Shumica e veprave te “Ato” janë krejt abstrakte. Takimi i parë nuk zbërthen shpejtazi ndonjë kuptim, por ai nis e formësohet kur i bashkëngjitet rrëfimi i autorit ose përshkrimi poshtë tyre. Edhe titulli është një lloj provokimi që hyn në konceptin e ekspozitës së hapur në galerinë “Qahili”
Ndonëse figura e gruas rrallë dallohet qartazi, krejt veprat e bashkuara në ekspozitën “Ato” e kanë atë emërues të përbashkët. Nëntë artistë të dy gjinive sjellin vepra në nëntë forma të ndryshme, tek u japin jehonë kauzave, hapin tema. Vendtakimi i tyre, galeria “Qahili”, 8 marsin e manifestoi me art. Përderisa muret e saj qenë të mbushura me piktura e fotografi, në qendër të saj është vendosur figura konkrete e gruas shtatzënë punuar prej skulptorit Avni Demiri. Është pikërisht kjo figura ideale në të cilën manifestohen të gjitha mundet e sakrificat, andaj roli i procesit në të cilin ndodhet ajo duket se i ka dhënë asaj kompetencën e të qenit në qendër të një ekspozite të tërë.
Pak përtej saj muri i bardhë i galerisë merr një hije nga projektori. Një video që nuk ka formë a fjalë gruaje është mënyra me të cilën njëra prej artisteve i bashkohet ekspozitës.
Pikturat te “Ato” janë krejt abstrakte. Takimi i parë nuk zbërthen shpejtazi ndonjë kuptim, por ai nis e formësohet kur i bashkëngjitet rrëfimi i autorit ose përshkrimi poshtë tyre.
Arti që në pamje të parë reflekton abstrakten, në thelb i flet jetës konkrete të grave. Me të njëjtën gjuhë është edhe skulptura e Arton Behramit. Fotografitë ndonëse të turbullta dhe jo të dukshme deri në detaje, e bëjnë të dallueshme figurën e gruas.
E gjithë kjo laramani erdhi nga puna kolektive e artistëve Lumturie Krasniqi, Arton Behrami, Avni Demiri, Laureta Hajrullahu, Luiza Thaqi, Renea Begolli, Yll Xhaferi, Yllka Fetahaj, Shkamb Jaka. Pos këtyre emrave, hapja e ekspozitës u pasurua edhe me një diskutim me temën “Ato: Perspektivat e tyre – roli i gruas në shoqëri dhe sfidat e përditshmërisë", që u mbajt nga Katharina Eggert, konsulente gjermane me specializim në studime gjinore, Leonida Molliqaj, drejtore ekzekutive në organizatën “Qika” dhe Dodona Gashi, nga “Ananda Yoga Studio”.
Arritja që artistët e fushave të ndryshme t’i bashkojë në një ekspozitë, ka një zanafillë.
“Është një ekspozitë kolektive të cilën e kemi nisur nga një hulumtim për ciklin menstrual që e kemi filluar vitin e kaluar. Pjesa e parë dhe e dytë janë bërë në Holandë dhe në Gjermani, dhe e treta këtu. Më 28 maj kemi me i shpalos të dhënat, por para se ta bëjmë atë ceremoni deshëm që t’i paraprijmë me ekspozitën ‘Ato’ për nder të Ditës së Gruas. Arsyeja është se cikli menstrual automatikisht lidhej me gruan, edhe pse ka të bëjë me atë se sa kanë informata vetëdijesimi dhe tabu, si funksionon aspekti i ciklit menstrual tek ne”, ka thënë Nita Qahili, drejtoreshë e galerisë.

Konotacionet e ndryshme që përemri ato mund të marrë, është një lloj provokimi që hyn në konceptin e ekspozitës.
“Vendosëm që ta ketë emrin ‘Ato’, për shkak se shumë shpesh kjo mund të marrë konotacione negative, por shumë shpesh mund ta ketë atë pozitiv. Donim të shihnim se si me anë të mënyrës se si komunikojmë, bëjmë biseda, ose çka do që vepron një grup shoqëror, i referohesh me ‘ato’. Ndonjëherë prej mënyrës se si e thua ose me çfarë intonacioni e thua ajo ka me qenë diçka fyese, ose jo domosdoshmërish njerëzve do t’u pëlqejë”, ka thënë Qahili.
E rastësishme nuk ka qenë as laramania e artistëve që kjo ekspozitë i ka personazhe kryesore.
“Vendosëm që ajo të jetë kolektive, por jo vetëm me femra, por edhe me meshkuj. Kjo, për shkak se shoqëria jonë është e gjitha bashkë. Jo çdo herë mund të thuash vetëm femrat ose vetëm meshkujt. Në njëfarë forme në mënyrë indirekte të gjithë ndikohemi të krijojmë diçka prej cilësdo gjini. Kjo ka qenë ideja që ata të marrin pjesë me punime të cilat veçse i kanë punuar, me cikle ekzistuese, dhe në këtë mënyrë ta shohim ndikimin që ka pasur gruaja te ta gjatë veprimtarisë”, ka thënë drejtoresha e galerisë.
Është “Torzoja” e Avni Demirit e cila jep efektin e parë me të hyrë në galeri.
E lëmuar nga pjesa e përparme dhe e zbrazët në thellësi, skulptura reflekton dhimbjet dhe mundin e një gruaje shtatzënë. E vendosur në mes, është gruaja shtatzënë ajo që mban kurorën e rëndësisë së gruas dhe në fron radhitet e para.
“Jam munduar t’ia kushtoj një gruaje shtatzënë e cila e ka një përjetim shumë të rëndë derisa të vijë te lindja. Jam munduar që me anë të skulpturës të paraqes një bark të një nëne që e ka një rëndësi shumë të madhe. Jam munduar ta përkrahi në mënyrën time artistike. Është shumë kënaqësi që jam këtu. Bile është kënaqësi shumë e madhe që është për nënat tona, që janë kryesoret që i kemi. Ndihem shumë mirë dhe do të vazhdoj të bëj skulptura të tjera dedikuar nënave”, ka thënë Demiri.
Njëra prej veprave te “Ato” është edhe videoja e Laureta Hajrullahut. Artistja e cila me veprën digjitale “Flat Options”, verën e kaluar është prezantuar në bienalen evropiane “Manifesta 14”, në ekspozitë nuk ka reflektuar vetëm për të drejtat dhe rëndësinë e grave. Forma digjitale e të shprehurit si një mundësi e mirë për të reflektuar qe ajo që u potencua me veprën e kësaj artisteje.
“Perspektiva ime e krijimtarisë është formë direkte e perspektivave direkte feministe, sidomos të referuara prej Dana Haraway, që është teoriciene feministe dhe filozofe. Kështu që i përdori mediat digjitale për me e tregu një anë tjetër të feminizmit që nuk ndodh fizikisht, por është digjital. Dhe se si lufta nuk bëhet vetëm me anë të protestave, por rezistenca ndaj grave mund të bëhet edhe me anë të mënyrave të tjera si me video-lojëra dhe me ‘gaming industry,’ që është shumë më shumë koncept burrëror sesa i grave”, ka thënë Hajrullahu.
Ekspozita “Ato”, që u kurua nga Shigi, do të qëndrojë e hapur deri më 16 mars.