Kulturë

“Autostrada Biennale” me artin transformues në kohë pasigurie

Sot është koha për të imagjinuar një të nesërme. Ndërtimi i urave të artit përtej ekraneve dhe kubeve të bardha në publik dhe afërsia e artit me artistët nëpërmjet praktikimit të një qasjeje trans-lokale janë disa nga mëtimet e një eventi të bëshëm kulturor, që do të zërë vend në Prizren. Të hënën, bienalja ndërkombëtare e artit bashkëkohor, “Autostrada Biennale” ka njoftuar se për edicionin e saj të tretë – që do të mbahet nga korriku deri në shtator të vitit 2021, do të zgjerohet edhe në Prishtinë – ka përzgjedhur kuratoret.

“’Autostrada Biennale’ nuk do të shtyhet, por do të mbahet gjatë verës së vitit 2021. Për më tepër, Bienalja do të trajtojë drejtpërdrejt atë se sa na ka bërë pandemia të mendojmë për qytetet tona, hapësirat përreth nesh, çkafit do të mund t’i rikthehemi, çfarë mund të lëmë pas dhe sa i nevojshëm është arti në kohë pasigurie”, thuhet në një njoftim të ekipit mediatik të “Austrada Biennale”.
Eventi që ka nisur në qytetin pranë Lumbardhit, me edicionin e parë të mbajtur më 2017, ka njoftuar se Övül Ö. Durmusoglu dhe Joanna Warsza do të jenë bashkëkuratore të udhëtimit të ardhshëm të Bienales.

Dy kuratoret, siç përcjell njoftimi për media, kanë vlerësuar se udhëtimi i radhës do të hapë rrugën drejt rrjeteve komplekse të ndërvarësisë mes vete.

Biennale’ do t'u përgjigjet rrethanave dhe peizazhit politik, do të dërgojë sinjale tymi nga këtu - atje, do të prodhojë kënaqësi të përbashkët përmes mësimit dhe veprimit asimetrik. Ne jemi më shumë se të ngazëllyera për të ndërmarrë këtë udhëtim, duke filluar nga Prizreni, një nga qytetet më multietnike dhe multikulturore të Evropës”, kanë thënë Durmusoglu dhe Warsza në një deklaratë të përbashkët për KOHËN.

Fishekqiu: “Bienalja po targeton një audiencë më të gjerë”

Vetë përzgjedhja e kuratorëve kishte qenë një proces i gjatë e me diskutime konstruktive. Të tillë e ka përshkruar Leutrim Fishekqiu, themelues dhe udhëheqës i ekipit të “Autostrada Biennale”, i cili ka thënë se janë entuziastë për edicionin që do të mbahet në verën e vitit të ardhshëm.

Ky organizim, ka shpjeguar ai, ka një bord këshillues ndërkombëtar, ku bëjnë pjesë Iara Boubnova, Sezgin Boynik, Manray Hsu, Edi Muka, Giacinto Di Pietrantonio, Yehuda Emmanuel Safran dhe Sislej Xhafa.

“Këta i propozojnë kuratorët potencialë të edicionit, ndërkaq ne, si ekip, vendosim për kuratorët potencialë në bazë të drejtimit në të cilin dëshirojmë ta orientojmë edicionin e ardhshëm”, ka thënë të hënën Fishekqiu për KOHËN.

Sipas tij, dy kuratoret e përzgjedhura tashmë kanë filluar të punojnë për hulumtimet fillestare. Por pandemia është bërë shkak që vizita e tyre të shtyhet për në muajin gusht.

“’Autostrada Biennale’ pas dy edicioneve të suksesshme, vitin e ardhshëm do të trajtojë atë sa na ka bërë pandemia të mendojmë për qytetet tona, hapësirat përreth nesh dhe sa i nevojshëm është arti në kohë pasigurie”, ka thënë Fishekqiu.

Ai ka bërë me dije se në verën e vitit të ardhshëm “Autostrada…” do të shpaloset në format analog dhe digjital me qëllim të targetimit të një audience më të gjerë.

Për Fishekçiun, me dy edicionet e kaluara ky event është rritur bashkë edhe me përkrahjen dhe ndihmën nga partnerët e saj.

“Ne ende jemi në pritje të konfirmimeve për përkrahje të edicionit të ardhshëm. Deri më tani konfirmimet për mbështetjen kryesisht i kemi marrë nga institucionet ndërkombëtare”, ka thënë ai, për të shtuar se pos bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës dhe Komunën e Prizrenit, Bienalja ka bashkëpunim të ngushtë edhe me Komunën e Prishtinës, meqë aktivitetet e saj shtrihen edhe në kryeqytet.