Kulturë

“Artpolis” i përfshin nxënësit në teatër për shfaqje online

Nxënësit e shkollave fillore në gjithë Kosovën kanë filluar tash e një javë mësimin online. Por, 90 nxënës që janë pjesë e projektit “ArtEd – Rritemi përmes artit në arsimim”, përveç mësimeve të obligueshme, po mësojnë edhe për teatrin e si të realizojnë shfaqje.

Projekti, i cili organizohet nga qendra për art dhe komunitet “Artpolis”, po u mundëson nxënësve nga gjashtë shkolla të kryeqytetit që t’i vazhdojnë online provat teatrale që kishin filluar në shkurt. “Artpolis” këtë e sheh si një mënyrë për t’i promovuar artin dhe kulturën, por edhe për t’i mbajtur të angazhuar nxënësit gjatë këtyre ditëve.

Pezullimi i mësimit është vetëm një nga masat e marra nga Qeveria në detyrë e Kosovës, për parandalimin e përhapjes së pandemisë së virusit COVID-19. Nxënësit që janë pjesë e projektit “ArtEd – Rritemi përmes artit në arsimim”, të udhëzuar nga mentorët e tyre, aktorët Qendresa Kajtazi, Daniela Markaj dhe Edlir Gashi, gjatë muajit prill pritet që të publikojnë online gjashtë video-drama.

Menaxherja e projektit, Venera Ismaili, ka thënë se duke pasur parasysh situatën e krijuar, stafi i tyre ka vendosur që t’i adaptojë modalitetet e punës dhe, në pajtim me nxënësit, prindërit dhe arsimtarët janë duke organizuar prova online me nxënësit e shkollave. Në këtë mënyrë, sipas saj, ata janë duke bërë ushtrime dhe aktivitete kreative përmes platformave të rrjeteve sociale.

“Qendra për art dhe komunitet ‘Artpolis’, në këto kohëra të vështira të përballjes me pandeminë COVID-19, vazhdon t’i promovojë artin, kulturën dhe bashkëjetesën multietnike në Kosovë, duke mbështetur dhe përkrahur angazhimin e komunitetit, e në veçanti fëmijëve të cilët janë mbyllur në shtëpitë e tyre dhe kanë nevojë për angazhim kreativ dhe intelektual”, ka thënë ajo.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.