Kulturë

Asociacioni bashkon 40 artistë në dialog temash e stilesh

Me ekspozitën vjetore, Asociacioni i Artistëve Vizualë të Kosovës ka vazhduar traditën duke bashkuar artistë gjeneratash e stilesh të ndryshme. Sivjet janë 40 artistë pjesëmarrës në ekspozitën e cila mbi të gjitha ka për qëllim valorizimin e artistëve dhe të vlerave artistike. Hapja është bërë edhe me ndarjen e çmimeve. Erzen Vala ka marrë çmimin e parë, Marigona Ademi të dytin dhe Mal Myrtaj çmimin e tretë

Janë 40 vepra, po aq artistë të bashkuar në ekspozitë e cila kur kundrohet në tërësi i ngjan një mozaiku që rrëfen tema të ndryshme, gërmon në histori, shfaq teknika e stile të ndryshme, por që emërues të përbashkët kanë vlerat artistike. Ky është edhe qëllimi i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës dhe ekspozita si kjo tashmë është tradicionale. Të mërkurën mbrëma, në atelienë e Pallatit të Rinisë, është hapur edicioni i katërt i ekspozitës vjetore dhe ajo bën bashkë artistë gjeneratash të ndryshme. Mes pikturave dhe grafikave komunikojnë edhe skulpturat, që zënë vend në piedestale të gurta e prej druri. Hapja është bërë edhe me ndarjen e çmimeve. Erzen Vala ka marrë çmimin e parë, Marigona Ademi të dytin dhe Mal Myrtaj çmimin e tretë.

Pa një temë të caktuar, secili nga krijuesit paraqitën nga një vepër të realizuar jo më larg se para dy vjetësh, siç ka qenë edhe kriteri për pjesëmarrje.

Ekspozita ishte planifikuar të mbahej në nëntorin e vitit të kaluar, dhe kjo ka një arsye.

“Vjen si ekspozitë tradicionale për faktin se dikur është mbajtur si ‘Salloni i Nëntorit’. Edhe kjo ekspozitë mbahet në nëntor, por këtë vit për shkak të buxhetit që është miratuar më vonë është dashur ta mbajmë në shkurt. Në këto ekspozita bëhet valorizimi i artistëve, veprave dhe punëve të tyre dhe në fund i shpërblejmë me nga një çmim për punën që kanë bërë. Këtu kemi krejt artistët që janë anëtarë të Asociacionit dhe është një kriter i vogël që artistët të sjellin punime që i kanë punuar gjatë dy vjetëve të fundit”, ka thënë Kamuran Goranci, kryetar i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës.

Për fituesit ka vendosur juria në përbërje të Hivzi Muharremit, Faik Krasniqit dhe Eshref Qahilit.

“Kësaj radhe në juri janë tre anëtarë, profesor Hivzi Muharremi, profesor Faik Krasniqi dhe profesor Eshref Qahili. Të gjithë janë profesorë të artit, Hivziu është edhe historian i artit, hulumtues dhe kritik i artit. Janë profesionistë dhe për këtë arsye quhet juria profesionale. Janë të pavarur dhe punimet i vlerësojnë në bazë të trendëve dhe dy vjetët e fundit krijimtari”, ka thënë Goranci.

Erzen Vala ka marrë çmimin e parë me veprën “Gjurma e gishtit, qendra e botës” nga cikli me po të njëjtin titull. E punuar me akrilik në pëlhurë, menjëherë në sy bie gjurma e gishtit më të kuqe në qendër të pikturës. Sipas Valës, ajo simbolizon identitetin. Ka thënë se ndihet i nderuar për vlerësimin që i është bërë.

“Çmimi është si nxitje për të shënuar suksese të ardhshme që puna të jetë si vazhdimësi. Ndihem i nderuar me këtë përzgjedhje që është bërë. Është një cikël i ri të cilin e kam filluar tash në 2023-n, ‘Gjurma e gishtit, qendra e botës’, cikël që e përfshin identitetin. Do të thotë gjurma e gishtit si identitet, bota e të gjithëve, identitete të ndryshme. Ky është si koncept i gjithë kësaj” ka thënë Vala.

Marigona Ademi me “Lux solaris” të çmimit të dytë, kap ndriçimin e diellit, siç e ka domethënien titulli nga latinishtja. Në pikturë dominojnë ngjyrat e ndezura. Është një lojë midis të portokalltës dhe të verdhës. Vepra vjen si pjesë e ciklit të fundit nga Ademi, me të cilin u prezantua në Paris.

Image
Marigona Ademi me “Lux solaris” të çmimit të dytë, kap ndriçimin e diellit, siç e ka domethënien titulli nga latinishtja

“’Lux solaris’ do të thotë ndriçim i diellit ose e prekur prej ndriçimit. Është e punuar me akrilik dhe me vaj. Kam përdorur edhe gjethe të ndryshme. I takon ciklit tim të fundin që është ekspozuar edhe në Paris, dhe e kam zgjedhur këtë vepër se më është dukur më e përshtatshme për formatin e ekspozitës”, ka thënë Ademi.

Mal Myrtaj ka marrë çmimin e tretë me veprën e tij në skulpturë.

Piktori Isa Alimusaj, i cili ishte fitues i edicionit të kaluar me një vepër nga cikli “Profile dardane”, edhe në edicionin e sivjetmë është prezantuar në të njëjtën frymë. Në përfytyrimin e tij Hijet e Zanave, Bjeshkët e Nemuna e Rajoni i Dukagjinit përmbushin veprën.

“Me një pikturë si kjo kam marrë pjesë në edicionin e kaluar dhe e kam marrë çmimin e parë. Kjo është si motër e asaj që ka qenë vitin e kaluar. Është një nga pikturat prej ciklit ‘Profile dardane’. Këtu kemi të bëjmë me Hijet e Zanave, Dukagjinin, Bjeshkët e Nemuna e kështu me radhë. Është bashkë me imagjinatën, mirëpo atmosfera është ajo, nga Bjeshkët e Nemuna”, ka thënë Alimusaj.

Image
Mal Myrtaj ka marrë çmimin e tretë me veprën e tij në skulpturë

Motivet kombëtare, legjenda e Konstantinit e gërshetimi i letërsisë me artin figurativ u paraqitën në pikturën e Refki Gollopenit. E tëra në bardhezi me akrilik në pëlhurë, autori thotë se u inspirua nga romani “Kush e solli Doruntinën” i Ismail Kadaresë.

“Ndihem mirë në këtë ekspozitë, në secilin edicion kam marrë pjesë. Do të jem koherent me të gjitha organizimet për artin bashkëkohor të Kosovës. Jam munduar që të prezantohem me një vepër më të veçantë dhe më ndryshe. Në këtë rast e kam paraqitur konceptin e legjendave”, ka thënë Gollopeni.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë dhe për një kohë do të shoqërohet edhe me muzikë klasike, pasi aty po mban provat Filharmonia e Kosovës.