Ka kohë që digjitalizimi është i domosdoshëm për të qenë më afër lexuesve, e Biblioteka Kombëtare e Kosovës, me gjithë sfidat, e ka vënë në prioritet një projekt të tillë. Në kuadër të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”, të enjten drejtori i shërbimeve digjitale në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, Trevor Owens, ka prezantuar projektin “Biblioteka digjitale dhe shërbimet”, i cili është udhëzues për digjitalizimin e fondit të bibliotekës më të madhe në vend
Në kohën kur digjitalizimi në botë po depërton me shpejtësi, këta hapa synon t’i përshpejtojë edhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Drejtori i saj, Fazli Gajraku, ka thënë se për gati katër vjet stafi i Bibliotekës po punon në skanimin e materialeve, proces i cili ngec për shkak të mungesë së stafit dhe të pajisjeve. Ato më pas mbesin të arkivuara pasi mungon një platformë digjitale për t’i publikuar. Hartimi i projektit dhe propozimet për hapat që janë të nevojshëm për t’u bërë janë punë e kryer, por duhet mbështetje financiare për realizim.
Drejtori i shërbimeve digjitale në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, Trevor Owens, ka prezantuar projektin “Biblioteka digjitale dhe shërbimet”. Paraprakisht kishte punuar për tri javë me stafin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në trajnimin për hapat e mëtutjeshëm që do të merren pas hartimit të projektit. Ata janë udhëzuar në përgatitjen e librave, të bëjnë katalogët dhe publikimin e tyre. Bashkë me ekipin ka punuar edhe për të hartuar projekt-propozimin për krijimin e këtyre shërbimeve digjitale. Nëpërmjet një videolidhjeje është shprehur i lumtur për mundësinë për të punuar me stafin e Bibliotekës nga ku ka thënë se ka mësuar për punën e madhe që bëhet aty.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuohapa konkretë do të bëhen në muajt vijues, pas dy-tre muajsh, derisa ajo që është konceptuar si projekt i finalizuar dhe i realizuar mbi kondiktat e projektit që është hartuar me ekspertizë të Owens besoj që na çon tek gjashtëmujori i vitit të ardhshëm për të parë konkretisht se si ka rrjedhur i gjithë procesi”, ka thënë drejtori i BKK-së, Gajraku.
Përvoja e gjatë e Owensit në fushën e digjitalizimit ka sjellë para të pranishmëve raportin e detajuar me rekomandime të programit, qëllimet strategjike, planin për zbatim e për personelin e nevojshëm për bibliotekën digjitale.
“Gjëja kryesore fokusohet në mundësimin e qasjes për përdorimin dhe hulumtimin e burimeve të ndryshme të multimedias që fokusohen edhe në kulturën historike dhe moderne dhe në gjuhë po ashtu. Ideja është që programi mund të shërbejë edhe për njerëzit në Kosovë dhe diasporën e Kosovës. Po ashtu mund të ndihmojë edhe në gjeneratat mes komuniteteve”, ka përmendur Owens rekomandimet e programit përmes një videolidhjeje.
Ky projekt është prezantuar në kuadër të aktiviteteve të ditës së katërt të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”.
Nga autori i tij është thënë se modeli i programit është krijimi i partneritetit, mbledhja e materialeve dhe sigurimi i të drejtave, pranimi dhe përpunimi i materialeve dhe pastaj promovimi i qasjes për përdorimin e materialeve. Trevor Owrns kishte filluar të punonte në Qendrën e Historisë dhe Mediave të reja e më pas në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në vitin 2010, ku kishte filluar si botues në bibliotekën e saj digjitale. Më pas kishte kaluar në Institutin për Shërbime të Bibliotekave në ShBA, ndërsa aktualisht është drejtor i shërbimeve digjitale në Bibliotekën e Kongresit.
Ka identifikuar edhe qëllimet strategjike e që e para e punës ka thënë se është qasja e hapur globale për rrëfimet dhe kulturën në Kosovë. Sipas tij, ideja është që përmes digjitalizimit të ndihmohet fuqizimi i lidhjeve ndërmjet njerëzve përtej regjioneve e gjeneratave, gjë që thellon më shumë këto lidhje. Owens ka vlerësuar se ofrimi i burimeve të pasura dhe të hapura në drejtim të kësaj mundet po ashtu të promovojë turizmin dhe eksplorimin e vendit. Qëllimi tjetër strategjik, sipas Travor Owens, fokusohet në mundësitë që studentët dhe kategori të tjera të zhvillojnë aftësitë dhe të marrin pjesë në komunitetin ndërkombëtar të trashëgimisë kulturore.
Sipas drejtorit të shërbimeve digjitale në Kongresin e ShBA-së, kjo strategji fokusohet në llojet e materialeve për koleksionet digjitale.
“Kemi koleksionet historike të digjitalizuara nga Biblioteka Kombëtare, pastaj materialet e digjitalizuara nga libraritë, arkivat dhe muzetë në Kosovë, regjistrimet me video të programeve bashkëkohore kulturore dhe ngjarjeve, pastaj regjistrimet e jetës moderne në Kosovë dhe diasporë, qasje e hapur e librave në Kosovë dhe gjithashtu edhe arkivi në internet dhe faqet kryesore relevante për Kosovën”, ka thënë ai para të pranishmëve të mbledhur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Plani për zbatim përfshin financimin e sigurt mbështetës, ndërtimin dhe trajnimin e një personeli për të mbështetur këtë program dhe themelimin e mbështetjen për shërbimet e ndryshme që ofrohen.
Është propozuar edhe plani për personelin punues, ku ideja e Owens ka qenë për shtimin e stafit. Ai është shprehur se “lajmi i mirë është se tanimë ka njerëz të talentuar që punojnë në Bibliotekë dhe tani janë duke bërë disa prej këtyre gjërave”.
“Disa nga ta operojnë në këto pozita, por për çdo rast do të ketë nevojë për personel shtesë”, ka thënë ai. Në planin e tij thuhet se nevojiten tre persona që do të punojnë në pamjet digjitale dhe përpunimin e përmbajtjeve, dy persona specialistë në koleksionet digjitale, një në menaxhimin e kartotekës digjitale, dy të tjerë në meta-data për përshkrim të materialeve, një kujdestar, si dhe një menaxher të projektit, i cili do të jetë edhe zyrtar për grante.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, ka thënë se po presin mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe ndërmarrësve privatë në pajisjet që mundësojnë pjesën teknike të operimit në zgjerimin e kapaciteteve pasi, sipas tij, deri më tani është punuar me vetëm një skaner. “Projekti është hartuar, na duhen investime në teknologji të skanimit, na duhen më shumë skanerë në shumë staf, i gjithë materiali që skanohet do të duhej të krijonte një meta-datë, ku secila njësi përpunohet dhe bëhet e qasshme për ato njësi që nuk u nënshtrohen të drejtave të autorit, sepse ato gradualisht do të bëhen pjesë e këtij digjitalizimi”, ka thënë ai, derisa rëndësinë e një biblioteke digjitale e ka konsideruar si themelore dhe se gjithë kapacitetet do t’i drejtojnë në qëllim të digjitalizimit.
Funksionalizimin e një sistemi elektronik, i cili krijon qasje në materiale të ndryshme, ndër to edhe të trashëgimisë së Kosovës, e ka konsideruar të rëndësishëm edhe udhëheqësi i bibliotekës digjitale, Liridon Zekaj. Ai ka thënë se synohet të digjitalizohet në tërësi fondi i Bibliotekës dhe se deri më tani arkivi digjital është pasuruar me dhjetëra mijëra materiale dhe që është kryer “sipas një politike për digjitalizimin e koleksioneve, duke filluar me njësitë periodike si, gazetën ‘Rilindja’ e deri te njësitë libër, zhanre të ndryshme, të koleksioneve të veçanta”.
“Është e rëndësishme se procesi i digjitalizimit është duke u trajtuar me prioritet nga organet udhëheqëse të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës e në veçanti është duke u trajtuar me prioritet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Hapi i ardhshëm i Bibliotekës Kombëtare të Kosovë është implementimi i Platformës për Bibliotekën Digjitale, e cila, sipas planifikimeve, do të realizohet gjatë vitit të ardhshëm”, ka thënë ai.
Për këtë projekt Biblioteka Kombëtare e Kosovës kishte kërkuar mbështetje nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë. Përmes programit “FullBright”, Trevor Owens kishte qëndruar në Kosovë prej 23 maj deri më 10 qershor të këtij viti për të arritur objektivat e projektit “Biblioteka digjitale dhe shërbimet”.