunës së Prishtinës për mbulimin me zhavorr.
Vlora Dumoshi, asokohe drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, e kishte arsyetuar mbulimin me zhavorr si mbrojtje e çezmës nga dridhjet që i shkaktonte makineria e rëndë që po punonte në rregullimin e sheshit.
Pas disa muajsh përplasje në relacionin ministri–komunë, ishte vendosur që Instituti i Mbrojtjes së Monumenteve në Prishtinë, tash Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në kryeqytet, të konservonte çezmën në një projekt që ishte paraparë të kushtonte 15 mijë euro.
Por, punimet do të fillonin vetëm në prill të vitit 2014, kur ministria e udhëhequr asokohe nga Memli Krasniqi i dha leje projektit të TIKA-s për restaurimin dhe konservimin e çezmës.
Në kuadër të projektit në vlerë prej rreth 20 mijë eurosh, bashkë me ndriçimin dhe ventilimin, sipër çezmës ishte vënë një xham pesështresor, që ishte paraparë t’i rezistonte ecjes së kalimtarëve. Ishte prodhuar enkas në Turqi, sipas specifikave të lokacionit të çezmës.
Por, ky xham nuk do të qëndronte më shumë se katër muaj, derisa u thye më 2015. Asokohe, TIKA sërish kishte porositur një xham të ri.
Histori në vete kishte qenë edhe ajo me disa gurë të gjetur te çezma para teatrit, të cilët kishin përfunduar në zyrën e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës.
MKRS u ishte kërkuar një raport Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore–Prishtinë dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës se pse këta gurë nuk ishin dërguar në Muzeun e Kosovës, siç kishte qenë rekomandimi.
Gjithashtu, kjo ministri kishte alarmuar se pllaka ballore e çezmës ishte dëmtuar në rrethana të panjohura gjatë natës dhe më pas pjesa më e madhe e saj nuk ishte gjetur.
Sipas databazës së trashëgimisë kulturore – faqe e menaxhuar nga MKRS-ja – “Çezma në sheshin ‘Dr. Ibrahim Rugova’” është përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme me numrin unik 003591.
Sipas shënimeve zyrtare, çezma me formë drejtkëndëshe është e murosur me gurë të formësuar të lidhur me llaç gëlqeror të bardhë. Në pjesën jugperëndimore të saj ngrihet govata si pjesë përbërëse e çezmës.
“Govata është e ngritur me pllaka gurësh të varreve të ripërdorura (spoli), disa prej të cilave ruajnë mbishkrime epitafesh të shkruara në alfabetin arab. Pllaka qendrore e govatës është katrore dhe ka brinjë të theksuar me gravim në formë të vijës zigzage në mes, me një motiv bimor, prej mesit të së cilës del uji”, thuhet në databazën e trashëgimisë kulturore.
Datimi i çezmës ishte vështirësuar për shkak të gjymtimit të objektit dhe shkatërrimit të shtresave kulturore gjatë ndërtimeve në vitet ‘50 të shekullit të kaluar.
Por, në bazë të llaçit të çimentos, ekspertët besojnë se kroi është ngritur në gjysmën e parë të shekullit XIX, si një nga dhjetëra krojet publike të qytetit të Prishtinës.
