Kulturë

Bombardimet rrezikojnë trashëgiminë botërore në Liban

Gjatë fundjavës, imazhet në mediat sociale shfaqën re tymi prapa kolonave monumentale të Tempullit të Jupiterit në Baalbek

Gjatë fundjavës, imazhet në mediat sociale shfaqën re tymi prapa kolonave monumentale të Tempullit të Jupiterit në Baalbek

Ministri i Kulturës në Liban, Mohammad Mortada, ka bërë thirrje për veprim ndërkombëtar pasi një sulm ajror izraelit goditi zonën pranë qytetit verior Baalbek, ku gjendet një trinom tempujsh romakë dhe një monument i trashëgimisë botërore i mbrojtur nga UNESCO-ja. Mediat lokale raportuan se bombat ranë vetëm 500 metra larg rrënojave të tempujve.

Mortada ka konfirmuar për “New Arab” se monumentet nuk janë dëmtuar por ka theksuar se bombardimet ajrore po vazhdojnë dhe rreziku po rritet. 

Ai ka shtuar se e udhëzoi të dërguarin libanez në UNESCO për ta komunikuar urgjencën e situatës. “UNESCO-ja është përgjegjëse e këtyre vendeve dhe ne i kemi kërkuar misionit tonë të informojë OKB-në dhe Këshillin e Sigurimit për të kërkuar nga Izraeli t’i respektojë ligjet ndërkombëtare dhe të mos e dëmtojë trashëgiminë tonë”, ka thënë ai.

Gjatë fundjavës, imazhet në mediat sociale paraqitën re tymi prapa kolonave monumentale të Tempullit të Jupiterit në Baalbek.

Céline Semaan, themeluesja e “Slow Factory”, një organizatë jofitimprurëse e artit dhe e dedikuar për të drejtat e njeriut, shpërndau një imazh të Baalbek në “Instagram”, duke shkruar: “Si po lejojmë që trashëgimia jonë të digjet në flakë ndërsa fshijnë zërat dhe praninë tonë nga çdo vend i vetëm në të ashtuquajturën botë të qytetëruar?” 

Qyteti mbi 10 mijë vjet i vjetër, Baalbek është shtëpia e një treshe tempujsh kushtuar hyjnive romake Jupiter, Venus dhe Merkur. Strukturat e kolonave u ndërtuan gjatë më shumë se dy shekujve dhe shërbyen gjatë asaj periudhe si një vend i shenjtë popullor dhe vend pelegrinazhi fetar.

“Baalbek, me strukturat e tij, është një nga shembujt më të mirë të arkitekturës romake perandorake në kulmin e saj”, ka vlerësuar UNESCO-ja. Kjo organizatë e OKB-së mbron në Liban gjashtë vende të trashëgimisë botërore. 

Agresioni ushtarak në Liban është, pjesërisht, një zgjerim i luftës së Izraelit në Gazë. Më shumë se 41 mijë veta kanë vdekur në Gazë brenda një viti. E monumente të shumta kulturore në Palestinë gjithashtu janë duke pësuar dëme ose shkatërrim i plotë. Kisha e Shën Porfirit në Gazë, që mendohet të jetë kisha e tretë më e vjetër në botë, është goditur dy herë nga raketat izraelite. Në maj, një raport nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim vlerësoi se 341 xhami ishin shkatërruar. (Art News)