Kulturë

Besa Llugiqi – zëri operistik i vitit

Ajo hyri në histori të Operës së Kosovës e të kulturës në vend si sopranoja që luajti rolin kryesor në produksionin e parë operistik të institucionit dhe kështu u plotësua edhe një ëndërr e saj. E magjishme qe në rolin e Violettas në “La Traviatan” e Kosovës. Njësoj edhe si Margarita në “Faust” në skenën bullgar. “Rrallë artistët e kanë rastin ta performojnë në jetën e vet për herë të parë me një titull kaq të rëndësishëm”, thotë ajo

Gjithë vitit 2022, sopranoja Besa Llugiqi e rrumbullakon me fjalët “sfidë, jo e lehtë dhe me shumë punë”. 365 ditët e saj kanë kaluar me përkushtim ndaj profesionit dhe kjo është evidente edhe me finesën që flet kur përmend debutimet. Kryelajmi për këtë vit: ardhja e Violettas së “La Traviata” në Kosovë. Ajo hyri në histori të Operës së Kosovës e të kulturës në vend si sopranoja që luajti në rolin kryesor në produksionin e parë operistik të institucionit dhe kështu u plotësua edhe një ëndërr e saj.

“Ka qenë një vit totalisht i dedikuar për koncertet e mia dhe për gjërat që i kam pasur”, thotë ajo në fillim të bisedës.

Violetta nuk është risi për të. E ka jetësuar nëpër skena të Bullgarisë në pesë vjetët e fundit duke përfshirë Burgasin, Sofjen e Stara Zagorën. Se e zotëron dallohet në këto performanca. Por përgjegjësia shtohet kur nga sopranoja që ka performuar në vendet e huaja, gjen rikthim në vendin e saj. E këtë me një produksion që është përgatitur jashtëzakonisht mirë, ka dhënë shpresë për kulturën në vend dhe ka treguar etjen për operë.

Image
Violetta në “La Traviata” (Foto: Driton Paçarada)

“Rrallë artistët e kanë rastin ta performojnë në jetën e vet për herë të parë me një titull kaq të rëndësishëm”, thotë ajo për të kompletuar fatin që e ndjen se e ka përcjellë.

Një ndjesi tjetër në Prishtinë

Familjarizimi me “La Traviatan” e ka bërë Llugiqin që në detaje të dijë çfarë e pret në skenë: loja me zërin, zotërimi dramaturgjik, vështirësitë teknike dhe çdo detaj tjetër.

“Nuk e kam pasur idenë që njerëzit kanë me e pritë kaq mirë. Dy net kanë qenë sold out, ishin njerëzit e kolegët e mi që s’kanë arritur të më shohin jashtë vendit, kanë mbërri me më pa në koncerte, por asnjëherë në ndërtim të një personazhi në tërësi”, thotë Llugiqi.

Kur pyetet se cili është dallimi mes performimit në Bullgari e në Kosovë, thotë se publiku i kësaj të parës kanë traditë në operë, për ta është diçka krejt e natyrshme përcjellja e një produksioni. Ndërkaq, krejt tjetër atmosferë mbizotëron në Prishtinë.

“Ajo çka këtu e kam vërejt ka qenë entuziazmi, mungesa e madhe e inskenimit të formave të tilla muzikore”, shprehet Llugiqi. “Mua më ka befasuar shumë se atje është një moshë e mesme e më lartë që janë pjesë e publikut, këtu ka pasur rini dhe një miks moshash. Gjatë rrugës kur po shoh njerëz, po më ndalin dhe po më urojnë”, shton ajo disa ditë pas premierës së “La Traviatas” më 15 dhjetor në sallën “1 Tetori”.

Nga të gjitha komentet që ka marrë për këtë rol, veçon atë të regjisorit të operës, Bajram Çupi. Si profesionist i fushës dhe duke parë jetësime të ndryshme të “La Traviatas”, ai kishte bërë krahasime mes jetësimeve të tjera dhe asaj të Llugiqit.

“Ai kishte parë disa produksione në vende të ndryshme të botës dhe po flasim për dikë që e njihte shumë mirë çdo fjalë të rolit tim. Më tha jam duke dashur të të përqafoj ty, por më shumë ‘Traviatën’ tënde”, ka cituar Llugiqi.

Margarita e Kosovës në Bullgari

Por përveç në skenën vendore, Llugiqi sivjet ka shkëlqyer edhe në skenën bullgare. Ka jetësuar rolin e Margaritës në “Faust” nga Charles Gounod në Operën Shtetërore në Stara Zagora. Ky jetësim – i dhënë premierë më 17 nëntor 2022 – ka falur emocione të njëpasnjëshme me dy performanca, por sipas saj, edhe të rritet artistikisht.

“’Fausti’ si produksion ka qenë futurist në vizion, regjia ka qenë interesante ku Ognyan Draganov e ka sjellë duke e imagjinuar Margaritën si një person joprezent, një lloj fantazme që shfaqet në momente të caktuara. S’ka qenë e lehtë të realizohet, është inspirim nga kukullat si objekte që janë pjesë të shfaqjes”, përshkruan tutje Llugiqi.

Për Margaritën thotë se ka qenë rol kompleks në karakter e muzikalisht. Në aspektin gjuhësor, jetësimi i saj në gjuhën frënge e ka bërë të ketë më shumë përpikëri në skenë.

“Opera që është në pesë akte dhe që e bën edhe më të vështirë, sepse duhet ekstra punë, në regji, skenografi për me mbërri me qenë shumë i qartë, sepse edhe si roman kur e lexon s’është i lehtë të kuptohet, sepse është filozofik në vete”, thotë ajo.

Image
Llugiqi si Margarita në “Faust”, në Operën Shtetërore të Stara Zagoras në Bullgari, më 17 nëntor, 2022

“Krejt kanë dëgjuar shqip për herë të parë...”

Por me Bullgarinë e ka pasur edhe një takim tjetër muzikor po në nëntor. Kësaj radhe ka çuar atje muzikë shqipe bashkë me kuartetin “Suonos Albanicus”. Perlave shqipe u ka dhënë zë në Operën Shtetërore në Stara Zagora. Veprat e Çesk Zadesë, Avni Mulajt, Muharrem Qenës e Valton Beqirit kanë kumbuar gjatë edicionit të 52-të të Festivalit të Operës dhe Baletit.

“Krejt kanë dëgjuar muzikë shqip për herë të parë. Janë fascinuar me muzikën e bukur, u është dukur interesant. U ka pëlqyer shumë, kuarteti ka bërë punë të jashtëzakonshme”, thotë për koncertin i cili fillimisht ishte dhënë në Festivalin DAM.

Llugiqi thotë se publiku bullgar ka qenë “sy e vesh” për të kuptuar përmbajtjen artistike shqiptare. Vëmendja ka qenë maksimale sipas saj, po njësoj sa entuziazmi.

“Shumicën e rasteve u janë dukur interesant fjalët, për shembull fustani. Unë jam munduar shumë me gjestikulacione me e shpreh rëndësinë dhe fjalën e tyre. Disa prej tyre më kanë thënë se ka mjaftuar me pa fytyrën për ta kuptuar”, thotë Llugiqi.

“Kam zgjedhur të sakrifikoj për të qenë e lumtur”

Kur kthehet prapa dhe sheh një vit të begatë në skenë, thotë se prapa imazhit të një sopranoje të përgatitur artistikisht qëndrojnë orët e gjata të përgatitjeve të cilat publiku s’i njeh. Mirëpo nuk ndihet e lodhur fare. Përkundrazi e ndërlidh lumturinë si diçka që duhet thënë shumë për ta shijuar.

“Na duhet të sakrifikojmë se ndryshe lumturia s’vjen, unë s’do të mund të isha e lumtur jo veç për vete, por për krejt projektin që ndodhi, sepse e kemi pasur mision gjithë pjesa e ekipit që ta shohë publiku sa kemi punuar, çfarë niveli artistësh jemi, sa kemi mbërri me u përgatitë”, thotë ajo për Operën e Kosovës.

Madje thotë se njerëzit mediokër rrinë e presin që lumturia t’u vijë vetvetiu. Mirëpo, kur tema hapet te potencialet në Kosovë dhe hapësira që u jepet, thotë se këto duhet të shkojnë tok.

“Unë ndihem keq për disa gjenerata që kanë shkuar e që kanë qenë të mrekullueshëm si këngëtarë, që janë zhdukur në mësimdhënie ose fusha të tjera e që në këndim do të shkëlqenin. Mendoj që ata zëra ne duhet t’i mbajmë, t’i favorizojmë dhe t’u japim mundësi”, shprehet Llugiqi.

Talenti sipas saj s’është i mjaftueshëm. Gjithmonë duhet bashkëngjitur edhe zhvillimi i tij.

“Nuk mjafton me e pasë talentin, duhet punë me e tregu veten, me konkurru me botën të paktën me nivelin evropian për nga zhvillimi artistik. Mendoj që duhet hapësirë patjetër që ata secilën herë me u rritë, e jo me mbetë në një nivel ku përballen me botën jashtë me qenë dëshpëruese, por hapësira është e domosdoshme”, thotë sopranoja e shquar.

Shumë plane për 2023-n

Viti 2023 e gjen Besa Llugiqin me një agjendë të ngjeshur që në fillim. Gjysma e planeve janë të ditura, gjysma presin konfirmimin. Por më të rëndësishmet që do ta kenë vulën e përjetësimit do të jenë vazhdimi i rolit të Margaritës me “Faustin” në një performancë tjetër në Sofje dhe dy tjera në Stara Zagora.

E pret edhe një koncert recital me veprat e Richard Strauss e Robert Schumann në Prishtinë. Violettan e “La Traviatas” me Operën e Kosovës do ta çojnë në Shkup. Ndërkaq pritet që ta jetësojë edhe rolin e Tatianës nga “Eugene Onegin” në Gjermani.

“Më shumë dashuri mes vete, njerëzit duhet me dalë prej amullisë ose pritjes. Secili duhet të sfidohet, të punojë shumë, të sakrifikojë, të bëjë qejf krejt çka bëjnë çdo ditë. Mendoj që duhet të mund të jetohet jeta në mënyrën më të mirë”, përmbledh ajo mesazhin e saj për vitin 2023.