Në shikim të parë duket sikur zor se kanë emërues të përbashkët, por veprat e gjashtë artistëve të rinj, në thelb janë art i protestës, pavarësisht temës që zbërthejnë. Aty janë pandemia, situata politike, dinakëria, pushteti e shumëçka tjetër. “Nothing like home” (“Asgjë sikur shtëpia”) vjen si shëmbëllim temash aktuale
Prishtinë, 4 mars – Çorapet e mbushura në formë trupi pa kokë lëvizin me një ritëm, duke simbolizuar kështu vallëzimin e njeriut në këtë kohë kur pandemia po i mban njerëzit larg ndejave të mbrëmjeve të vona. Kjo vepër e artistit Dardan Murseli mund të shihet edhe nga xhamat e galerisë dhe lëvizjet e vazhdueshme të saj mund të lexohen lehtë si një ftesë për të zhibruar më thellë perspektiven artistike të një grupi të artistëve të rinj. Nga këto vepra depërtojnë mesazhe të shumta që flasin për mënyrën se si i kundërvihen ata realitetit dhe si e zhvendosin atë në vepra arti.
“Nothing like home” (Asgjë sikur shtëpia) titullohet ekspozita që qysh nga mesi i shkurtit ka bërë bashkë botëkuptimet e gjashtë artistëve të rinj, disa prej të cilëve janë të lidhur me kolektivin “Hap”. Hapësira e galerisë “Lambdalambdalambda” bën që distanca mes veprave të artistëve të mos jetë shumë e madhe, por që përvojat e përbashkëta të tyre bëjnë që edhe punimet të përkojnë brenda një koncepti. Pos Murselit, artistët që kanë ekspozuar veprat e tyre janë edhe Blerta Hashani, Arbnor Karaliti, Brilant Milazimi, Valdrin Thaqi, Ermir Zhinipotoku.
“Ideja ka qenë fillimisht me i mbledhë disa artisë të rinj që janë këtu dhe kemi filluar kështu që t’i mbledhim artistët që jetojnë nëpër Kosovë, të cilët nuk njihen fort, por kanë potencial. Të gjithë artistët pak a shumë punojnë bashkë, kështu që edhe kanë shkuar bashkë në një ekspozitë dhe ka qenë lehtë të kurohet”, ka thënë Jeta Veseli, asistente në galerinë “Lambdalambdalambda”.
Vepra e parë që portretizon “njeriun pa kokë”, që ndjek një ritëm tjetër të lëvizjes është ajo që prek aktualitetin e lidhet me pandeminë. Por, pikërisht masat parandaluese ndaj përhapjes së koronavirusit kanë ndikuar që kjo ekspozitë të jetë e para për galerinë që i bën vend artit kontomperan, e cila hapet në mënyrë më të pazakontë, duke i shmangur ceremonitë.
“E kemi bërë ‘soft opening’. Zakonisht hapjet shkojnë me ceremoninë që zgjat një ose dy orë kështu që jemi munduar që të vijnë më pak njerëz, pra jo të gjithë përnjëherë. E kemi zgjatur kohën e hapjes që ka qenë prej orës 14:00 deri në 18:00. Kanë qenë artistët e pranishëm dhe më vonë kanë ardhur njerëzit në grupe për ta parë”, ka shpjeguar tutje Veseli.
Ekspozita “Asgjë si shtëpia” është e bazuar në pikturën e Brilant Milazimit, e cila rri në ballë të galerisë. Ajo vjen si shëmbëlltyrë e peizazhit politik dhe shoqëror në Kosovë. Vepra e artistit përdor metaforën me krokodilët që fshihen, sepse ata nuk gjuajnë në mënyrë aktive për ushqim, por përkundrazi me plogështi qëndrojnë në pritje të preve të tyre, duke parashikuar që ajo të bëjë një gabim.
“Kjo metaforë aludon në organet në pushtet, të cilët nuk krijojnë në mënyrë aktive, por pasivisht presin që dikush tjetër të bëjë një gabim, i cili nga ana tjetër shfrytëzohet për shkatërrimin e këtij të fundit. Fluturat dhe lepuri në skenë ndezin nocione shprese, njëkohësisht dikush është i vetëdijshëm se ata do të rrëmbehen nga krokodilët çdo sekondë”, shkruhet në përshkrimin e ekspozitës.
Pak më larg pikturës së tij, zogjve u ka bërë vend brenda pikturës artisti Arbnor Karaliti. Kjo vepër është e bazuar në serinë me të cilën artisti u kthehet kujtimeve të fëmijërisë, realizuar gjatë studimeve të tij në vitin 2018. E kaluara dhe e tanishmja e artistit të ri bashkohen pikërisht në këtë pikturë.
“Kjo seri përfshin disa momente të fëmijërisë të cilat më kanë mbetur në kujtesë sot e asaj kohe. Shkëndija ato, të cilat në njëfarë mënyre përcjellin sjelljen aktuale duke parashikuar edhe të ardhmen. Mënyra naive e të shprehurit në këtë seri, ka qenë një analizë e atyre kujtimeve duke gërshetuar moshën e tanishme me kujtimet e asaj kohe”, ka treguar artisti Karaliti për KOHËN.
Gjatë qëndrimit në ekspozitë, vizitorët i përcjell edhe zhurma që krijohet nga dora robotike, e cila numëron vazhdimisht tespihet.
Ky instalacion me titullin “Pondering” është krijuar nga artisti Valdrin Thaqi dhe trajton dilemat e vendimeve morale të marra nga Inteligjenca e makinës.
“Puna përdor dy materiale dhe koncepte të kundërta, si automatizimi dhe tespihet, një mjet shpirtëror që përdoret për të kryer lavdërimin ndaj Zotit. Gjesti i personit që numëron në mënyrë medituese zinxhirin e lutjeve, merret nga një makinë që shtyn rruazat në çdo sekondë”, ka shpjeguar artisti Thaqi.
Kolektivi “Hap”, i themeluar nga katër miq gjatë studimeve të tyre në 2018, gjen shtrirje në kuptimin e “të shkelurit”, “të hapurit ”dhe “pilulës”, ishte menduar si një mjet për të reaguar ndaj ngjarjeve në Kosovë përmes aktiviteteve kulturore.
“Edhe në veprat e tjera janë përcjellë metafora të vogla të kësaj gjendjeje se si ndihet rinia dhe si punojnë këta si kolektiv dhe si rini, pasi që punët e tyre gjithmonë kanë qenë si një lloj proteste”, ka thënë Jeta Veseli.
Ekspozita “Asgjë si shtëpia” do të qëndrojë e hapur deri më 10 prill. Deri në këtë datë, dyert e galerisë do të qëndrojnë të hapura për vizitorë nga e enjtja deri të shtunën prej orës 14:00 deri në orën 18:00.