Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

Asociacioni bashkon 40 artistë

Janë 40 vepra, po aq artistë të bashkuar në ekspozitë, e cila kur shikohet në tërësi i ngjan një mozaiku që rrëfen tema të ndryshme, gërmon në histori, shfaq teknika e stile të ndryshme, por që emërues të përbashkët kanë vlerat artistike. Ky është edhe qëllimi i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës dhe ekspozita si kjo tashmë është tradicionale. Të mërkurën mbrëma është hapur edicioni i katërt i ekspozitës vjetore dhe ajo bën bashkë artistë gjeneratash të ndryshme. Mes pikturave dhe grafikave komunikojnë edhe skulpturat. Në hapje janë ndarë tri çmimet. Erzen Vala ka marrë çmimin e parë, Marigona Ademi të dytin dhe Mal Myrtaj çmimin e tretë

Kamuran Goranci, kryetar i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës, ka thënë se edhe në edicionin e sivjetmë të ekspozitës vijnë me synime të qarta.

“Ky është edicioni i katërt i kësaj ekspozite, vjen si ekspozitë tradicionale për faktin se dikur është mbajtur si “Salloni i Nëntorit”. Edhe kjo ekspozitë mbahet në nëntor, por këtë vit për shkak të buxhetit që është miratuar më vonë është dashur ta mbanim në shkurt. Në këto ekspozita bëhet valorizimi i artistëve, veprave dhe punëve të tyre dhe në fund i shpërblejmë me nga një çmim për punën që e kanë bërë. Këtu kemi krejt artistë që janë anëtarë të asociacionit dhe është një kriter i vogël që artistët të sjellin punime që i kanë punuar gjatë dy vjetëve të fundit”.

Për fituesit ka vendosur juria në përbërje të Hivzi Muharremit, Faik Krasniqit dhe Eshref Qahilit, emra të shquar të kritikës e të artit.

Erzen Vala ka marrë çmimin e parë me veprën “Gjurma e gishtit, qendra e botës” nga cikli me po të njëjtin titull. E punuar me akrilik në pëlhurë, menjëherë në sy bie gjurma e gishtit më të kuqe në qendër të pikturës. Sipas Valës, ajo simbolizon identitetin.

Edhe Ngjyrat e artistëve vendorë në kompozicion me lojën e çmimeve Kulturë 5 muaj më parë Ngjyrat e artistëve vendorë në kompozicion me lojën e çmimeve

“Çmimi është si nxitje për të shënuar suksese të ardhshme që puna të jetë si vazhdimësi. Ndihem i nderuar me këtë përzgjedhje që është bërë. Është një cikël i ri, të cilin e kam filluar tash në 2023-tën, “gjurma e gishtit, qendra e botës”, cikël ky që e përfshin identitetin, do të thotë gjurma e gishtit si identitet, bota e të gjithëve, identitete të ndryshme. Kjo është si koncept i gjithë kësaj”.

Marigona Ademi me “Lux solaris” të çmimit të dytë kap ndriçimin e diellit, siç e ka domethënien titulli nga latinishtja.

“Vepra e ka emrin “Lux solaris”, do të thotë ndriçim i diellit ose e prekur prej ndriçimit. Është e punuar me akrilik dhe me vaj, kam përdorur edhe gjethe të ndryshme. I takon ciklit tim të fundit që është ekspozuar edhe në Paris dhe e kam zgjedhur këtë vepër se më është dukur më e përshtatshme për formatin e ekspozitës”.

Çmimin e tretë e mori Mal Myrtaj për skulpturë.

Piktori Isa Alimusaj ishte fitues i edicionit të kaluar me një vepër nga cikli “Profile dardane”. Me pikturë nga po i njëjti cikël mori pjesë edhe këtë vit.

“Me një pikturë si kjo kam marrë pjesë në edicionin e kaluar dhe e kam marrë çmimin e parë. Kjo është si motër e asaj që ka qenë vitin e kaluar. Është një nga pikturat prej ciklit ‘Profile Dardane’. Këtu kemi të bëjmë me hijet e zanave, Dukagjinin, Bjeshkët e Nemuna e kështu me radhë. Është bashkë me imagjinatën, mirëpo atmosfera është ajo, nga Bjeshkët e Nemuna”, ka thënë Alimusaj.

Motivet kombëtare, legjenda e Konstantinit e gërshetimi i letërsisë me artin figurativ u paraqitën në pikturën e Refki Gollopenit.

Edhe “Apoteoza dardane” si rizbulim ekspresionist i maestros Nevruz Musa Kulturë 3 j. më parë “Apoteoza dardane” si rizbulim ekspresionist i maestros Nevruz Musa

“Unë ndjehem mirë në këtë ekspozitë, në secilin edicion kam marrë pjesë. Do të jem koherent me të gjitha organizimet për artin bashkëkohor të Kosovës. Unë jam munduar që të prezantohem me një vepër më të veçantë dhe më ndryshe. Në këtë rast e kam paraqitë konceptin e legjendave”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur dy javë.