“Do të isha i kënaqur që në fund të mandatit ta përjetoja inaugurimin e objektit dhe premierën e një opere. Kjo është një ëndërr e imja”, thotë prerazi Baki Jashari, i cili edhe për tre vjet do ta drejtojë Filharmoninë e Kosovës në mandatin e katërt. Ky cak zbërthen gati krejt kërkesat e synimet e Jasharit, por edhe të atyre që janë pjesë e institucionit më të lartë të muzikës në vend. Ka vite që një sallë koncertesh ka mbetur vetëm premtim
Një ditë para koncertit të Orkestrës Harkore gjendet në sallën ku do të luajnë instrumentistët. Jo se ka ndonjë punë konkrete e që nuk bëhet ndonjë gjë pa qenë aty, por ka dëshirë që të sigurohet që gjithçka është duke shkuar sipas planit. Bile, interesohet për secilin skaj. Madje kontrollon edhe pastërtinë e hapësirës. Është krejt në fillim të mandatit të katërt.
Por Baki Jashari duket me zellin e ditës së parë si drejtor i Filharmonisë së Kosovës. Ata që e njohin ia dinë edhe këtë aspekt. Prej qershorit të vitit 2006 udhëheq institucionin më të lartë muzikor të vendit. E di se si merr frymë Filharmonia. Një pjesë të objektivave që ka pasur i ka çuar në cak. Pas mandatit të katërt, nuk do të mund të zgjidhet më në këtë pozitë pasi duhet të pensionohet. Në mendjen e tij ideale do të ishte sikur pas tre vjetëve karrierën prej drejtori ta mbyllte goxha solemnisht. Jo vetëm për vete, por edhe për institucionin e shtetin.
“Një institucion si Filharmonia nuk i ka kushtet elementare”
“Do të isha i kënaqur që në fund të mandatit ta përjetoja inaugurimin e objektit dhe premierën e një opere. Kjo është një ëndërr e imja”, thotë Jashari, i lindur më 1960 në Prishtinë. Disa prej ëndrrave i ka realizuar. Shumica prej 400 vetave që në majin e vitit 2019 kanë ndjekur koncertin e Filharmonisë së Kosovës në Paris, pas ndjesisë që kishte krijuar interpretimi, mund të kenë menduar që bëhet fjalë për një institucion me traditë të paktën disadekadëshe. Pakkujt pas koncertit në katedralen “Saint-Louis-des-Invalides” mund t’i ketë shkuar mendja që institucioni ishte në fund të dekadës së dytë pas themelimit e që Kori bashkë me Orkestrën mbajnë prova në një sallë prej rreth 150 metrash katrorë.
“Ne në baza ditore duhet t’i mbyllim vrimat e tavanit pasi pikon shiu. Duhet të bëjmë presion me kërkesa agresive demokratike deri në bojkot të punës”
Koncertin e Parisit, ku u interpretua vepra bashkëkohore e kompozitorit Karl Jenkins, “Njeriu me armë” me nëntitull “Meshë për paqe”, Jashari e përmend si një prej “testeve” në kryeqytetet evropiane të cilin Filharmonia e ka kaluar sa i përket cilësisë. Por menjëherë përmend një “test” të cilin shteti nuk e ka dhënë në raport me institucionin: krijimin e kushteve infrastrukturore.
Ushtrimet i mbajnë në një sallë me kushte minimale e koncertet i japin në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në kishën “Shën Ndou” e në hapësira të tjera alternative.
“Çështja e infrastrukturës, ose e ndërtesës vetanake është çështje që i tejkalon kompetencat e Filhamonisë, por edhe të Ministrisë së Kulturës. Është çështje e nivelit qendror. Të gjithë i dimë tentativat e dështimet”, thotë Jashari me goxha dëshpërim. Përmend se ka qenë goxha i zhurmshëm e jo pak kritik në relacion me organet përgjegjëse.
“Njëzet vjet pas luftës një institucion si Filharmonia nuk i ka kushtet elementare”, thotë ai. Kthehet prapa në kujtesë në vitin 2009. Në dhjetorin e atij viti qenë vënë themelet e teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”, që bashkë me projektin kushtuan mbi një milion euro dhe puna u ndërpre në fillim, për të mos nisur kurrë më. Kjo për Jasharin nuk është brenga e vetme.
“Për mua primare ka qenë ngritja e cilësisë. Planifikimi programor në periudha afatgjata e ka ngritur nivelin. Programi e detyron institucionin që ta ngrejë nivelin interpretativ”
“Krahas infrastrukturës, duhet të diferencohet edhe një çështje tjetër. Një është ndërtesa ku jepen koncertet e një tjetër është objekti vetanak. Flitet për teatrin e operës dhe baletit. Ne nuk kemi institucion të operës. Ne edhe Filharmoninë që e kemi, e kemi të pakompletuar”, thotë ai. Opera ekziston me Ligj, por jo edhe praktikisht. Infrastrukturën aktuale, ku ushtrojnë Kori dhe Orkestra – në ndërtesën komunale prapa Ministrisë së Kulturës në Prishtinë – e përshkruan si katastrofë. Përmend detaje me të cilat nuk përballen as filharmonitë e rajonit.
“Nuk po kërkojmë mrekulli...”
“Ne në baza ditore duhet t’i mbyllim vrimat e tavanit pasi pikon shiu. Duhet të bëjmë presion me kërkesa agresive demokratike deri në bojkot të punës”, thotë ai me bindje.
Ndërtimin potencial të objektit të operës dhe baletit e sheh me dyshim edhe nga një tjetër aspekt. Thotë se në këtë rast mbetet e paqartë se ku do të ngelet Filharmonia.
“Nuk po kërkojmë mrekulli. Por një objekt me një sallë prej një mijë ulësesh dhe kushte më të mira për prova”, thotë ai.
Nga një tjetër plan, derisa hedh një vështrim në të kaluarën, thotë se është punuar goxha në përmirësimin e cilësisë e në ngritjen e kuadrove. Pos aspektit numerik, është investuar edhe në atë profesional.
“Një ministër pati thënë se ‘nuk ka nevojë të brengosemi për dy autobusë njerëz’, duke iu referuar Filharmonisë”
“Për mua primare ka qenë ngritja e cilësisë. Planifikimi programor në periudha afatgjata e ka ngritur nivelin. Programi e detyron institucionin që ta ngrejë nivelin interpretativ”, thotë Jashari për një gjë që e ka të provuar. Me programe të thjeshta, nuk ia merr mendja se arrihet kund. Është i vendosur që të vazhdohet puna me programe serioze e me dirigjentë me nam, prej të cilëve i angazhuar ka qenë edhe Maxim Vengerov. I njohur edhe si njëri nga violinistët më të mirë në botë, ai e dirigjoi Filharmoninë e Kosovës në koncertin e shkurtit të vitit të kaluar.
Jashari ka goxha përvojë në dirigjim e udhëheqje. Kreu Shkollën e Mesme të Muzikës e studimet për kompozim i përfundoi më 1984 në Akademinë e Muzikës në Lubjanë. Gjatë viteve 1987-1990 ai drejtoi Korin Profesional të Radiotelevizionit të Prishtinës. Prej vitit 1990 deri më 2000 ka jetuar dhe punuar në Lubjanë të Sllovenisë si pedagog i lëndëve teorike dhe dirigjent i Orkestrës Harkore të Shkollës së Muzikës.
Pasi zhvendoset nga Salla e Kuqe në zyrën e tij, thotë se pos ngritjes së cilësisë duhet edhe ngritje të kuadrit vendor. Bën një krahasim të situatës aktuale me fillet e tij si drejtor. Tregon se asokohe në koncerte kanë angazhuar deri në 34 instrumentistë nga Maqedonia. Kur flet për angazhimet nga jashtë, deri në 27 shkon numri i atyre që kishin ardhur nga Shqipëria.
Publiku që sa vjen e rritet
“Kjo ka shkuar nganjëherë në dëm të kualitetit. Një ministër pati thënë se ‘nuk ka nevojë të brengosemi për dy autobusë njerëz’, duke iu referuar Filharmonisë”, thotë Jashari duke nxjerrë në pah injorancën e një udhëheqësi në raport me institucionin. Synon që në mandatin e katërt, krahas zgjerimit të kuadrit dhe kompletimit final, objektiv të jetë edhe ngritja e kapaciteteve brenda institucionit, që një ditë ata t’i shërbejnë operës së shtetit.
“Për mua qendrore është përmbajtja programore. Ajo është 70 për qind e institucionit në kuptimin e ngritjes së nivelit”
“Institucioni nuk mund të bëhet me një dekret, por do kapacitete”, thotë ai duke iu referuar themelimit praktik të operës. Kërkesa për kuadro shkon në disa drejtimeve: plotësimi i atyre që kanë mbetur pakicë si instrumentistë për oboa, perkusione e tunxh, por edhe avancimi i kuadrit ekzistues. Përmend pensionimet që lënë vende bosh brenda Korit dhe Orkestrës. Jashari thotë se pozitat vakante duhet të zëvendësohen me audicione. S’e harron faktin që interesimi i publikut për koncerte të Filharmonisë është duke u rritur.
“Praktikat e koncerteve për fëmijë duhet të jenë një praktikë më vete. Njëherë nga një koncert i planifikuar është dashur t’i mbajmë dy për shkak të entuziazmit”, thotë ai. Publiku i moshës së re në koncerte iu bie në sy edhe dirigjentëve të huaj që koncertojnë në Kosovë. E ky është një tregues i mirë për Jasharin.
“Për mua qendrore është përmbajtja programore. Ajo është 70 për qind e institucionit në kuptimin e ngritjes së nivelit”, thotë Jashari. Sa i përket synimit të ngritjes së cilësisë, këtë mund ta vazhdojë. E ka dëshmuar edhe në të kaluarën. E për çështjen e themelimit praktik të operës dhe një ndërtese me kushte më të favorshme, nuk varet krejtësisht prej tij. Por nuk e ka ndërmend të heqë dorë. Madje, për këtë, nëse nuk arrihet brenda tre vjetëve të ardhshëm, do të “luftojë” edhe si i pensionuar.