Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij, Hillary, kanë shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit e Osman Osmanit, njërit nga themeluesit e lobit shqiptar në Amerikë.
Me anë të një letre, çifti Clinton e ka kujtuar Osmanin si fqinjin e tyre që nga viti 1999, kur ai i prezantoi me një familje refugjatësh nga Kosova, që po qëndronte në shtëpinë e tij.
“Zemrat tona janë pranë të gjithë atyre që janë mbledhur sot për të nderuar jetën e mikut dhe fqinjit tonë të dashur, Osman Osmani. Ne e takuam Osmanin dhe familjen e tij në vitin 1999, jashtë shtëpisë së tij në Chappaqua, Nju Jork, përballë shtëpisë që sapo kishim blerë. Zemra e tij e mirë dhe shpirti i tij bujar u dëshmuan që në takimin tonë të parë, kur ai na prezantoi me një familje refugjatësh nga Kosova, e cila po qëndronte në shtëpinë e tij”, thuhet në letrën e Clintonëve.
Ata më tej kanë shprehur mirënjohje për miqësinë, mikpritjen dhe humorin e Osmanit.
“Osmani ishte një njeri i mrekullueshëm dhe ne do t’i jemi gjithmonë mirënjohës për miqësinë, mikpritjen dhe humorin e tij të mirë. Mendimet dhe lutjet tona janë me fëmijët e Osmanit, me gjithë familjen e tij, me miqtë e shumtë dhe me të gjithë ata që patën fatin dhe bekimin ta njihnin”, thuhet në letrën e ngushëllimit.

Në një bisedë në podcastin PIKË më 22 qershor 2025, Osmani pati ndarë historinë se si u bë papritur komshi me ish-presidentin amerikan Bill Clinton dhe fjalët e para që ai ia tha pasi e mori vesh se është shqiptar.
Edhe
Osman Osmani kujtohet për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës
“Fati... nuk di si me thanë. Bill Clinton më ka ardhur disa herë në shtëpi. U bëmë komshinj. Bleu shtëpi afër ku unë jetoj, dhe erdhi vetë të më takojë”, pati rrëfyer Osmani.
Takimi i tyre u shoqërua me një bisedë të ngrohtë, siç e pati shpjeguar Osmani, ku Clinton i tha: “Unë Kosovën e kam çliruar – unë i kam kthyer kosovarët në shtëpi”.