Betim Krasniqi, trombonist, profesor i trombonit dhe muzikës kamertale në Fakultetin e Arteve, Departamenti i Muzikës. Trombonist-udhëheqës në Orkestrën Simfonike të Filarmonisë së Kosovës dhe në Orkestrën Frymore të Forcës së Sigurisë - FSK.
Një kohë të gjatë ka qenë trombonist në Orkestrën “Big Band” të Radio Televizionit të Kosovës. Në vitin 2006 hap degën e trombonit në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, ku punoi deri në vitin 2013.
Bashkëthemelues i festivalit ndërkombëtar të muzikës “Kosova Brass” dhe i formacioneve të para me instrumente të tunxhit në Kosovë. Mbi 60 koncerte, performanca e aktivitete të ndryshme artistike muzikore si solist dhe me ansamble të ndryshme në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Turqi, Gjermani, Itali, Angli, ShBA.
Krasniqi është personazh i kësaj jave që rrëfehet në rubrikën e përjavshme “7 Shkronjat” në “E diela e Koha Ditore”.
Instrumentet e tunxhit janë instrumente muzikore frymore të ndërtuara nga materiali që quhet tunxh, kombinim mes bakrit dhe zinkut (brass në anglisht). Instrumentet kryesore të tunxhit janë: trumpeta, korno, tromboni dhe tuba, por ka edhe shumë instrumente të tjera që janë variante të ndryshme të këtyre që i përmendëm më lart, si fligelhorn, eufonium, cimbaso e bariton etj. Instrumentet e tunxhit përdoren pothuajse në të gjitha zhanret e muzikës, nga ajo klasike, jazz, rock, popullore etj... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)