Kulturë

Artisti nga Suhareka me një mënyrë të veçantë falënderon Clintonin

Në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje ndaj ish-presidentit të SHBA-së, Bill Clinton, për kontributin e dhënë për Kosovën, 28-vjeçari Rilind Morina, ka vizatuar portretin e tij.

Këtë vizatim, me një teknikë të rrallë, i riu nga Suhareka e ka realizuar gjatë vitit 2018.

Morina, i cili ka studiuar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Arteve, pavarësisht vështirësive në të cilat hasi në tentimin e tij për të dalë jashtë Kosovës, ai pohon se megjithatë do të gjejë mënyrë që studimet t’i vazhdojë në Austri.

E në lidhje me vizatimin në fjalë, ai thotë se ka dëshirë që t’ia dhurojë vetë ish-presidentit Clinton.

Kjo nuk është figura e vetme publike që Morina, me anë të ngjyrave, e ka falënderuar.

Ibrahim Rugova e Gjergj Kastriot-Skënderbeu, janë vetëm dy nga shumë personalitetet që ai ka zgjedhur t’i pikturojë.

Por, pasioni i tij për artin shkon përtej kësaj. Morina, dhomën e tij të gjumit e ka shndërruar në atelie, duke e bërë kështu këtë hapësirë si vend pune.