Sa i vetmuar e me një qëndrim elegant, e sa me miqtë krijues si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Sandër Prosi, Bardhyl Martiniani, aktori i roleve kryesore tek “Odiseu”, “Aventurieri”, “Protesta” dhe i një liste të gjatë të karrierës artistike bëri publikun të ndalet gjatë te secila shkrepje që i ishte bërë përgjatë qëndrimit të tij në Shqipëri në vitin 1972, atëherë kur pakkush e njihte atje për rolet e tij, për shkak të cenzurimit që shteti komunist i bënte botës perëndimore
Në shumicën e filmave të suksesshëm jugosllav ai portretizonte rolet kryesore. Me admirim shikohej nga të vegjlit e të mëdhenjtë. Ikona e kinematografisë jugosllave, Bekim Fehmiu, u ‘ringjall’ nëpërmjet fotografive bardhezi. Bashkë me të është ngjallur nostalgjia te publiku i ekspozitës së hapur mbrëmjen e së martës në objektin e “Shani Efendiut” në Prizren.
“Bekim Fehmiu në Shqipëri” ka bërë bashkë 32 poza të paekspozuara më parë, të shkrepura kryesisht nga Bardhyl Martiniani, të cilat kanë qenë të ruajtura në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Shqipëri dhe kanë ardhur në Kosovë si risi për publikun shqiptar nëpërmjet edicionit të 20-të të “Dokufestit”.
Sa i vetmuar e me një qëndrim elegant, e sa me miqtë krijues si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Sandër Prosi, Bardhyl Martiniani, aktori i roleve kryesore tek “Odiseu”, “Aventurieri”, “Protesta” dhe i një liste të gjatë të karrierës artistike bëri publikun të ndalet gjatë te secila shkrepje që i ishte bërë përgjatë qëndrimit të tij në Shqipëri në vitin 1972, atëherë kur pakkush e njihte atje për rolet e tij, për shkak të cenzurimit që shteti komunist i bënte botës perëndimore.
Njëri nga kuratorët e ekspozitës, regjisori shqiptaro-amerikan, Thomas Logoreci, ka thënë se fotografitë u gjetën në “zarf të bardhë”.
“Pjesa më e madhe e cila na ka marrë kohë ka qenë hulumtimi i emrave të personave me të cilët ai ka dalë në fotografi, lokacionet, kalatë e rrugët”, ka treguar ai.
Thomas Logoreci për KOHËN ka treguar se emërtimi i ekspozitës ka mbetur i njëjti, sikur te fondusi i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit në Shqipëri.
“Një element që e kemi parë në dokumentarin për Bekim Fehmiun është se ne e shohim një njeri që e njeh mirë kamerën dhe ka prezencë fantastike para saj, e di mirë se si të bëjë çdo lëvizje”, ka thënë Logoreci, teksa e ka përmendur dokumentarin të cilin e ka realizuar para disa kohësh.
Tutje, ai thotë se në kohën e komunizmit filmi ka qenë shumë i kushtueshëm materialisht, andaj janë shkrepur fotografi vetëm në raste të ngjarjeve speciale.
“Ajo që është më interesantja te vizita e tij në Shqipëri është se asnjë shqiptar nuk ka pasur mundësi t’i shohë filmat e tij, teksa kur ka mbërritur të gjithë e kanë pyetur ‘A di shqip?” ka kujtuar ai.
Kuratori ka treguar se çdo fotografi për të është tejet e rëndësishme dhe interesante.
“Unë mendoj që Bekim Fehmiu është përtej një artisti, ai është ikonë, legjendë që s’lind shpesh”, ka thënë ai.
“Momentalisht Universiteti i Kalifornisë në Los Angeles e ka nisur një iniciativë për të ruajtur të gjitha fotografitë e artistëve të cilat janë bërë në studio, ndër to edhe të Bekim Fehmiut”.

Iris Elezi, drejtore e Arkivit Shtetëror të Filmit në Shqipëri dhe bashkëkuratore e kësaj ekspozite, ka thënë se ditën e trishtë të nëntorit 2019, kur Shqipëria u trondit nga tërmeti, Arkivi ka marrë një lajm të mirë nga instituti i dytë i rëndësishëm arkivor amerikan i Universitetit të Kalifornisë në Los Angeles.
“Ai na dha mundësinë që për dy vjet ne të inventarizojmë dhe të ndërtojmë të dhëna mbi fototekën e pasur të Arkivit Shtetëror të Filmit”, ka thënë ajo. Ka shtuar se fatkeqësisht njerëzit gjithmonë fokusohen të filmi, duke harruar se kinostudio “Shqipëria e Re” ka një pasuri të tërë me dokumentacion në letër ose në foto.
“Gjatë viteve të pandemisë, pasi tani kaloi një vit që ne vuajmë dhe punojmë, kemi zbuluar që në 33 mijë negativë janë ruajtur copëza të historisë së Shqipërisë dhe një nga habitë më të bukura ishte dita kur gjetëm pikërisht fotot e vizitës së zotit Bekim Fehmiu në Shqipërinë tonë”, ka thënë ajo.
Për Elezin, kultura shqiptare është interesante dhe për të nuk është shkruar sa duhet. Sipas saj, në këta 30 vjet shqiptarët kanë shkuar pas yjeve të njohur, duke harruar që kultura e vendit ka pasur yjet e veta.
“Për të gjithë ata që do të kenë fatin t’i shikojnë këto fotografi që nuk janë parë asnjëherë, është interesante për mua pasi në to kemi Edi Luarasin, aktorin e famshëm shqiptar, Ismail Kadarenë, shkrimtarin e nominuar për ‘Nobel’, dhe disa yje të ‘Kino Studios’. Ajo që ishte rrëqethëse për ne në Arkivin Shtetëror të Filmit ishte të provonim të kuptonim atmosferën e një Shqipërie të izoluar kur vjen një yll si Bekim Fehmiu”, ka thënë ajo.
Ka shtuar se shumica e aktorëve, e kineastëve, e njerëzve të thjeshtë që takuan Bekim Fehmiun nuk kishin pasur fatin ende që t’i shikonin veprat e tij sepse ishin të ndaluara në Shqipëri.
“Për mua, këto copëza jete, të marra nga drejtori i fotografisë Bardhyl Martiniani, sikundër lexojnë memoarin e vetë Bekim Fehmiut, më japin mundësinë që të shikoj, të rikthehem në kohë dhe të kuptoj që shpirti ynë ka ende shumë për të mësuar”, ka thënë ajo duke theksuar se kushdo që e shikon këtë ekspozitë duhet të kuptojë që shqiptarët duhet të fokusohen edhe tek artistët e kultura e tyre fillimisht.
“T’i duam tanët dhe pastaj le ta marrim edhe botën”, ka thënë ajo. Por, kur flitet për memoaret e aktorit shqiptar ne nam botëror, Bekim Fehmiu, ata që kanë lexuar dy vëllimet e tij autobiografike mund të kenë kuptuar edhe perceptimet e Fehmiut për vizitën e tij në Shqipëri. Te “Shkëlqim dhe tmerr”, vetë Fehmiu ka treguar se ende pa prekur avioni pistën e aeroportit të Rinasit në bazë të pamjes nga lart kishte kuptuar se bëhej fjalë për një vend të varfër. Këtë e konstatonte në bazë të pamjes së aeroportit. E kur kishte parë policët që i kontrolluan pasaportën, siç e ka thënë në vepër, do të konstatonte se edhe ata kishin pamjen sikurse aeroporti.
Ndërkaq, drejtori i fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, në prononcimin e tij për KOHËN ka thënë se ndihet tejet mirë që objekti i “Shani Efendiut”, nga destinimi i dikurshëm politik, tanimë ka funksion publik e artistik.
“Kjo është një ekspozitë e rëndësishme, ku Bekimi i Prizrenit vjen në Prizren përmes fotografive të vizitës në Tiranë. Është një vizitë e pazakontë një kohë tepër të vështirë dhe përmes fotografive mund të shihet shumë”, ka thënë ai.
Sipas tij, në fotografi, jo vetëm që mund të shohin aktorin me nam, por edhe momentet dhe kontradiktat e asaj kohe.
“Njëkohësisht është një kujtim vizuel i gjetur rishtazi, një punë me vlerë që besoj do të shijohet edhe prej publikut të ‘DokuFestit’, por edhe të Prizrenit në përgjithësi. Pra, jam i lumtur që Prizreni e ka fituar një hapësirë të re dhe atë e ka hapur me këtë ekspozitë”, ka thënë ai.
Sipas tij, shumë pak është bërë nga qyteti për Bekim Fehmiun dhe ekspozita e hap një mundësi për trajtim më të mirë edhe të historisë e trashëgimisë së aktorit. E, sa i përket hapësirës së re, ka thënë se është një sfidë e radhës për komunitetin artistik dhe qytetin e Prizrenit.