Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Autoportretet e Van Goghut bashkohen në Londër

(Reuters) – Autoportretet e Vincent van Goghut do të shpalosen në Londër gjatë vitit të ardhshëm, në atë që organizatorët thonë se është e para ekspozitë që u kushtohet paraqitjeve të vetvetes nga artisti post-impresionist holandez.

Nga shkurti, “The Courtauld Gallery” do të ekspozojë “Self-Portrait with a Dark Felt Hat”, të pikturuar më 1886 në Paris, dhe “Self-Portrait with a Palette”, të cilën Van Goghu e pikturoi gjatë mërgimit në Saint-Rémy-de-Provence, në jug të Francës, në shtator të vitit 1889. Ai vdiq vitin tjetër.

Pjesë e koleksionit të “The Courtauld”, vepra e mirënjohur “Self-Portrait with Bandaged Ear”, të cilën Van Goghu e pikturoi më 1889, pasi e preu pjesën më të madhe të veshit, do të shpaloset krahas veprave të huazuara.

“Kjo do të jetë hera e parë kur harku i plotë i autoportreteve të Van Goghut është qëmtuar në një ekspozitë”, ka thënë nëpërmjet një deklarate Galeria e cila do të rihapet në nëntor.

“Një përzgjedhje e jashtëzakonshme e më shumë se 15 autoportreteve të bëhen bashkë për të gjurmuar evoluimin e vetë-përfaqësimit të Van Goghut…Vepra të ndryshme në ekspozitë ishin për herë të fundit bashkë në studion e Van Goghut dhe kurrë nuk janë ribashkuar deri më tani”.

Për më tepër, “Van Gogh Self-Portraits” do të mbahet në “The Courtauld”, që gjendet në qendër të Londrës në Somerset House, prej 3 shkurtit deri më 8 maj të vitit të ardhshëm.