Duke mbyllur një festival 10-ditor që ishte shoqëruar nga një stuhi reagimesh në rrjetet sociale pas deklaratës së presidentit të jurisë, Wim Wenders, se kineastët duhet “të qëndrojnë jashtë politikës”, filmat që u përzgjodhën për çmimet kryesore — “Yellow Letters” i Ilker Çatak dhe “Salvation” i Emin Alperit — dëshmuan se Berlinalja mbetet festivali më politik ndër tri festivalet e mëdha evropiane të filmit, krahas Cannes dhe Venecias
Fituesit e çmimeve të këtij viti në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin dhe fjalimet e tyre të pranimit e bëjnë të qartë rrugën e vështirë dhe delikate në të cilën duhet të ecë festivali.
Duke mbyllur një festival 10-ditor që ishte shoqëruar nga një stuhi reagimesh në rrjetet sociale pas deklaratës së presidentit të jurisë, Wim Wenders, se kineastët duhet “të qëndrojnë jashtë politikës”, filmat që u përzgjodhën për çmimet kryesore — “Yellow Letters” i Ilker Çatak dhe “Salvation” i Emin Alper — dëshmuan se Berlinalja mbetet festivali më politik ndër tri festivalet e mëdha evropiane të filmit, krahas Cannes dhe Venecias.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPavarësisht akuzave për “censurë” ndaj artistëve që folën për Gazën, të ngritura në një letër të hapur, disa fitues çmimesh përdorën gjithashtu fjalimet e tyre të pranimit për të bërë deklarata politike mbi këtë çështje.
Një fitues në veçanti kritikoi drejtpërdrejt qeverinë gjermane për mbështetjen e saj të fortë ndaj Izraelit.
Regjisori siriano-palestinez, Abdallah Alkhatib, i cili fitoi Çmimin për filmin më të mirë debutues me veprën e tij “Chronicles From the Siege”, deklaroi gjatë pranimit të Çmimit se, si refugjat në Gjermani, ishte paralajmëruar të mos kalonte “vijat e kuqe” në fjalimin e tij. Megjithatë, ai pyeti pse vendi kishte pranuar të ishte “partner i gjenocidit në Gaza nga Izraeli?”. “Besoj se jeni mjaftueshëm inteligjentë për ta njohur këtë, por zgjidhni të mos kujdeseni”.
Ministri i Mjedisit, Carsten Schneider — i vetmi anëtar i qeverisë gjermane i pranishëm në ceremoni, u largua nga salla gjatë fjalimit të Alkhatibit, duke deklaruar më pas se komentet ishin “të papranueshme”.
Wolfram Weimer, Komisioneri Qeveritar për Kulturën, hodhi poshtë pretendimet e Alkhatibit për qëndrimin e Gjermanisë: “Këto pretendime të rreme janë dashakeqe dhe helmojnë debatin politik. Ato shkatërrojnë vlerësimin për artin filmik në Berlinale”, ka thënë ai për gazetën “Tagesspiegel”.
Gjermania mbetet një nga mbështetëset më të forta të Izraelit dhe furnizuesi i dytë më i madh i armëve për këtë shtet. Udhëheqësit politikë thonë se ky pozicion bazohet kryesisht në ndjenjën historike të fajit për Holokaustin, një politikë e njohur si “Staatsraison”, ose “arsye shtetërore”.
Ekspertë të të drejtave të njeriut, studiues dhe një hetim i Kombeve të Bashkuara thonë se ofensiva e Izraelit në Gaza përbën gjenocid, gjë që Izraeli e mohon fuqishëm, duke argumentuar se veprimet e tij janë vetëmbrojtje pas sulmeve terroriste të 7 tetorit 2023.
Qeveria gjermane financon 40 për qind të festivalit të filmit. Në një kohë shkurtimesh të konsiderueshme në financimin e artit dhe kulturës, festivali është nën presion për të ruajtur mbështetjen shtetërore.
Megjithatë, drejtoresha e festivalit, Tricia Tuttle, këmbëngul se kjo nuk e kufizon Berlinalen në atë që mund të thotë apo të bëjë: “Ata kanë mbikëqyrje strategjike, në kuptimin që unë raportoj tek ata për çështjet financiare”, ka thënë ajo për DW, “por ajo që bëjmë dhe ajo që themi varet plotësisht nga ne. Nuk marrim urdhra apo direktiva”.
Në vitin 2024, ministri i Kulturës i Berlinit tentoi ta kushtëzonte financimin e arteve vetëm për ata që pranonin përkufizimin e diskutueshëm të antisemitizmit, sipas IHRA. Edhe pse klauzola e propozuar “kundër diskriminimit” për financimin e artit u hoq përfundimisht, ajo kontribuoi në presionin që ndiejnë institucionet kulturore.
Një nga argumentet në letrën e hapur të vitit 2026 kundër Berlinales ishte se festivali në të kaluarën kishte bërë “deklarata të qarta” për “mizoritë” e kryera ndaj civilëve në Ukrainë dhe Iran.
“I bëjmë thirrje Berlinales të përmbushë detyrimin e saj moral dhe të deklarojë qartë kundërshtimin ndaj gjenocidit të Izraelit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës ndaj palestinezëve, si dhe të ndërpresë plotësisht përfshirjen në mbrojtjen e Izraelit nga kritikat dhe kërkesat për përgjegjësi”, shkruhet në letër.
Tuttle e justifikon përpjekjen e festivalit për të qëndruar neutral me faktin se kjo çështje “është jashtëzakonisht polarizuese. Çdo bisedë kërkon të mbahet parasysh kompleksiteti i situatës”.
Berlinalja vëzhgohet nga afër edhe nga autoritetet izraelite dhe komentuesit kulturorë.
Ambasadori izraelit në Gjermani, Ron Prosor, lavdëroi largimin e Carsten Schneider nga ceremonia: “Respekt për ministrin Schneider dhe qartësinë e tij morale”, ka thënë ai për gazetën Bild, duke shtuar se Berlinalja rrezikonte reputacionin e saj nëse “shërbente si platformë për urrejtësit e Izraelit”.
Duke reaguar ndaj ceremonisë së ndarjes së çmimeve, një bloger i “Times of Israel” pretendoi se “elita kulturore e Gjermanisë po luan me zjarrin”, ndërsa një komentues i gazetës “Jüdische Allgemeine” e përshkroi fjalimin e Alkhatibit si “paragjykues”.
Nga ana tjetër e debatit, fushata që kërkonte nga Berlinalja të merrte një qëndrim zyrtar për Gazën ushtronte gjithashtu presion mbi kineastët dhe aktorët, të cilët gjatë gjithë javës u pyetën për qëndrimet e tyre politike në konferenca për shtyp.
Kjo jo vetëm që çoi në deklaratën e diskutueshme të Wenders “qëndroni jashtë politikës”, por shumë artistë u përballën me pyetje që nuk kishin lidhje me filmat e tyre.
“Këto momente virale mund të jenë shumë të dëmshme për filmat, nëse përfundojmë duke shkruar vetëm për polemikat dhe jo për filmat”, ka thënë Tuttle, duke theksuar se pyetjet e ngarkuara politikisht nuk dëmtojnë vetëm festivalin, por edhe personalitetet kulturore që pranojnë të marrin pjesë: “Njerëzit detyrohen të flasin; nëse nuk flasin, kjo konsiderohet fyerje për disa. Nëse flasin dhe nuk thonë atë që dëshiron pyetësi, përsëri është problem. Dhe nëse thonë gjënë e gabuar, atëherë krijohet një krizë e madhe”.
Videoja virale me deklaratën e Wim Wenders çoi gjithashtu që autorja indiane Arundhati Roy ta bojkotonte festivalin. Ajo mendoi se thënia se kineastët duhet të qëndrojnë jashtë politikës “është një mënyrë për të mbyllur një bisedë mbi një krim kundër njerëzimit, ndërkohë që ai po ndodh para syve tanë — pikërisht kur artistët, shkrimtarët dhe kineastët duhet të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për ta ndalur”.
“Artistët janë të lirë të ushtrojnë të drejtën e tyre të fjalës së lirë në çfarëdo mënyre që zgjedhin”, ka thënë Tuttle në reagim ndaj debatit në rrjetet sociale. “Ata nuk duhet të pritet të komentojnë çdo debat më të gjerë mbi praktikat e mëparshme apo aktuale të festivalit, mbi të cilat nuk kanë kontroll”.