Kur kanë mbetur edhe katër ditë deri në përmbylljen e këtij edicioni, njëri prej bashkëthemeluesve të “Autostrada Biennale”, Leutrim Fishekqiu, ka theksuar se pritjet e organizatorëve sivjet janë tejkaluar qysh në javën e parë, me hapjen e realizuar me praninë e shumicës dërrmuese të artistëve pjesëmarrës, por edhe të audiencës
Edicioni i katërt i “Autostrada Biennale” ka hyrë në javën përmbyllëse, me aktivitetet që kanë qenë të shpërndara në Prizren, Prishtinë e Mitrovicë. Gjatë dy muajve të fundit, ky organizim i veçantë kulturor krahas ekspozimit të veprave të artit bashkëkohor, paralelisht ka sjellë program të larmishëm publik, duke përfshirë biseda me artistët, biseda me ekspertët, shëtitje me guida, punëtori për fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit, pastaj ditët e familjes, si dhe takime në perëndim të diellit për mbrëmjet e nxehta të verës.
Edicioni i titulluar “Të gjitha imazhet do të zhduken, një ditë” është kuruar nga Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu, ku prej tridhjetë projekteve të paraqitura, shtatëmbëdhjetë kanë qenë komisione të reja, që i përgjigjen kontekstit lokal dhe sillen rreth temave të autobiografive kolektive, arkivave kulturore, kujtesës shumëdrejtimëshe, si dhe shpresës dhe këmbënguljes.
Kur kanë mbetur edhe katër ditë deri në përmbylljen e këtij edicioni, njëri prej bashkëthemeluesve të “Autostrada Biennale”, Leutrim Fishekqiu, ka theksuar se pritjet e organizatorëve sivjet janë tejkaluar qysh në javën e parë, me hapjen e realizuar me praninë e shumicës dërrmuese të artistëve pjesëmarrës, por edhe të audiencës.
“Sa i përket numrit të vizitorëve dhe pjesëmarrjes, definitivisht janë tejkaluar pritjet tona, meqë ka pasur vizitorë gjatë tërë kohës, përtej planifikimit tonë”, ka thënë Fishekqiu. Sipas tij, numri total i vizitorëve po përllogaritet ende dhe parashihet të prezantohet në ditën e fundit të këtij edicioni.
E tërë kjo, sipas tij, është arritur si rrjedhojë e konceptit të “Autostradës...” që gjatë tërë procesit ka paraparë bashkëpunimin me komunitetin vendor.
nuk kemi transportuar vepra të gatshme për ekspozim për ta kuptuar vetëm reagimin e publikut. Ajo çka kemi bërë ka qenë përtej ekspozitës. Ideja ka qenë prej fillimit t’i prodhojmë dhe ndërtojmë veprat e artit bashkë me komunitetin, në mënyrë që ata me u mishërua me një vepër arti”, ka deklaruar Fishekqiu. Sipas tij, ky ndërveprim ka qenë i dyanshëm.
“Artisët pjesëmarrës nuk kanë ardhur vetëm që t’i ekspozojnë veprat, por kanë qenë të përfshirë më parë në hulumtim, kanë takuar njerëz të komunitetit dhe rrjedhimisht ideja e frymëzimi i tyre kanë dalë në bashkëveprim me komunitetin. Ky proces e ka bërë këtë edicion më të afërt dhe produktet që kanë dalë janë tema që kanë të bëjnë me komunitetin”.
Fishekqiu ka shprehur bindjen se ky komunikim i dyanshëm, që gjatë dy muajve është prezantuar në tri qytete të Kosovës, ka mundësuar që këto vendbanime të shndërrohen edhe në galeri të hapura.
“Ne artin bashkëkohor që prej fillimit të ‘Autostrada Biennale’ nuk e kemi parë si ekspozitë, që të prezantojmë vepra dhe të shohim reagimin e publikut. Por, përkundrazi, kemi menduar se me e kriju një Bienale që arti bashkëkohor me qenë përditshmëria e njerëzve. Kjo ka rezultuar me zhvillim dhe rritje të audiencës dhe njëherësh është krijuar filozofia ku arti shkon te njerëzit dhe jo njerëzit te arti”, ka thënë ai.
Sipas tij, edhe komentet që kanë ardhur nga artistët pjesëmarrës kanë vënë në pah përvojën e veçantë.
“Qasja jonë e hapur ka ndikuar që artistët me e pa ‘Autostradën’ si Biennale inovative për bashkëkrijimin e artit me komunitetin”, ka thënë Fishekqiu, duke shtuar se edhe hapësira prodhuese në kuadër të “Autostrada Hangar” ka lënë përshtypje pozitive te artistët.
Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga artistja Bella Rune, autore e veprës “Sun Pillar, Shoreline, Lighthouse, 2022”.
“Kur kuptova për ‘Autostradën Biennale’ e pashë që është diçka që po rritet dhe që po punon gjatë gjithë kohës me komunitetin këtu, pra që nuk është si një anije kozmike që zbret e pastaj largohet, por është e kundërta, dhe isha e emocionuar për këtë gjë. E ndjeva se duhej të vija, të kontribuoja dhe të frymëzohesha se si të eci përpara me dinjitet në jetën time”, është shprehur Rune në intervistën e publikuar nga organizatorët.
Njëra prej themeluesve, Vatra Abrashi, ka theksuar se krahas veprave të artit vizual, edhe në këtë edicion i është kushtuar rëndësi programit të edukimit.
“Programi i edukimit është dizajnuar në atë formë që të jetë sa më gjithëpërfshirës, por edhe ta nxisë sa ma shumë kreativitetin e kuriozitetin e fëmijëve, në mënyrë që të ndikojë në ngritjen e njohurive të tyre për çështje të ndryshme, si ato mjedisore, në trashëgiminë kulturore, barazinë, bashkëjetesën, e të tjera”, ka thënë Abrashi.
Sipas saj, të dielat kanë qenë ditët e familjes, duke ofruar një mundësi për prindërit që të kenë një vend vizite jashtë qendrave tregtare për të shijuar artin.
Edicioni i 4-t i “Autostrada Biennale” ka sjellë temën “Të gjitha imazhet do të zhduken, një ditë”, që sipas përshkrimit “është një ekspozitë për atë që na bën e që na zhbën, çfarë na thur me njëri-tjetrin e çfarë na shthur, për liritë përtej zgjedhjeve, për të imagjinuarat që rrjedhin pavarësisht nga kufijtë dhe përmatanë tyre”.
Sipas kuratoreve, Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu, është një ekspozitë për autobiografitë kolektive që mbahen në arkiva kulturorë, në ata rezervuarë të thellë fjalësh, gjësendesh, yrnekësh, ndjenjash ose keqkuptimesh, dhe ka të bëjë me lidhjen me të panjohurën.
“Ajo që është e paarkivueshme na kujton që një ditë të gjitha imazhet do të zhduken, duke u rrëzuar në gollen e kohës. Prapëseprapë arti mbijeton si gjuhë qëndrese dhe paepurie, si mënyrë për të përligjur të qenit tonë në këtë botë, si një horizont që feks përtej regjimeve sundimtare pamore”, thuhet në deklaratën e kuratoreve.
“Autostrada Biennale” organizon Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor që nga viti 2017, që synon të kontribuojë në zhvillimin e jetës kulturore, të edukimit dhe turizmit kulturor.