Kulturë

Çarshia e Vjetër e Pejës “zgjerohet” me 25 hektarë nën mbrojtje

Çarshia e Vjetër e Pejës kishte bërthamë nën mbrojtje prej 3.32 hektarësh dhe zonë kalimtare prej 1.6 hektarësh. Në Plan të Menaxhimit nuk jepen arsye se përse sipërfaqja e mbrojtur ka kaluar 25 hektarë

Çarshia e Vjetër e Pejës kishte bërthamë nën mbrojtje prej 3.32 hektarësh dhe zonë kalimtare prej 1.6 hektarësh. Në Plan të Menaxhimit nuk jepen arsye se përse sipërfaqja e mbrojtur ka kaluar 25 hektarë

Me synimet për ta fuqizuar si atraksion të qëndrueshëm turistik, Çarshia e Vjetër e Pejës e bërë me Plan Menaxhimi dhe një prej pikave kryesore është zgjerimi i zonës së mbrojtur. Ajo gati është tetëfishuar prej 3.32 sa është perimetri, kur i shtohet edhe zona e mbrojtur, sipërfaqja nën mbrojtje shkon në 25.34 hektarë. Sipas disa hartuesve, kjo ka qenë kërkesë direkte e Ministrisë së Kulturës

Çarshia e Vjetër e Pejës, që gjendet në zemër të qytetit, me Plan Menaxhimi ka zonë të mbrojtur prej 25.34 hektarësh. Zgjerimi i zonës së mbrojtur në këtë masë është bërë shkaku i Çarshisë që ka perimetër 3.32 hektarësh. Me Planin e Menaxhimit, i cili është publikuar në Gazetën Zyrtare të shtetit më 31 dhjetor të vitit të kaluar, përgjegjësia institucionale është shtuar në masë të madhe shkaku i sipërfaqes së madhe që është nën mbrojtje, më shumë se shtatëfish sesa perimetri i Çarshisë.

Pani i menaxhimit i hartuar me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë fillimisht jep një historik të Pejës. Sipas Planit, Peja fillimisht përmendet në veprën “Gheographia” të gjeografit dhe astronomit grek, Klaudio Ptolemeu (87-150 pas Krishtit), si “Siparantum”. Sipas Planit, gjatë periudhës bizantine, emri i Pejës përmendet nga historiani i njohur bizantin Prokopi  si “Pentza” dhe ky emërtim u zhvillua më tej, duke u transformuar në “Pek” dhe në një evolucion të vazhdueshëm gjuhësor u bë “Pekia” dhe më në fund “Peja”.

“Ndër vlerat identitare të qytetit të Pejës pa dyshim është Çarshia e Vjetër, si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore që reflekton thelbin historik të tregtisë, arkitekturës unike dhe jetës sociale të qytetit. Gjatë shekujve, ajo ka shërbyer si një qendër për zhvillimin e zejtarisë, tregtisë dhe ekonomisë lokale, ndaj edhe sot mbetet një hapësirë e gjallë që ruan funksionin dhe rëndësinë e saj historike”, shkruhet në Planin e Menaxhimit të hartuar kryesisht nga zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Pejës. Sipas këtij dokumenti, që do të shërbejë për dhjetë vjet, ndonëse kjo zonë tregtare përmendet në dokumentet më të hershme, struktura dhe zhvillimi i saj i mirëfilltë urban mendohet të kenë filluar me ndërtimin e Bajrakli Xhamisë, ndër monumentet më të hershme të ndërtuara në periudhën osmane në këtë rajon, e ndërtuar nga Sulltan Mehmeti II gjatë viteve 1451-1481. Sipas Planit, gjatë shekujve, dyqane të ndryshme u ndërtuan rreth Bajrakli Xhamisë, duke krijuar një kompleks urbano-arkitektonik që pasqyronte zejet e kohës dhe prodhimet e zejtarëve. Ndër vite Çarshia kishte pësuar shumë, sidomos në luftën e fundit më 1998-1999. Paraprakisht si zonë me potencial historik ishte kategorizuar më 1955.

“Çarshisë së Vjetër, në vitin 1955, i caktohen kufijtë dhe ajo evidentohet si tërësi urbanistike, ndërsa me vendimin nr. 02-50/1970 shpallet monument nën mbrojtjen e shtetit. Kjo tërësi urbanistike karakterizohet nga ndërtesat që nuk ishin frymëzuar nga monumentet madhështore apo ambiciet e donatorëve feudalë; përkundrazi, ajo veçohet nga krijimtaria e mjeshtërve vendorë, të cilët përdornin imagjinatën e tyre për të krijuar një arkitekturë fisnike, që përfaqëson një shprehje unike arkitektonike”, shkruhet në Plan. Por asokohe kishte bërthamë nën mbrojtje prej 3.32 hektarësh dhe zonë kalimtare prej 1.6 hektarësh. Në Plan të Menaxhimit nuk jepen arsye se përse sipërfaqja e mbrojtur ka kaluar 25 hektarë.

Ndër vlerat identitare të qytetit të Pejës pa dyshim është Çarshia e Vjetër, si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore që reflekton thelbin historik të tregtisë, arkitekturës unike dhe jetës sociale të qytetit. Gjatë shekujve, ajo ka shërbyer si një qendër për zhvillimin e zejtarisë, tregtisë dhe ekonomisë lokale, ndaj edhe sot mbetet një hapësirë e gjallë që ruan funksionin dhe rëndësinë e saj historike

KOHA ka kontaktuar disa nga hartuesit e Planit, por nuk kanë dashur të flasin publikisht. Edhe me arsyetimin se zgjerimi i sipërfaqes së mbrojtur s’ka qenë vullnet i grupit hartues, por kërkesë direkte e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

“Nuk ka logjikë që duke zgjeruar sipërfaqen e mbrojtur mund të bëhet mbrojtje më e mirë për Çarshinë”, ka thënë një prej hartuesve.

“Meqë kompleksi i Çarshisë së Vjetër në Pejë pothuajse në tërësi ishte plaçkitur, djegur dhe rrënuar, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës (IKMM) në Prishtinë, në vitin 2004 realizoi studimin e projektit për rigjenerimin e saj, me ç’rast u trajtuan 234 lokale, ndërsa 19 u larguan. Falë përkushtimit të institucioneve qendrore dhe lokale, si dhe të pronarëve të dyqaneve, Çarshia, brenda një periudhe të shkurtër, është rimëkëmbur pjesërisht dhe, si e tillë, vazhdon të funksionojë. Vlen të theksohet se një segment i aksit kryesor (Zona A) i Çarshisë ka trajtë të rregullt urbane”, shkruhet në Plan. Sipas këtij dokumenti, Çarshia mund të konsiderohet edhe si një muze i hapur, meqë është e pasuruar me larmi të ndërtimeve dhe dekorime karakteristike të mjeshtërve shqiptarë, të cilat pasqyrojnë mjeshtërinë artizanale dhe artin popullor. Me këtë dokument etazhiteti i ndërtimeve të reja në sipërfaqen e mbrojtur nuk shkon përtej P+2.

Me Plan të Menaxhimit është propozuar edhe krijimi i Njësisë menaxhuese dhe në kuadër të saj të veprojë edhe një strukturë menaxhuese me staf profesional, administrativ dhe teknik, e cila do të jetë në funksion të drejtpërdrejtë të menaxhimit të të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me Çarshinë e Vjetër të Pejës.

“Menaxheri i Njësisë Menaxhuese të ÇVP-së menaxhon sipas detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara nga MKRS-ja, harton planin vjetor të punës dhe raporton në baza mujore dhe vjetore”, shkruhet në Plan. Menaxheri do të ketë përgjegjësi të bëjë mbikëqyrjen ditore të aktiviteteve brenda kufijve të tërësisë urbanistike, të vërë koordinimin e aktiviteteve ndërmjet QRTK-së–  Pejë, Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe institucioneve të tjera, organizimin e aktiviteteve të promovimit dhe interpretimit, zbatimin e aktiviteteve të Planit të Veprimit, ku parashihet që Zyra e Menaxhimit dhe Turizmit të jetë organi zbatues, si dhe disa detyra të tjera, përfshirë raportimin te Këshilli për Planin e Menaxhimit të Çarshisë së Vjetër të Pejës.

Plani i Menaxhimit adreson edhe shumë nevoja.

“Gjendja e përgjithshme e infrastrukturës teknike në Çarshinë e Vjetër të Pejës është e dobët dhe kërkon përmirësime të menjëhershme për të mbajtur dhe përmirësuar funksionalitetin e saj. Shumë prej rrugëve kryesore që lidhin pjesët e Çarshisë janë të dëmtuara duke krijuar vështirësi për lëvizjen e vizitorëve dhe për aktivitetet e përditshme të qytetarëve”, shkruhet në dokument.

Aty shkruhet se pllakat e vendosura kanë pësuar dëmtime të shkaktuara nga qarkullimi i mjeteve të rënda dhe gjatë stinës së dimrit ato bëhen të rrezikshme, pasi rrezikojnë rrëshqitjen, çka përbën një kërcënim për kalimtarët dhe banorët.

“Kabllot elektrike janë të vendosura në mënyrë të parregullt dhe shumë prej tyre janë amortizuar, duke krijuar rreziqe për sigurinë. Kjo kërkon që të bëhet instalimi nën tokë i rrjetit elektrik, për të siguruar një infrastrukturë më të sigurt dhe më të qëndrueshme. Rrjeti elektrik është gjithashtu një sfidë, pasi ndriçimi publik është i pamjaftueshëm dhe nuk është uniform në të gjithë zonën. Shumë pjesë të Çarshisë, përfshirë rrugët dhe sheshet, janë të pasigurta për vizitorët gjatë natës, për shkak të mungesës së ndriçimit të duhur”, shkruhet në Plan. Pjesë të tjera të rrjetit elektrik, sipas dokumentit, janë amortizuar dhe kërkojnë përmirësime urgjente. Përmirësimi i infrastrukturës është thelbësor për ruajtjen dhe zhvillimin e ÇVP-së, duke siguruar që ky vend i pasur me trashëgimi kulturore të mund të ofrojë kushte më të mira për banorët dhe vizitorët, si dhe të mund të shfrytëzohet si një atraksion turistik i qëndrueshëm.