“Is this for me... or I do it for you only!?” (A është kjo për mua... apo e bëj këtë vetëm për ju!?”. Pas tri pikave që janë në titull të ekspozitës personale të Lumjetë Havollit, në poster është vendosur edhe një shenjë. Duket si shenja që lë pika e ujit. Po ajo zë vend në veprën “Frika”.
Por pjesa e shkruar e titullit është emri i një vepre tjetër. Që të dyja bashkë flasin për dashuri e dhembje. Ekspozita e saj e parë personale që është hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë përfshin katër koncepte të artistes. Janë pikërisht ato me të cilat ka dashur të prezantohet para publikut për herë të parë në një ekspozitë jokolektive, shkruan sot Koha Ditore.
Dashuri, frikë e dhimbje
Havolli (32), që ka përfunduar studimet për kostumografi në Fakultetin e Artit të Universitetit të Prishtinës, është artiste konceptuale. Veprat e saj janë rezultat i kërkimeve që bën për gjërat që është kureshtare.
“Koncepti im i punës është që t’i bëj njerëzit të mendojnë për gjëra që unë i mendoj. Ta kenë pak a shumë vështrimin tim”, thotë ajo. Si nënë e dy fëmijëve është marrë shumë me relacionin fëmijë-prind. Një nga veprat e konceptit të saj “Basics” (”Bazat”) merret direkt me këtë marrëdhënie. Brenda kornizave është vënë vetëm një pikë qumështi i gjirit. Ky vizatim nuk ka ndonjë rendësi estetike pasi kjo anë nuk ishte në fokus të artistes. Flet për dashurinë e prindit për fëmijën. Havolli është marrë shumë me procesin biologjik të formimit të qumështit.
“Me atë kam dashur ta përshkruaj dashurinë. Qumështi është i bardhë, por bëhet nga gjaku ynë shumë i kuq. Kam hulumtuar shumë për këtë. E pyes veten dhe njerëzit rreth meje se çfarë fuqie duhet të ketë kjo dashuri që gjakun ta kthejë në qumësht për ta ushqyer fëmijën”, thotë artistja për veprën “Love” (“Dashuri”), pjesë e ekspozitës me kurator Genc Rezniqin. Sipas saj, forma në këtë rast nuk ka rëndësi pasi bëhet fjalë për art konceptual.
Një pikët tjetër që kësaj radhe është e lotit ndodhet brenda kornizës së konceptit që prezantohet si triptik. Është titulluar “Frika”. Havolli thotë se duhet pasur shumë frikë që të nxirren lotët dhe gjendja të pasqyrohet te të tjerët. Bile në hapje të ekspozitës në njërën pjesë të Galerisë kanë pikuar pika uji që kanë simbolizuar lotin.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)