Kur i kërkohet të bëjë ndonjë piruetë sa për demonstrim, duket sikur bashkë me lëvizjet e saj prej balerine kthehen edhe kujtimet kur e nisi rrugën e artit. Ishte viti 1968 kur ajo iu bashkua gjeneratës së parë të balerinëve të Kosovës, të cilët u shkolluan në Shkup. Sot jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prej skenës u largua më 1991, por asnjëherë prej artit të baletit që tash është brumosur si dashuri e pashtershme. Shqipe Hoxha flet për fillet e saj, kur pakkush e dinte se ç’ishte baleti, për thyerjen e paragjykimeve në atë kohë, rolet e preferuara e për gjeneratën e tanishme të atyre që ndjekin rrugën që ajo e kolegë të saj ua shtruan këtu e më shumë se gjysmëshekulli më parë
Shqipe Hoxha u bë pjesë e gjeneratës së parë të balerinave të Kosovës, që ndoqën ëndrrat e tyre dhe i vunë themelet e Baletit Kombëtar të Kosovës. Në këtë rrugëtim ajo theu paragjykimet, duke ia dhënë shpirtin skenës.
Por, në fëmijëri ajo ëndërronte të bëhej mjeke. Madje, në shtatorin e vitit 1968, u regjistrua në Shkollën e Mesme të Mjekësisë. Por, qe audicioni që ia ndryshoi jetën përgjithmonë. Një grup profesionistësh të baletit ua kishin mësyrë shkollave të mesme të Kosovës për t’i zgjedhur të rinjtë që do ta formonin trupën e parë të baletit në vend. Mes tyre ishte zgjedhur edhe Shqipja.
Ishte gëzuar shumë, edhe pse kurrë më parë s’e kishte menduar veten si balerinë. Me t’u kthyer në shtëpi i kishte treguar së ëmës, e cila e kundërshtoi atë, pasi donte që vajza t’i bëhej mjeke.
“Isha në dilemë se si t’u tregoja prindërve. Kur shkova në shtëpi i thashë nënës që unë dëshiroj të shkoj në shkollë baleti. Më tha: ‘Po çfarë shkolle është ajo?’ Ishte viti 1968. Unë i thashë se aty po kam dëshirë”, ka thënë Hoxha. Kur i kishte treguar babait, ai e kishte pyetur nëse kishte shumë dëshirë ta ndiqte atë rrugë.
“I kam thënë: ‘Po, tepër po më pëlqen’. Dhe më tha: ‘Shko”, ka kujtuar ajo.

Shumë pak njerëz e kuptonin atëbotë se çfarë ishte baleti dhe po aq pak rëndësinë e këtij profesioni.
“Shumë njerëzve – kur e kanë pyetur ‘në çfarë shkolle e ke dërguar vajzën’ – ai u ka thënë që është shkollë specifike, pasi në Gjakovë nuk kanë ditur se çfarë është baleti. U ka thënë ‘është një lloj artisteje, po kam pasur dëshirë që një fëmijë timin ta flijoj për art të Kosovës’”, ka thënë Hoxha.
Me mbështetjen e të atit, Shqipja e la shkollën e mjekësisë vetëm dy muaj pasi e kishte filluar, për ta nisur kësisoj një rrugëtim të ri.
“Menjëherë kam shkuar në Shkup, ku i jam bashkangjitur grupit dhe kemi filluar. Shkolla ka qenë sikur gjimnazi këtu te ne, mirëpo lëndë profesionale kanë qenë ushtrimet e baletit, piano, baleti modern, solfezhi, pra disa lëndë që ishin më profesionale”, ka treguar ajo. Ka thënë se kur kishin filluar kishin qenë një grup më i madh.
“Kemi qenë gjashtë gra dhe të tjerët kanë qenë burra. Në vitin e parë katër vajza u larguan dhe mbetëm vetëm unë dhe Esma Mulla”, ka thënë ajo.

Shqipe Hoxha e kreu shkollën e baletit në Shkup dhe e filloi punën si balerinë kur ishte 20 vjeçe. Ajo i takon gjeneratës së parë të balerinave në Kosovë dhe u vlerësua lart për shumë role e shfaqje, mirëpo paraqitja e saj më e dashur ishte në shfaqjen “Baresha”, ku pati rolin kryesor.
“Ka pasur edhe balet në stilin më kombëtar, por edhe balet klasik. Kam pasur një rol më komik te shfaqja ‘Vallja e kadetëve’, që më ka lënë një përshtypje të mirë, pastaj shfaqja ‘Halili e Hajria’ me të cilën kemi pasur sukses dhe kemi qenë nëpër turne në Shqipëri, ku na kanë pritur shumë mirë. Kemi korrur suksese, por unë kam luajtur prej vitit 1972 deri në vitin 1991”, ka thënë ajo.
Në vitin 1991, kur Kosova ishte nën masa të dhunshme nga regjimi serb, u ndaluan shfaqjet në Teatrin asokohe Krahinor Popullor, tash Teatri Kombëtar i Kosovës.
Shqipe Hoxha thotë ta ketë përjetuar rëndë largimin nga skena dhe u mundua shumë ta mbante veten të angazhuar.
“Diku nëntë vjet kam qenë pa punë, por jam marrë në shtëpi me balet. Kam pasur shoqëri të madhe dhe me fëmijët e vajzat e tyre kam punuar ngapak në shtëpi, edhe pse nuk kam pasur studio timen”, ka thënë ajo.
Pas çlirimit, në vitin 2000, u rikthye në skenë bashkë me balerinët e gjeneratës së vjetër për shfaqjen “Fyelltari” të Baletit Kombëtar të Kosovës. Kjo ishte dalja e saj e fundit në skenë. Por, baleti mbetet dashuria e saj.
“Është një profesion më të vërtetë i vështirë, pasi llogaritet me benificion, ta formon trupin, lëvizjet... Janë disa gjëra, finesat i ke pak më ndryshe gjatë jetës”, ka thënë ajo.

Sidoqoftë, nga baleti nuk u largua asnjëherë. Kur kthehet në Kosovë, pasi tani jeton në SHBA, përcjell me shumë dashuri shfaqjet e trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës.
“Kjo gjenerata e re, sipas meje, është më e mirë se ne. Ne i kemi pasur kushtet pak më të këqija dhe kemi qenë ansambël i vogël, edhe pse kemi pasur gjithmonë përforcim nga Anglia, Filipinet, Gjermania, Bullgaria e Maqedonia. Por, këta janë grupi i vetëm që janë të gjithë shqiptarë dhe më pëlqejnë shfaqjet e tyre dhe vazhdimisht kur jam këtu vij dhe i shoh ato shfaqje”, ka thënë ajo, gjersa ka treguar se kurdo që është e pranishme nëpër shfaqje dëgjohet zëri i saj duke thënë: “Bravo! Bravo!”.
Ajo është e bindur se gjeneratat e ardhshme do t’i sjellin suksese më të mëdha Kosovës sa i përket baletit. Për të rinjtë ka një porosi: Ushtroni sa më shumë balet!
Hoxha me shembullin e saj frymëzues ua hapi rrugën edhe grave të tjera të ngjiteshin në skenë. Kujtimet e atyre viteve i ruan me shumë nostalgji. Herë pas here viziton edhe Teatrin Kombëtar, që gjithmonë do të mbetet një shtëpi e dytë për të.
