Rrëfimet e historitë e trishta të fëmijëve të vrarë në luftë, të zhdukur a të mbetur jetimë bashkohen në “Bebëzat e mallit” si një thirrje për të mos u harruar. Presin drejtësi, i thërrasin kujtesës kolektive dhe dokumentojnë. E hapur në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, ekspozita e hulumtuesit dhe autorit të fotografive, Korab Krasniqi, e kuruar prej Vesa Sahatçiut, vjen si një kapitull që e ka lënë të hapur dhimbjen
Ambienti edhe tash është i ftohtë, njashtu sikurse rrëfimet e trishta që shpalosen jo vetëm me fjalë, por edhe me imazhe. Janë dhjetëra fotografi, portrete të fëmijëve të vrarë, atyre të zhdukur me dhunë e të afektuar në cilëndo mënyrë nga tmerri i luftës së fundit në Kosovë. I thërrasin ndërgjegjes e personazhet vështrojnë në heshtje. “Bebëzat e mallit” është titulli i ekspozitës, njësoj si soneti i poetit lirik Enver Gjerqeku, një lidhje e hollë delikate të cilën ka arritur ta bëjë ekipi i përbërë nga Korab Krasniqi si hulumtues dhe autor i fotografive, ndërkaq prekja kuratoriale kësaj ekspozite i është besuar Vesa Sahatçiut.
Të ekspozuara në hollin e objektit të ish-“Rilindjes”, tash Ministria e Drejtësisë, përmes një strukture të lartë metali, krijojnë përshtypjen sikur rrinë pezull, njësoj sikurse kujtimet në ndërgjegjen e atyre që kanë përjetuar luftën. Paraqesin copëza nga ato rrëfime. Xhaketa, pantallona, fotografi familjare, portretet e të intervistuarve, janë vetëm disa nga imazhet që ekspozita ofron si nxitje e parë për reflektim e njohje të kësaj ane të errët.
Edhe pse e paraparë të hapej të martën në orën 18:00, pritja për kryeministrin e vendit që ta hapë ekspozitën me një fjalim të ngjeshur politik e shtyu atë për 30 minuta. Vernisazhi i ekspozitës – iniciativë e përbashkët midis Ministrisë së Drejtësisë, organizatës joqeveritare “Integra”, programit forumZFD në Kosovë dhe Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur – ka marrë frymën e një performance shtetërore, me fjalime e prezencë të politikanëve, siç ndodh rrallëherë nëpër ekspozita. Është thyer kur në pah kanë dalë artistët. Aktorja Rebeka Qena ka recituar vargjet e Gjerqekut. “Eja në ëndërr e të besoj që ëndrra është e vërtetë dhe m’i ledhato flokët, vetullën ma puth dhe më thuaj përse kaq shumë vuaj, më eja në ëndërr që ditën sërish mirë të jem, që nata të ma shpaguajë dhimbjen e mallin e pashpresë që ditën e ndjej”, kanë qenë vargjet që kanë kumbuar në sallë. Kanë sjellë në vëmendje kujtimet e fëmijëve të prekur nga lufta e fundit në Kosovë. Shërbyen si kambana krahas fotografive të ekspozuara, që të njihen përvojat e zërave të këtyre fëmijëve.
Hulumtimi i kryer në vitin 2022, me drejtuesin Korab Krasniqi, qe botuar edhe si libër nën titullin “Fëmijëri të rrëmbyera”, i cili përmban rrëfimet e përjetimeve të fëmijëve në luftë, rrëfime të shoqërisë në kohë krizash. Por, krejt të veçanta rrëfimet e fëmijëve rëndom nuk kanë marrë vëmendje.
Ideja kishte lindur duke e trajtuar çështjen e fëmijëve dhe përvojave të tyre në luftë nga një perspektivë e cila nuk i paraqet ata sikur statistika e numra pasivë që e ndërtojnë narrativen e luftës, por merr në konsideratë çdo detaj në kompleksitetin e një fëmije fatkeq të gjendur në mes të luftës. Ekspozita krahas hulumtimit tregon një rrëfim të avancuar nga përvojat e fëmijëve në luftë.
Korab Krasniqi, hulumtues i projektit, arrin ta artikulojë idenë se lufta nuk ka qenë e një trajte homogjene, por targeti ka qenë i pacaktuar. Ka prekur civilë, pleq, të rinj e edhe fëmijë.
“Këtë kemi dashur ta ilustrojmë përmes diskutimeve me prindërit e fëmijëve të zhdukur në luftë dhe me fëmijët që kanë qenë të prekur nga lufta. Si rezultat kemi mbërritur te një numër prej 12 familjesh prej të cilave 8 kanë qenë shqiptare, 2 serbe dhe 2 rome, nga këto kemi folur me dy fëmijë të cilëve prindërit u janë vrarë ose zhdukur gjatë luftës”, ka thënë Krasniqi duke ndarë detaje rreth procesit të hulumtimit.
Duke marrë parasysh ndjeshmërinë që ka tema e trajtuar, ekipi i ka kushtuar rëndësi metodologjisë dhe aspektit etik të procesit të punës.
“Metoda e përdorur ka qenë historia gojore, ku gjatë procesit kemi grumbulluar gjësende të fëmijëve si fletore, libra, veshje, çfarëdo që familjet kanë arritur t’i shpëtonin nga lufta dhe djegiet. Kemi provuar ta dokumentojmë jetën e familjeve që janë intervistuar nga ne dhe përmes këtyre mënyrave të ndryshme e kemi përpiluar edhe librin, i cili i paraqet rrëfimet në një strukturë koherente ku të intervistuarit flasin për fëmijërinë, edukimin, për luftën, periudhën e pasluftës si mënyrë për të shpalosur aspekte të ndryshme të jetës së njerëzve para luftës, gjatë dhe pas saj”, ka shtuar Krasniqi.
Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, si nikoqire e ekspozitës në hapësirën e vendit të punës së saj, u shpreh e lumtur me organizimin duke falënderuar ekipin.
“Dhembja e trishtimi që kemi përjetuar si popull gjatë periudhës së luftës kërkojnë jo vetëm reflektimin kolektiv për atë periudhë të kobshme, por edhe reflektimin për rrugëtimin tonë si popull i çliruar dhe si shtet i pavarur”, ka thënë ajo. Sipas Haxhiut, tragjedia e fëmijëve gjatë luftës duhet të përgjigjet me dënimin e atyre që kanë bërë krime dhe se kujtimi për fëmijët e vrarë në luftë do të mbetet i paharruar.
Kryeministri Albin Kurti fjalimin e tij e nisi me disa vargje që përshkruajnë thellësinë e dhimbjes për mallin e frikën e humbjes nga poeti Xhevdet Bajraj.
“Krahas të qenit një hapësirë e kujtimit, kjo ekspozitë është edhe ftesë për diskutim rreth mënyrës se si e mbrojmë dhe e përfaqësojmë humbjen individuale apo kolektive”, ka thënë kryeministri Kurti duke shtuar se ngjarje të tilla i shërbejnë kujtesës kolektive duke ndihmuar për të mos e harruar historinë.
Kuratorja e ekspozitës, Vesa Sahatçiu, ka thënë se koncepti rrok atë se rrëfimet shërbejnë si dritare që hapen drejt kujtesës kolektive.
“Kur na është propozuar projekti nga ‘Integra’ dhe Ministria e Drejtësisë propozimi ka qenë që kjo hapësirë ku jemi në të të ekspozojmë. Unë është dashur ta gjeja se cili është aseti i hapësirës, aseti i kësaj hapësire është lartësia e tavanit dhe ky ka qenë starti pasi që kemi vendosur ta bëjmë konstruksionin dhe t’i vendosim në të fotografitë”, ka thënë duke shtuar se kanë dashur që hapësirën ekspozuese ta bëjnë interaktive për vizitorët.
Hulumtimi ndërtohet nga intervistat dhe fotografitë e familjeve të intervistuara. Janë pasqyrë e gjendjes së këtyre familjeve e nëpërmjet rrëfimeve të tyre kuptohet për traumën e luftës, mënyrën se si përballen këto familje me humbjen e fëmijëve të tyre në luftë. Vërehet që gjatë hulumtimit ekipi ka arritur të identifikojë disa elemente, të cilat arrijnë ta përçojnë këtë gjendje në opinionin publik. Ëndrra, përtëritja e emrave të fëmijëve të vrarë, potenciali i paplotësuar i atyre, paraqiten si emërues i përbashkët që u përgjigjet këtyre rrëfimeve.
