Kulturë

Baleti në tjetër nivel me klasikë, sfidohet edhe në skenën me vrima

Në skenën e bardhë me shenja të zeza për t’i mbuluar vrimat, Baleti Kombëtar i Kosovës solli premierën e dytë për sivjet, me mbizotërimin e frymës klasike, që është zanafilla i këtij arti. “Concerto Con Brio” nga Yannick Boquin dhe “Untitled” nga Siner Gonenc Boquin bëri bashkë intensitetin, romantiken, përmirësimin e teknikes e koordinimin preciz të lëvizjeve

Premiera e dytë e Baletit Kombëtar të Kosovës dëshmoi potencialin e balerinëve dhe nevojën e tyre të vazhdueshme për përmirësim teknik. Dy koreografë të huaj sollën frymë klasike në vend. Mirëpo, si në çdo shfaqje tjetër, balerinët pavarësisht cilësisë që vjen gjithnjë në përmirësim e sipër, ende vazhdojnë të përballen me kushte jo të lehta të punës. Skena në të cilën shtrijnë puandet është e papërshtatshme dhe me vrima të vogla, të cilat mund të shkaktojnë edhe lëndimin e tyre dhe ndërprerjen e karrierës profesionale.

Image
Premierën botërore të shfaqjes “Untitled”, koreografja Siner Gonenc-Boquin ua besoi pikërisht balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës. Këtë e bëri duke i parë kushtet goxha kufizuese dhe të pamjaftueshme të balerinëve (Foto: Bardha Neziri)

Pjesa e parë e “Concerto Con Brio” nën koreografi të Yannick Boquin, në secilin prej tre akteve tregon një gjurmim më të thellë në motive të ndryshme, por secila prej tyre me mbizotërimin e frymës klasike. Me kostume shumëngjyrëshe, shfaqja e cila premierën botërore e ka pasur në Norvegji, hapjen e pati me lojën e balerinëve në ndërrime skenash shoqëruar me “Piano Concerto No.2” të Shostakovichit.

Krejt ndryshe nga pjesa e parë, është e dyta. Nën mjeshtërinë e vallëzimit të Jeta Musollit e Sead Vuniqit, shpaloset rrëfimi romantik, të cilat me delikatesën e interpretimit, portretizojnë ikjet lajkatare të dashurisë, rikthimin dhe humbjen e të dashurës. Fundi i kësaj shfaqjeje nuk qe prej të zakonshmeve. Në vend të qetësisë finale përkundrazi u ndje kulmi i intensifikimit të lëvizjeve dhe gjallërisë skenike, për t’i hapur rrugë edhe shfaqjes së dytë.

Yannick Boquin ka diplomuar në Shkollën e Baletit dhe Operës dhe Konservatoriumin Ndërkombëtar të dyja në Paris, teksa si balerin ka performuar në Baletin e Bonit, Baletin Mbretëror të Flandrisë, Operën e Baletin e Romës dhe Deutsche Opera Berlin.

Ndërkaq, Siner Gonenc Boquin ka qenë pjesë e Operës dhe Baletit shtetëror në Izmir të Turqisë për 16 vjet, duke qenë balerinë, drejtoreshë dhe drejtoreshë artistike.

Image
“Untitled” teknikisht kërkon më pak mund, por gjithë çfarë u duhet balerinëve janë korrektësia, saktësia dhe koordinimi në lëvizje

Premierën botërore të shfaqjes “Untitled”, koreografja Siner Gonenc-Boquin ua besoi pikërisht balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës. Këtë e bëri duke i parë kushtet goxha kufizuese dhe të pamjaftueshme të balerinëve, por insistimin e tyre të vazhdueshëm për ta mbajtur gjallë institucionin e vetëm publik të baletit në Kosovë. Për dallim nga shfaqja të cilën e asistoi gjatë provave, vepra e saj “Untitled”, të cilën qëllimshëm e la pa emërtim, ishte më e komplikuar. Teknikisht kërkon më pak mund, por gjithë çfarë u duhet balerinëve janë korrektësia, saktësia dhe koordinimi në lëvizje. Ajo nuk i duron lajthitjet në performancë dhe qysh në provat e para qe tejet strikte dhe precize.

Koreografja Siner Gonenc-Boquin pas premierës ka çmuar mënyrën e punës së balerinëve edhe në kushte të tilla. Ka pasur kritika për institucionet për mënyrën se si i kanë lënë të operojnë balerinët. Vetë është ulur në skenë dhe ka prekur shenjat e zeza të cilat ishin të vendosura në skenë, nën të cilat kishte gropëza të vogla. Ka kërkuar empati për balerinët, duke thënë se operimi në gjendje të tillë është rrezikim për karrierën e tyre profesionale.

“A po i shihni këto shenja të zeza? Nën këto ka vrima dhe ata i kanë vendosur shenjat për të mos u rrëzuar në to dhe kjo s’do të duhej të ndodhte. Është shumë e rrezikshme, kjo mund ta ndalojë karrierën e tyre si balerinë. Por ata sërish nuk ndalen dhe po provojnë të bëjnë më të mirën e tyre”, ka thënë koreografja turke.

Me prejardhje nga Izmiri i Turqisë, ajo ka përmendur se gjatë periudhës kur ka punuar në vendlindje, ka hasur në teatro dhe trupa të baletit të vogla si Baleti Kombëtar i Kosovës. Por qe 15 vjet s’përballet me gjendjen e njëjtë meqenëse tash e një kohë ka bashkëpunime nëpër Evropë.

“Mehmet Balkan na ftoi, njihemi dhe është shok shumë i mirë për ne. Na tha se është shumë mirë nëse mund t’i ndihmojmë (Baletit Kombëtar të Kosovës). Na tha se ‘janë njerëz të mirë, teknikisht ndoshta jo aq të përparuar, por janë fëmijë të luftës, kanë thyerje të mëdha në jetë, në edukimin e baletit’”, ka thënë ajo për të vazhduar tutje s’i ka vendosur limite vetes në raport me ta dhe tashmë është e kënaqur nga puna e tyre.

Për “Concerto Con Brio” ka thënë të jetë shfaqje që ka pasur kërkesa të larta teknike gjatë provave, ndërkaq “Untitled” e kanë realizuar brenda pak javësh.

“Ne jemi mësues të baletit, truri ynë punon rreth koordinimit, muzikës. Ai është burrë, unë jam grua dhe mund të shihni dallimet edhe në personalitete përmes shfaqjes”, ka thënë Gonenc-Boquin për të vazhduar listën e dallimeve profesionale mes saj dhe koreografit Yannick Boquin, të cilin e ka edhe bashkëshort. “Unë jam më e komplikuar edhe në jetën personale. Ai është më i thjeshtë, por me muzikalitet. Unë e dua matematikën, pjesa ime erdhi me shumë muzikë e distancë. Te bashkëshorti im është mbizotëruese teknika franceze, me muzikë, lëvizje të vogla. Diferenca më e madhe është kjo”, ka thënë ajo.

Image
Akti i dytë i shfaqjes “Concerto Con Brio” qe tërësisht romantik i fuqizuar edhe prej duetit Sead Vuniqi dhe Jeta Musolli

Nuk mund të bëjë dallim midis balerinëve, por thotë se është i pamohueshëm fakti se ata punojnë shumë. Kur pyetet për publikun kosovar, ka thënë se ka pritur më shume persona në sallë.

“Por më thanë se në fillim janë më pak, sepse vijnë me ftesa. Por e di që baleti gjithmonë e mbush sallën dhe balerinët e meritojnë vëmendjen e publikut”, ka thënë ajo.

Akti i dytë i shfaqjes “Concerto Con Brio” qe tërësisht romantik, e portretimin e ikjeve të dashurisë e sollën mjeshtërisht Sead Vuniqi dhe Jeta Musolli.

“Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë, nuk ka qenë e lehtë sepse kërkesat e tyre kanë qenë të larta, ata e kanë parë që pandemia ka ndikuar në çdo trupë të baletit, kanë qenë pak më skeptikë në atë që e kanë kërkuar”, tha Vuniqi për bashkëpunimin me koreografët e huaj.

Sipas tij, kësaj radhe janë paraqitur para publikut me teknikë e nivel të ngritur artistik, duke ia lënë fajin pauzës pandemike për shfaqjet e tjera.

“E para ka kërkuar teknika të ndryshme klasike nga meshkujt e nga femrat. Kjo e ka bërë më të veçantë, (koreografët) e kanë shfrytëzuar këtë shfaqje, janë munduar që me lëvizje ta bëjnë publikun të ndiejë diçka, por edhe ne të sfidohemi si balerinë”, u shpreh ai.

“Untitled” e ka cilësuar si tentativë për lartësim të balerinëve në aspektin teknik në mënyrë që të krijohet “diçka e re, më e bukur dhe më e ndjeshme”.

“Jemi shumë mirënjohës ndaj çdo koreografi se gjithmonë na sjellin diçka të re. E reja te pjesa e parë ka qenë që na ka sfiduar goxha shumë nga pjesa teknike, që të arrijmë nivelet që duhet t’i ketë baleti teknik”, ka thënë Vuniqi.

Si të palodhshme dhe punëtore deri në rreptësi për të arrirë maksimumin e balerinëve, e ka cilësuar koreografen balerina Jeta Musolli.

“Provat kanë qenë sa të lodhshme aq të bukura. Mendoj që publiku u nda i kënaqur”, ka thënë ajo duke tërhequr paralele midis dy pjesëve. “Pjesa e parë ka qenë më precize, njëjtë si për gjithë grupet, pjesa e dytë ka qenë më e lëvizshme muzika ka qenë më e gëzueshme, edhe ne kur e përfunduam pjesën e parë ishim më të lirë”, ka thënë ajo.

Saktësi dhe koordinim ka thënë të jetë dashur gjatë shfaqjes, teksa për pjesën romantike të “Concerto Con Brio” ka thënë se ka qenë shumë e ndjeshme.

“Është kënaqësi të vallëzosh me Seadin, një nga partnerët me të cilin gati gjithmonë vallëzoj. Ka qenë një punë që jemi munduar të dalë sa më mirë”, ka thënë ajo, me shpresën se kanë përçuar energji pozitive te publiku.