Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Bashkimi i institucioneve kulturore ndan artistët, konsiderohet regres

Përderisa me Projektligjin për artin dhe kulturën parashihet që tri institucione qendrore të kulturës si Baleti, Opera dhe “Shota” të bëhen një, një synim i tillë s’i bashkon pjesëtarët e komunitetit artistik. Vetë udhëheqësit e atyre institucioneve, të cilët parashihet të bashkohen, e konsiderojnë regres, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, thotë se kjo reformë është frymëmarrje, bashkimin e lidh edhe me objektin që nuk është kurrkah. Kritikat e dyshimet për reforma të tilla kanë dalë në pah edhe të premten në dëgjimin publik për Projektligjin në Komisionin për Arsim, Kulturё, Rini dhe Sport

Bashkimi i Baletit, Operës dhe Ansamblit “Shota” në një institucion të vetëm, që është paraparë me Projektligjin për artin dhe kulturën, për një pjesë të komunitetit artistik dhe për udhëheqës institucionesh do të ishte kthim prapa. Në dëgjimin publik për këtë projektligj të mbajtur të premten në Komisionin për Arsim, Kulturё, Rini dhe Sport, një pjesë e komunitetit konsideron se këto institucione së bashku nuk mund të funksionojnë mirë dhe se nuk ka perspektivë në këtë fushë. Ka të tjerë zëra që e shohin me optimizëm një nismë të tillë. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, synon ta çojë para atë që kaherë e ka cilësuar si reformë në kulturë, Ligjin për artin dhe kulturën e konsideron të tillë e thotë se ai është hartuar pas një pune prej dy vjet e gjysmë e pas dhjetëra takimeve dhe diskutimeve të brendshme por edhe publike me komunitetin dhe profesionistët e punës. Por, Projektligji – i miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës në fund të tetorit – do të nxiste jo pak reagime qysh se dolën versionet e diskutimet e para të tij. Themelim institucionesh të reja, shfuqizim i katër ligjeve aktuale – si Ligji për teatro, ai për Filharmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës, Ligji për ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” dhe për ansamblet e tjera – ndryshimi i hierarkisë së menaxhimit, themelimi i një Këshilli Kombëtar të Arteve, janë disa prej pikave më të diskutueshme. Në krye të listës është bashkimi i tre a katër institucioneve nën një institucion. Kjo ka qenë edhe kryefjalë e dëgjimit publik të premten.

Kthim prapa me tri institucione në një

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, ka kundërshtuar atë që e kishte kundërshtuar qysh se u përmend bashkimi i disa institucioneve. Ka thënë se ky model për të funksionuar bashkë u takon shembujve nga e kaluara dhe se, sipas tij, përvoja ka dëshmuar që për t’u treguar efikas Baleti duhet jetë i pavarur siç është aktualisht.

“Baleti Kombëtar është themeluar si njësi artistike më 1972 si njëra nga tri njësitë artistike brenda një institucioni. Kështu Baleti ka funksionuar brenda Teatrit Kombëtar deri në vitin 2006, ku me Ligjin për Operën, Filarmoninë dhe Baletin është pavarësuar institucionalisht. Që nga viti 2000 deri në vitin 2006, kur Baleti ka qenë pjesë e Teatrit, baleti ka arritur të realizojë vetëm 5 premiera, prej viti 2006 deri sot 2023, baleti ka arritur të realizojë 55 premiera të baletit”, ka thënë Kajtazi duke e ndërlidhur këtë shembull me nenin 7, pika 4, përmes së cilës parashihet që Opera, Baleti dhe “Shota” të jenë si një institucion.

“Për Baletin Kombëtar kjo do të ishte një kthim mbrapa në kohë, sepse mendojmë që pavarësia dhe autonomia institucionale kanë treguar që prodhimtaria artistike është më e madhe dhe se pavarësia institucionale i jep mundësi që të krijojmë imazhin tonë në mënyrë më të efektshme”, ka thënë ai.

Edhe Reforma në kulturë me shkrirje institucionesh e akuza për centralizim Kulturë Reforma në kulturë me shkrirje institucionesh e akuza për centralizim

Ndërveprimin në mënyrë të përbashkët të këtyre institucioneve e ka komentuar edhe Haki Mulliqi, ish-drejtor i ansamblit “Shota”, tani anëtar i Këshillit Drejtues të ansamblit. Ai ka thënë se nga përvoja në këtë institucion e vlerëson dëmtues këtë bashkim, pasi Ansambli ka një mision komplet ndryshe prej Baletit.

“Është natyrë komplet tjetër, merret fondamentalisht me trashëgiminë kombëtare dhe me promovimin e këtyre vlerave kombëtare dhe nuk e shoh si një ombrellë të përbashkët me Operën. Ansambli ‘Shota’ është themeluar para 60 vjetëve, ka objektin dhe organet e veta dhe si i tillë është treguar që ka qenë shumë i suksesshëm”, ka thënë Mulliqi, duke theksuar nevojën për funksionim në mënyrë të pavarur të ansambleve. “Ligji është bazuar në përvoja ndërkombëtare, por ansamble të tilla kemi vetëm në Evropën Juglindore, domethënë nuk kemi në Evropë ansamble, këngë e valle, por kemi në këto shtete që jemi në rajon. Ansamblet funksionojnë të pavarura, sepse natyra e punës është e tillë. Unë mendoj që duhet të kenë kujdes, sepse nuk e di si do të munden me qenë opera dhe baleti bashkë. Mund të jenë bashkë, por Opera, Baleti dhe ansambli kombëtar mendoj që nuk mund të funksionojnë mirë dhe nuk ka ndonjë perspektivë në këtë fushë. Mendoj se duhet të vazhdojë të jetë si institucion i pavarur”, ka thënë ai.

Optimizmi i shkrirjes dhe zgjidhja te udhëheqësi

Problematike funksionimin bashkërisht të këtyre institucioneve nuk e ka vlerësuar anëtarja e Këshillit të Operës, Besa Luzha. Por, ajo ka kërkuar që atyre t’u ndahen përgjegjësitë.

“S’e kam problem nëse funksionojmë bashkë, por nëse sqarohen kompetencat mirë dhe në një ndërtesë e që ndahen përgjegjësitë e secilit institucion”, ka thënë Luzha.

Se këto institucione mund të operojnë suksesshëm bashkë nëse ka secila udhëheqësin e vet, ka vlerësuar edhe anëtarja e Këshillit të Baletit, Lejla Pula.

“Opera, baleti dhe ansambli kombëtar domethënë fuzionimi në një institucion, duke pasur parasysh përvojën e Fakultetit të Arteve, departamentet e pavarura të cilat janë fuzionuar me ligj, të cilat fatkeqësisht sot nuk funksionojnë siç duhet. Domethënë janë hequr kompetencat dhe ne nuk funksionojmë siç duhet. Unë mendoj që kjo mund të funksionojë, Opera, Baleti dhe Ansambli Kombëtar, sepse kemi aty ansamblin e operës, orkestrën e operës dhe baletin e operës dhe ansamblin, domethënë janë katër institucione brenda një institucioni, kjo në të ardhmen mund të funksionojë vetëm nëse secili prej tyre ta ketë udhëheqësin e vet”, ka thënë Pula.

Ligji i ri, frymëmarrje për ministrin

Pasi ka dëgjuar komentet, fjala në Komision i është dhënë ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Ka ngritur disa çështje, sipas të cilave, ka thënë të kenë ardhur në këtë përfundim për bashkim të institucioneve. E ka përsëritur se ky projektligj është si frymëmarrje në sektorin e artit dhe kulturës që ka adresuar një sërë problemesh dhe mangësish aktuale.

Ministri Çeku ka thënë se ideja fillimisht kishte ardhur nga nisma e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të racionalizuar agjencitë dhe ministritë me më së shumti institucione të ndërvarësisë, me qëllim të rritjes së efikasitetit e kursimit të shpenzimeve. Sipas tij, rekomandimi ka mbështetje edhe prej ekspertizës ndërkombëtare dhe përmes kësaj po synohet të arrihen efikasiteti, bashkëpunimi dhe ndikimi i rritur kulturor.

“Bile rekomandimi i tyre janë Filarmonia, Opera, Baleti dhe Ansambli ‘Shota’, të bëhen një institucion dhe unë besoj që ajo është formula më e mirë. Unë këtu po propozoj që në këtë fuzionim të përfshihet edhe Filarmonia. Ndërtesa e Teatrit të Operës dhe Baletit që për momentin është në procedurë të projektimit, në momentin kur të ndërtohet do të jetë shtëpi e këtyre katër institucioneve. Pra, Filarmonia, Opera, Baleti dhe ansambli ‘Shota’ ta kenë shtëpinë e përbashkët, ndërtesën e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe logjikisht mund ta kenë një administratë që u shërben të gjithëve, që është kursim por edhe efikasitet”, ka thënë ministri i Kulturës. Ai ka mohuar se kjo mund të ketë ndikim negativ në punën dhe prodhimtarinë e tyre.

“Ne besojmë se puna që behet sot nga këto institucione duhet të vazhdojë njësoj. Pra edhe Baleti, ‘Shota’, Filharmonia dhe Opera të vazhdojnë me programet e tyre të rregullta vjetore edhe kur të fuzionohen, që i bie se edhe financimin e kanë të njëjtë. Edhe kodet mund të bëhen të ndara, por programet i kanë kështu siç i kanë. Dallimi është që e kanë një administratë dhe propozimi është që të rritet edhe bashkëpunimi mes tyre, pra përveç programeve vjetore të veçanta në vit të kemi dy deri në katër bashkëprodhime. Dhe këto janë produksione të përbashkëta”, ka thënë ministri Çeku. Kjo, sipas tij, e racionalizon punën, e kursen buxhetin, e rrit efikasitetin e administratës. “Financimin e kanë të garantuar, por e kanë një përbashkim dy-tri herë gjatë vitit. Një drejtor i përgjithshëm që e menaxhon krejt këtë institucion dhe udhëheqësit e veçantë”, ka thënë ai.

Shpjegimi që ka dhënë ministri nuk qe bindës për Mehmed Xhemajlin, drejtorin e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”. Ai ka theksuar rëndësinë e pavarësisë së institucionit në ruajtjen e vlerave kombëtare.

“Jam i mendimit që të jetë i ndarë ansambli ‘Shota’, posaçërisht për shkak të specifikave që ka në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kombëtare e që nuk mund të futemi në dance të tjera. Mendoj se do të kishte qenë edhe më efikase që të jemi të ndarë. Sa i përket drejtorit artistik, nuk mendoj se mund t’i kryeje të gjitha punët vetëm drejtori. Kontrollimi i tërë stafit aty do të jetë më problematike t’i arrijë që t’i kontrollojë të gjithë. Administrata është ajo e tilla që ne duhet të vrapojmë pas tyre. Nuk e di si do të bëhet që institucionet këto që janë tani për tani ta kenë administratën për shërbime publike, edhe të kenë prokurimin, të tjera shërbime”, ka thënë Xhemajli.

Edhe Qeveria shpall “politikën e re kulturore” për “dinjitetin e artistit” Kulturë Qeveria shpall “politikën e re kulturore” për “dinjitetin e artistit”

Opozita kritikon për centralizim

Bashkimin e institucioneve në një shtëpi të vetme e kritikuan edhe deputetët e opozitës.

Deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, ish-ministre e Kulturës, ka thënë se ato duhet të operojnë si të vetme.

“Fuzionimi i ‘Shotës’ te Baleti po mendoj që logjikisht më shumë shkojnë Baleti e Filarmonia bashkë, sepse zakonisht i kanë programet e përbashkëta, sesa ‘Shota’ , pra institucioni kombëtar i folklorit tonë të bashkëngjitet, por ajo duhet të jetë dhe unë jam që ajo të vazhdojë si e veçantë”, ka thënë Dumoshi.

E deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, ka thënë se kjo lloj mënyre rrezikon të krijojë centralizim të institucioneve qendrore.

“Për punën e racionalizimit dhe fuzionimit duhet pasur kujdes, sepse nëse flasim për një bashkëpunim dhe fuzionim simbolik në kuadër të pjesës së Baletit, Ansamblit Kombëtar dhe Operës, ndoshta edhe munden, nëse ne sigurojmë pavarësi të funksionimit të tyre dhe ndarje të kompetencave është diçka tjetër, mirëpo nëse mendojmë që aty të kemi një fuzionim duhet ta kemi shumë parasysh që Ansambli Kombëtar dallon jashtëzakonisht shumë me Baletin, Operën, Filharmoninë”, ka thënë Reshitaj.

Institucionet lokale, jashtë loje

Përveç nivelit qendror, në dëgjim publik u diskutua edhe për institucionet e nivelit lokal kulturor. Përfaqësuesit e teatrove të disa qyteteve ngritën shqetësimin për mënyrën e financimit dhe keqmenaxhimin që vjen nga komunat.

Drejtori i teatrit “Adriana” në Ferizaj, Fatmir Hyseni, ka thënë se komentet që jepen gjatë dëgjimeve publike asnjëherë nuk i janë marrë parasysh. Ai ka kritikuar nivelin e ulët të zbatimit të ligjeve në praktikë.

“Teatrot si institucion duhet të jenë si agjencitë qeveritare që e kanë buxhetin si ATK, rrogat shkojnë direkt, kurse buxhetin për investime, renovime e kanë në formë tjetër. Domethënë na duhet të kemi llogari bankare. Atëherë e ke kuletën në xhep dhe atëherë ke përgjegjësi për punën që e bën. Kjo është kryesorja. Buxheti është problem, sepse zgjedhjet na kanë mundësuar që kryetari të jetë administratori kryesor dhe ai duhet të zbatojë ligjet, por gjatë koalicioneve thotë drejtorinë për kulturë e ke ti, dhe i ndërron linjat buxhetore kur të duash dhe ne mbesim pa mëditje”, ka thënë Hyseni.

Edhe drejtoresha e teatrit “Avdush Hasani” në Podujevë, Elhame Kutllovci, ka përmendur problemet që u shkaktojnë mospërfillja e statusit të teatrit nga Komuna dhe Kuvendi Komunal. Ajo ka kërkuar që përmes këtij Projektligji të obligohen komunat t’i trajtojnë në mënyrë të dinjiteshme teatrot.

“Brenda këtij ligji kisha kërkuar që të vendoset një baraspeshim i të gjitha teatrove të Kosovës, në këtë rast i teatrove të qytetit që po na lënë në mëshirën e komunës. Jo gjithmonë te kryetarët e komunave do të ketë njerëz brenda institucioneve që e kuptojnë rëndësinë e kulturës dhe ne po varemi varësisht prej pozitave apo posteve politike që ata i vendosin në krye”, ka thënë Kutllovci.

Trajtim të njëjtë të teatrove komunale ka kërkuar edhe Xheneta Syka-Kelmendi, drejtoresha e Kulturës në Komunën e Pejës.

“Ajo çfarë dua të adresoj duke qenë që kemi shumë sfida që po krijojnë pabarazi qoftë në koeficiente, në trajtime e ndarje të buxheteve, pres nga ligji i ri që të gjitha së paku institucionet kulturore që janë lokale, domethënë jo të vendosura në kryeqytet, por janë institucione publike kulturore, të jenë njëjtë të standardizuara dhe normatizuara”, ka thënë Syka-Kelmendi.

Edhe Reforma në kulturë, decentralizim për ministrin e dyshuese nga artistët Kulturë Reforma në kulturë, decentralizim për ministrin e dyshuese nga artistët

E, ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka thënë se nëse marrin një masë për të rregulluar këtë çështje, do të konsiderohet cenim i autonomisë komunale.

“Çka kemi shtuar në këtë projektligj është financimi direkt nga Ministria për institucionet lokale të kulturës, sepse jemi të vetëdijshëm që me buxhetin që ndajnë komunat nuk munden me ia dalë. Sot sikur Ministria të dojë të financojë një teatër të qytetit është një kaos në vetvete burokratik, por me këtë projektligj po synojmë që ta eliminojmë që të krijojmë lidhje direkte”, ka thënë Çeku.