Ka ende kohë deri te ngjitja në skenën e Venecias, e cila merr frymë me balet, operë e muzikë klasike, por Baleti Kombëtar i Kosovës pret shkëlqim dhe shenjat për një pritje unike tashmë janë dhënë. Një teatër katër shekuj i vjetër do të jetë nikoqir i “Carmina Buranas” së Carl Orffit, me koreografi të Toni Candeloros. “Për ne është definitivisht një prej ngjarjeve më të mira që na ndodh në vitin 2025”, ka thënë koreografi e balerini, Sead Vuniqi. Potenza është një tjetër qytet i rezervuar për “Carminan...” e Kosovës
Në fundqershor, Baleti Kombëtar i Kosovës qe pjesë e një spektakli të muzikës klasike e projekti madhështor si produkt i bashkimit të tri institucioneve shtetërore, Filharmonisë dhe Operës së Kosovës. Kantata skenike “Carmina Burana” e Carl Orff u soll e plotë, bashkë me vallëzim klasik si peizazh abstrakt i veprës me lëvizje nga koreografi e balerini i shquar italian, Toni Candeloro. E njëjta skenografi do të udhëtojë në Venecia e më pas edhe në Potenza të Italisë.
Në festivalin “Venezia in Danza”, që zhvillon edicionin e 17-të prej 29 nëntor deri më 7 dhjetor, Baleti Kombëtar i Kosovës është midis institucioneve që ngjitet në teatrin “Malibran”, që daton prej katër shekujve.
Koreografi e balerini Sead Vuniqi e ka konsideruar këtë moment si një prej ngjarjeve më të rëndësishme të institucionit për këtë vit.
“Është një pjesëmarrje jashtëzakonisht e madhe për ne si institucion shtetëror duke e ditur se Venecia është një prej vendeve më të mira dhe më të lashta sa u përket kulturës klasike, baletit e të tjera. Kanë shumë traditë, por edhe për mënyrën se si e vlerësojnë, si e marrin gjithë kënaqësinë prej shfaqjes. Për ne është definitivisht një prej ngjarjeve më të mira që na ndodh në vitin 2025 dhe urojmë që të shkojmë dhe të prezantohemi në mënyrën më të dinjitetshme”, ka thënë Vuniqi në një bisedë me KOHËN.
Institucioni shtetëror i baletit prezantohet për të parën herë në qytetin e kanaleve, me performancën nga “Carmina Burana”, ku lëvizjet e baletit janë abstrakte, por vajtojnë e festojnë fatin e njeriut që përherë ndryshon.
Sipas Vuniqit, kjo është një prej veprave më reprezentuese në repertorin e Baletit.
“Besoj se është një prej veprave më të mira që mund ta prezantojë Baletin Kombëtar duke ditur që veprat klasike kanë një bagazh shumë të madh dhe janë prej veprave që vlerësohen më së shumti. Besoj se ky do të jetë projekti më i mirë që na prezanton në festivalin në Venecia”, ka konsideruar ai.
Ka treguar se ka marrë vesh që ka shumë të interesuar për ta parë shfaqjen njëorëshe.
“Sa kam marrë vesh, ka shumë të interesuar për të ardhur për ta parë punën e Baletit Kombëtar të Kosovës e njëkohësisht edhe të Tonit, i cili është shumë i njohur në Itali si koreograf dhe si balerin”, ka thënë ai.
Pos në Venecia, shfaqja do të jepet edhe në qytetin Potenza, më 1 dhjetor. Vuniqi ka treguar se ka qenë koreografi Candeloro, i cili e ka propozuar veprën për t’u shfaqur në të dyja vendet.
“Ka qenë vetë koreografi i cili ua ka prezantuar teatrit në Venecia dhe atij në Potenza, e kanë parë punën, duke e ditur që Toni Candelero është një prej emrave të njohur në Itali dhe në mbarë botën si artist dhe si koreograf. U ka pëlqyer i gjithë projekti të cilin e ka realizuar me ne dhe vetë teatri ka qenë i interesuar që kjo vepër të jepet në Venecia më 29 nëntor. Pos kësaj, e ka bërë të mundshëm që me këtë rast vepra të prezantohet edhe në një tjetër qytet, shumë pranë Venecias”, ka thënë Vuniqi.
Në prezantimin e veprës përfshihet deklarata e koreografit Candeloro për baletin “Carmina Burana”.
“Personalisht, doja të merrja frymëzim për skenat e shumta në koreografinë e ‘Carmina Burana’, të cilën e krijova për Baletin Kombëtar të Kosovës, pikërisht duke evokuar njohjen dhe admirimin që pata përmes përvojave të mia me disa nga koreografët e mëdhenj të shekullit të njëzetë... E mbaj mend atë në muzikën e një artisti tjetër nga atdheu i tij, Carl Orff, në skena që alternojnë midis vallëzimit neoklasik dhe modern, plasticitetit dhe lojës primitive, në një mjedis abstrakt dhe surreal”, shkruhet aty.
Teatri “Malibran”, ku do të interpretojë BKK, është përuruar në vitin 1678 me premierën e operës “Vespasiano” të Carlo Pallavicinos. Sipas shënimeve, atëkohë shpejt u bë i njohur si teatri më i madh, më i bukur dhe më i pasur në qytet. Në vitin 1834 u restaurua, ndërsa tre vjet më pas ndryshoi emrin në “Teatro Malibran”, për nder të këngëtares së famshme spanjolle, mexosopranos Maria Malibran.
Ndër vite, teatri u shit, iu ndryshua pamja, u mbyll deri në vitin 1992, kur komuna e Venecias e bleu. Pas gati një dekade punimesh aty, në maj të 2001-tës u hap si teatër me 900 ulëse, duke vazhduar traditën e institucionit edhe sot.
Aty zhvillon veprimtarinë festivali “Venezia in Danza”, që në program ka edhe institucione prestigjioze si Baleti i Romës, që shfaq baletin “Romeo dhe Zhulieta” nga koreografi dhe regjisori Fabrizio Monteverde.
Nën dirigjimin e mjeshtrit japonez, Toshio Yanagisawa, me koreografi origjinale të Toni Candeloros, me përfshirjen e solistëve ndërkombëtarë dhe një trupe të gjerë artistësh vendas, kantata skenike “Carmina Burana” e kompozitorit gjerman, Carl Orff, qe sjellë në Prishtinë në fundqershorin e këtij viti.
“Publiku e pati pritur mjaft mirë atë çfarë pati sjellë Baleti bashkërisht me Filharmoninë dhe me Operën e Kosovës, kështu që uroj që edhe ne këtë herë do të kalojmë mirë dhe do të përshtatemi. Prova aktualisht nuk janë duke u mbajtur pasi jemi në një tjetër projekt, muajin tjetër besoj se startojmë me provat për ‘Carmina Burana’”, ka thënë koreografi e balerini Sead Vuniqi.
Festivali në të cilin BKK-ja interpreton shquhet për aftësinë për të bashkuar gjuhë, estetikë dhe vizione të ndryshme në dialog midis traditës dhe inovacionit.
“’Veneziaindanza’ ofron një përzgjedhje të kuruar shfaqjesh çdo vit, që e transformojnë Venecian në një skenë të shkëlqyer, ku vallëzimi takohet me artin, historinë dhe arkitekturën e qytetit të kanaleve”, shkruhet në prezantimin e festivalit.
Lexo edhe: