Kulturë

Artistët bashkohen në shpalosjen e trendeve aktuale

Ekspozita vjetore e anëtarëve të Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës bashkon artistët, shpalos arritjet në artet pamore, mban kontaktin me publikun

Ekspozita vjetore e anëtarëve të Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës bashkon artistët, shpalos arritjet në artet pamore, mban kontaktin me publikun

E shndërruar tashmë në tradicionale, ekspozita vjetore e Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës nuk është vetëm shpalosje e veprave të anëtarëve të saj. Fatmir Krypa, Faik Krasniqi e Adem Rusinovci kanë marrë tre çmimet, përderisa ekspozita shërben edhe si njohje me trendet aktuale të arteve pamore

Galeria e Fakultetit të Arteve reflektohet nga puna frymëzuese dhe përkushtimi artistik i piktorëve. Janë bashkuar vepra të cilat gërshetojnë në harmoni të rrallë, një peizazh emocionesh dhe reflektimesh. Secila me një identitet të veçantë dhe një zë të heshtur që vizitorët i bën të zhyten në thellësinë e mendimeve dhe ndjesive që ato ngjallnin. 

Është ekspozita vjetore e anëtarëve të Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës, e shndërruar tashmë në tradicionale. Të martën mbrëma, është hapur edicioni i gjashtë. Çmimet janë një lloj kulmimi i vernisazhit, por Asociacioni ka tjetër mision: bashkon artistët, shpalos arritjet në artet pamore, mban kontaktin me publikun. 

Fatmir Krypa, Faik Krasniqi e Adem Rusinovci kanë marrë tre çmimet e këtij edicioni. 

Krejt ekspozita është një simfoni ngjyrash e kompozicionesh, skulpturat i jepnin formë materializuese ideve dhe ndjesive që shpesh mbesin të pashprehura. 

Kamuran Goranci, kryetar i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës në fjalimin e tij hyrës fillimisht ka përshëndetur përfaqësuesit e ambasadave të së Sllovenisë e të Malit Të Zi dhe të gjithë që kishin ardhur, duke i veçuar artistët pjesëmarrës që për çdo vjet sjellin dritare të reja të bashkëpunimit përmes ngjyrave dhe artit bashkëkohor. 

“Ky është edicioni i gjashtë i ekspozitës se anëtarëve të Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës. Këtu nuk jemi vetëm pjesëmarrës, por jemi edhe pjesë e krijimeve bashkëkohore. Është mirë ta kuptojmë që Asociacioni është i Kosovës jo i individëve, duke e lënë gjuhën që vepra dhe arti të flasin ashtu siç dinë vetë”, ka thënë Goranci.

Grafisti i njohur Fatmir Krypa ka ndarë përvojat dhe emocionet që e kanë shoqëruar në aktivitetet artistike të organizuara së fundmi, përfshirë një ekspozitë personale dhe pjesëmarrjen në një ekspozitë më të vogël për nder të 28 Nëntorit.

“Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës më ka kërkuar që të kem një ekspozitë personale me rastin e 28 Nëntorit. E respektova dhe me shumë sukses prezantova 30 vepra dhe me interes dhe konsideratë, duke përmbushur pritshmëritë e mia”, ka thënë Krypa.

Veprat e Fatmir Krypës, Faik Krasniqit e Adem Rusinovcit, fituese të tre çmimeve të këtij edicioni

Në ekspozitën e Asociacionit Krypa ka prezantuar grafikën nga cikli i tij “Kulla çame e braktisur” e cila bart emocion të veçantë për të. Nëpërmjet saj shpreh motive kombëtare. Qe inspiruar nga një përvojë e një gruaje të moshuar, e cila ishte kthyer në Çamëri dhe i kishte puthur themelet e shtëpisë. Krypa ka theksuar se veprat e tij shpesh mbajnë karakter dokumentar, duke reflektuar jetën dhe traditën shqiptare. 

“Gjithmonë veprat e mia janë dokumentare nga jeta që kemi zhvilluar dhe po zhvillojmë në Kosovë dhe nga tradita jonë”, ka thënë ai. Grafisti i shquar, njëri prej pionierëve të artit akademik në këto anë, ka pasur porosi e vërejtje për brezin e ri. 

“Gjeneratat e reja nuk po na përfillin për atë çka i kemi mësuar dhe nuk po e praktikojnë atë. Kjo më brengos, sepse trashëgimia kulturore është ajo që na prezanton në botën e jashtme. Edhe arritjet e mia në arenën ndërkombëtare, që më duhet ta përmend pjesëmarrjen dhe suksesin në Bienalen e Grafikës në Kinë, ku dy grafikat e mia janë blerë dhe sot janë pjesë e një muzeu të njohur në botë. Por, pse mos ta bëjë edhe dikush tjetër”, ka thënë ai. Fjalën e tij edhe si fitues i çmimit, e ka përmbyllur me një konstatim. “Kultura jonë na prezanton jo vetëm në mesin e dashamirëve të artit, por edhe në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai. 

Faik Krasniqi ka marrë çmim me veprën “Kulmet e bardha”. Shtjellon temën e dimrit në artin e tij dhe vepra harmonizohet me këtë periudhë. 

“Kam marrë pjesë tradicionalisht në këto ekspozita dhe sinqerisht, nuk kam menduar për çmimin. Faleminderit për vlerësimin nga juria, që ka vendosur të më përfshijë ndër tre fituesit”, ka thënë Krasniqi, duke vlerësuar nivelin e lartë të punimeve të tjera në ekspozitë. Për veprën e tij ka thënë se “motivi kryesor është dimri, një fragment nga kjo stinë magjike”. Aty janë mishëruar kulmet e bardha, atmosfera e festave të fundvitit si Krishtlindjet dhe Viti i Ri janë mishëruar në këtë vepër”. 

“Dimri mbart një poezi të veçantë, e cila frymëzon artistët përmes ndjesisë së pastërtisë dhe festës”, ka thënë Krasniqi duke nënvizuar se dashuria e tij për motivet dimërore lidhet me mundësinë për të kapur harmoninë vizuale dhe ndjenjat që zgjon kjo stinë në zemrat e njerëzve. “Dimri në art ka një gjuhë unike – ajo është e heshtur, por e mbushur me jetë”, ka thënë ai. 

E veçantë është vepra nga cikli “Tranzicioni” e Adem Rusinovcit, po ashtu fitues. Vjen në teknikë të kombinuar e mesazhi i saj është reflektim i shoqërisë së Kosovës. Teknika jep përshtypjen se është një lloj pikture tredimensionale e në fokus janë gratë, duke i dhënë shumë kuptimësi veprës. 

Ndër të tjera një mirënjohje iu dha edhe Ministrisë së Kulturës në shenjë përkrahjeje për këtë aktivitet. 

Valbona Rexhepi bashkë me historianin e artit Fejaz Drançolli dhe Yllka Fetahajn, kanë qenë anëtarët e jurisë. “Jemi munduar t’i zgjedhim punimet më të mira të cilat mendojmë që kanë vlerë dhe besoj që edhe publiku mendon të njëjtën gjë si ne, sepse duhet të mësohemi që shpërblimi të jepet për vlerën jo për individin”, ka thënë ajo. 

Ekspozita, siç e zbërthen Asociacioni i Artistëve Vizualë të Kosovës – organizatë joqeveritare, joprofitabile dhe profesionale – sjell vepra duke filluar nga fryma e introduktit real, ekspresiv, surreal, abstrakt, e deri te trendet më aktuale të artit konceptual.