Baki Jashari është zgjedhur drejtor i Filharmonisë së Kosovës edhe për një mandat. Është i katërti me radhë. Të hënën Këshilli Drejtues i Këtij institucioni ka vendosur që edhe për tri vjetët e ardhshme, Filharmonia të udhëhiqet nga Jashari. Konkurrentë të tij për këtë pozitë ishin fagotisti i Fiharmonisë, Meriton Ferizi dhe kitaristi, Naser Dula. Ky i fundit nuk ia kishte dalë që të jetë pjesë e intervistave, pasi nuk e kishte kaluar testin me shkrim.
Jashari udhëheq me Filharmoninë e Kosovës qysh prej qershorit të vitit 2006.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, në konkursin për këtë pozitë ia ka dalë që të mbledhë 96,05 pikë. Sipas konkursit të hapur në dhjetor të vitit të kaluar, në këtë pozitë mund të zgjidhen personat me përgatitje profesionale universitare në fushën e muzikës. Kritere të tjera ishin: shtatë vjet përvojë pune, katër prej tyre në pozitë udhëheqëse, aftësi të mira komunikuese, negociuese e udhëheqëse.
Sipas konkursit, drejtori udhëheq punën në Filharmoninë e Kosovës, miraton programin vjetor me pëlqim paraprak të Këshillit Drejtues, mbikëqyr punën e trupave artistike dhe është përgjegjësi kryesor ekzekutiv i institucionit.
I lindur më 1960 në Prishtinë, Jashari kreu Shkollën e Mesme të Muzikës e studimet për kompozim i përfundoi më 1984 në Akademinë e Muzikës në Lubjanë. Gjatë viteve 1987-1990 ai drejtoi Korin Profesional të Radio Televizionit të Prishtinës. Prej vitit 1990 deri më 2000 ka jetuar dhe punuar në Lubjanë të Sllovenisë si pedagog i lëndëve teorike dhe dirigjent i Orkestrës Harkore të Shkollës së Muzikës. Krijimtaria e tij përfshin disa vepra korale, vokalo-instrumentale, orkestrale dhe sinfonike. “Passacaglia” për orkestër harqesh, “Pakëz në ëndërr-pakëz ne zhgjëndërr” për kor dhe recitues, “Lutje” për soprano dhe piano, “Simfonietta in due tempi”, janë disa prej kompozimeve të Jasharit.