Kulturë

“Bashkëbisedim muzikor me Ilir Bajrin” për portretin unik të maestros

Ilir Bajri

Përurimi i monografisë “Bashkëbisedim muzikor me Ilir Bajrin” të Liburn Jupollit, të premten më 12 prill, në “Kino Armata” në Prishtinë

Nëse historia e jazz muzikës në Kosovë do të duhej të përcaktohej vetëm për një emër, ai do të ishte maestro Ilir Bajri. Tash veprimtaria e tij, rrëfimet për të, veprat e shumëçka tjetër, vijnë në monografinë “Bashkëbisedim muzikor me Ilir Bajrin” të Liburon Jupollit, e cila njashtu sikurse kryepersonazhi i kësaj vepre, del prej shablloneve të botimeve të tilla duke ofruar qasje tjetër në zbulimin e botës komplekse të një muzikanti krejt unik

Atmosfera në përurimin e librit “Bashkëbisedim muzikor me Ilir Bajrin” të Liburn Jupollit i ka shkuar fort edhe me vetë formatin e librit, i cili ndërtohet nga rrëfime të ndryshime figurash që kanë qenë pjesë e rrugëtimit artistik të mjeshtrit të jazzit. Para promovimit të librit, janë luajtur kompozime të Bajrit, si uverturë në botën e tij që priste të shpalosej në momentet në vazhdim. 

Por, këtë herë, jashtë kornizave të librit, bashkëbisedimi u realizua në “Kino Armata” me vetë Ilir Bajrin, autorin Liburn Jupolli, Olisa Çekajn si asistente e hulumtimit dhe Besa Luzhën e Dardan Selimajn, bashkëpunëtorë të Bajrit përgjatë karrierës së tij. 

Ky libër – i cili në gjykim të parë cilësohet si monografi e rëndomtë – qëndron larg normave konvencionale të të shkruarit monografi, pasi që e tërë përmbajtja ndërtohet nga bashkëbisedimet me subjekte të ndryshme për Ilir Bajrin. Krahas këtyre intervistave si metodikë e historisë gojore, narrativi në monografi pasurohet dhe me fotografitë ekskluzive të dala nga arkivat personale të Bajrit. Por, nuk mbetet me kaq. 

Aty ofrohet e tërë kronologjia e veprimtarisë, grupet në të cilat ai bënte pjesë, festivalet ku ishte pjesëmarrës, lista e instrumenteve të krijuara nga Bajri si përpjekje e vazhdueshme e tij për të eksploruar kapacitetet e teknologjisë në të bërit muzikë. Aty gjenden dhe skulpturat e tij tingullore, kompozimet e ndryshme për film e teatër e deri te lista e performancave të tij. 

Si pionier i muzikës jazz në Kosovë, Ilir Bajri, në biografinë e ofruar në faqet e para të monografisë, cilësohet si figurë komplekse, i cili njihet si kompozitor, performues dhe organizues i ngjarjeve dhe festivaleve muzikore në Kosovë. 

“Karriera e tij artistike dhe kompozicionale shtrihet me mbi 30 vjet aktive si performues në piano, tastiere elektrike të formave të ndryshme dhe modifikim e krijim të efekteve, si dhe prezantimin e një qasjeje postmoderne në artet ndërdisiplinore. Veprimtaria e tij lidhet ngushtë me trashëgiminë muzikore të shekullit XVIII-XIX në Kosovë dhe fuzionimin me zhvillimet muzikore moderne në Kosovë nga pjesa e dytë e shekullit XX në skenat alternative”, thuhet në biografi, teksa jepet dhe një hyrje në qasjen e tij filozofike të të menduarit, e cila përkthehet me një qasje muzikore po aq unike dhe komplekse. 

Në kontekstin e historisë së muzikës në Kosovë, dokumentimi i veprimtarive të artistëve si Ilir Bajri është thelbësor dhe del si i domosdoshëm për të kuptuar dhe ruajtur një trashëgimi artistike. Jeta dhe vepra e tij dekadëshe e konkretizuar në këtë libër ofron një kuptim të gjerë të evolucionit të tij artistik, kontributit dhe ndikimit të vazhdueshëm që kanë pasur ai dhe muzika e tij në identitetin kulturor të Kosovës. 

Gjatë shfletimit të librit bota e dendur evidentohet edhe si inspirim për përpjekjet e vazhdueshme të një krijimtarie të pastër artistike e cila buron natyrshëm dhe arrin të gjejë vend në realitet si e tillë, e natyrshme dhe konfliktuoze me normat, të cilat Bajri, nuk i ka pasur qejf. Kjo vazhdon të jetë kështu edhe sot. 

Për autorin Liburn Jupolli, puna me këtë monografi kishte nisur e inspiruar nga kompleksiteti i identitetit muzikor të Bajrit dhe afërsia e tij me veprimtarinë e tij muzikore. Sipas Jupollit, kjo monografi vjen në vazhdën e botimeve të shtëpisë botuese “Magmus”. 

“Fillimisht kam pasur rastin të mësoj prej Ilirit dhe të bashkëpunoj me të në raste të ndryshme. Ndërkaq, për këtë libër e kam pasur përparësinë sepse i kam njohur shumë gjëra në plan të parë, si rezultat i diskutimeve të gjata me të, përgjatë viteve”, ka thënë Jupoll, kompozitor, pianist, profesor i kompozimit dhe inovacionit muzikor në UBT. 

Botimit i është referuar si monografi alternative e cila thekson ndër të tjera edhe rolin që ka procesi i punës dhe qasja e një artisti përtej përqendrimit te veprat e tij. 

Ilir Bajri
Jeta dhe vepra e jazz muzikantit e konkretizuar në këtë libër ofron një kuptim të gjerë të evolucionit të tij artistik, kontributit dhe ndikimit të vazhdueshëm që kanë pasur ai dhe muzika e tij në identitetin kulturor të Kosovës

Monografia, figurën e Bajrit e qëmton me përpunim minimal duke e ruajtur karakterin e tij të nuancuar që nis qysh nga mënyra e shprehjes muzikore, stili, mënyra se si është shkruar, detajet teknike si faqosja e dizajni, duke e krijuar një ndjesi intime e të veçantë. 

Olisa Çekaj, historiane dhe hulumtuese për këtë libër, në një prononcim për KOHËN ka thënë se synimi parësor i ekipit ishte konsolidimi i një biografie për Ilir Bajrin. 

“Jemi mundu me sjellë një qasje të re, një format të ri që shpresoj që në të ardhmen do të kthehet në njëfarë standardi. Në të njëjtën kohë libri përmban dhe historitë gojore, përmes intervistave duke e krijuar ndjesinë përnjëmend se jeni duke e bërë një bashkëbisedim me Ilir Bajrin, duke filluar nga fëmijëria e tij e tutje”, ka thënë Çekaj. 

Si pjesë e panelit, profesoresha e Universitet të Prishtinës, Besa Luzha e ka vlerësuar Ilir Bajrin duke e cilësuar edhe si ikonë të jazzit. 

“Iliri gjithmonë ka qenë ikonë e jazzit. Gjenerata ime kur e kemi menduar jazzin fillimisht e kemi menduar Ilirin, kur është përmendur jazz muzika është përmendur dhe ai paralelisht”, ka thënë Luzha, duke u zgjeruar në analizën e karakterit të tij artistik. Sipas saj, Bajri u ik qasjeve konvencionale në çdo aspekt. 

“Iliri është shumë kërkues dhe nuk pajtohet me atë se çka gjendet e gatshme. Ai kërkon që të krijojë diçka të re, të kërkojë atë të pazbuluarën”, ka shtuar ajo, duke iu referuar edhe veprimtarisë se Bajrit, e cila lëvron rolin e teknologjisë në kompozimet muzikore nëpërmjet disa krijimeve të tija të cilat sipas Luzhës, dëshmojnë karakterin me shumë anë të tij. 

Në promovimin në formë bashkëbisedimi, vazhdimisht është potencuar roli i edukimit joformal dhe nevoja që gjeneratat e reja sot të kenë mundësi të eksplorojnë mënyra të reja të mësimit, larg kornizave të studimit të muzikës. Ky diskutim, ka ardhur në frymën e vetë qasjes së Bajrit, i cili një pjesë të konsiderueshme të formimit të tij profesional e ka nga edukimi joformal. Sipas gjykimit të tij, qasja formale në edukim ka qenë gjithnjë më e ftohtë. 

Ilir Bajri si burim i rëndësishëm për të, në fillet e marrëdhënies së tij me muzikën kujton të këtë qenë mësuesja e tij dhe pikërisht qasja e saj e hapur e cila do t’ia trasonte rrugën. Bajri ka qenë fjalëpaktë në përurimin e librit për të. Por, me të pranishmit ka ndarë botëkuptimet e tij teksa ka folur edhe për dokumentimin që i bëhet historisë sot. Ka dhënë mesazhin se duhet fokusuar te e tashmja e të jetohet ajo si tërësi. 

“Të gjithë e vërejmë besoj se sa shumë flasim për të kaluarën dhe besoj kjo nuk është e mirë. Mirë është me e marrë parasysh atë dhe me e trajtu si një bibliotekë të përvojave por jo ndoshta me e trajtu atë emocionalisht. Ardhmërinë duhet me e trajtu emocionalisht sepse ajo është abstrakte, ndërkaq kombinimi i të dyjave besoj që ndihmon më shumë që me kapë të tashmen”, ka thënë Bajri. 

Takimin e parë me Ilir Bajrin, producenti Dardan Selimaj e kishte pasur në vitin 2002, si adoleshent.

Ndeshja e parë me veprimtarinë e tij artistike kishte qenë krejt e veçantë për të dhe më pas do të zhvillohej në bashkëpunime të shumta midis tyre. Do t’i bashkohej në organizimin e “Prishtina Jazz Festival” themeluar prej Bajrit e që u bë adresa kryesore e skenës së jazzit jo vetëm në Kosovë. 

“Për mua si nxënës i shkollës se mesme ka qenë ballafaqimi i parë me një koncert që ka qenë në një dimension tjetër në raport me gjithçka që kam pasur mundësinë të shoh në atë kohë”, ka thënë Selimaj, njëherësh menaxher i Filarmonisë së Kosovës. Është ndalur edhe te roli që “Prishtina Jazz Festival” ka pasur në afirmimin e jazz muzikës në Kosovë. 

“Një pjesë e mirë e jazz muzikantëve që i kemi tash, inspirim e kanë pasur ‘Prishitna Jazz Festivalin’, pasi që shkollë formale të jazzit nuk ka pasur, ai festival ka shërbyer vetë si shkollë”, ka shtuar Selimaj për festivalin i cili prej vitit 2005 deri më 2014 me dhjetë edicione shënoi kapitullin unik të muzikës në këto anë. 

E, Ilir Bajri është emër i përveçëm në historinë e muzikës. “Bashkëbisedim...” është mundësia për t’u njohur me universin e tij.  

Lexo edhe:

Lexo edhe: