Të gjithë muzikantët që duan të bëhen pjesë e institucionit më të lartë muzikor në vend, tash e tutje do të përzgjidhen nëpërmjet audicionit, rregullat e të cilit janë përcaktuar me Rregullore.
Kjo, sipas udhëheqësve të Filarmonisë së Kosovës, do të ndikojë në nivelin e përzgjedhjes dhe formës adekuate siç e kërkon një institucion i tillë, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Rregullorja për audicion në Filarmoninë e Kosovës” ka hyrë në fuqi muajin e kaluar. Aty parashihen disa kritere dhe forma të përzgjedhjes së muzikantëve që aplikojnë për t’u bërë pjesë e Filarmonisë.
Audicioni bëhet për të gjitha pozitat e punës të cilat janë të përcaktuara si punë artistike: për instrumentistë dhe koristë. Në bazë të kësaj rregulloreje përcaktohen proceduar e mbajtjes së audicionit, ashtu sikurse edhe ato të komisionit. Aty parashihen tri lloje të komisioneve me nga tre anëtarë, varësisht nga kërkesa.
“Audicioni për pranimin e punonjësve të rinj organizohet sipas nevojave të institucionit për punësim të paraparë me organogram të institucionit përmes konkursit publik. Audicioni për punonjësit është i obligueshëm dhe mbahet çdo tre vjet”, shkruhet në Rregullore.
Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, thotë se kriteri për pranimin e punëtorëve të rinj ka funksionuar gjithmonë, por me Rregulloren e radhës përcaktohen më qartë kriteret... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)