Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osman Osmani kujtohet për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës

Osman Osmani

Osman Osmani, një prej themeluesve të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, është kujtuar për kontributin në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

Në një akademi përkujtimore të mërkurën, Osmani u vlerësua se ia hapi Kosovës dyert në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, ka thënë se Osmani ka lënë vepër të jashtëzakonshme njerëzore, patriotike dhe familjare.

“Ai krijoi një jetë të mirë dhe, po ashtu, diçka që është shumë e rëndësishme: krijoi një rreth të nderuar njerëzish. Nuk kam parë deri më sot ndonjë njeri që të mos ketë shprehur respekt për Osmanin dhe familjen e Osman Osmanit. Ka qenë një burrë me një burrëri të pashoqe, një familjar i mirë, por mbi të gjitha, ka dëshmuar një atdhedashuri të jashtëzakonshme. Ka qenë njëri nga themeluesit e Lidhjes Shqiptaro-Amerikane dhe ka kontribuar në fusha të ndryshme. Dua të shpreh po ashtu pikëllimin tim për humbjen e Osman Osmanit, një njeri që do të mbahet mend për shumë gjëra. Ai ka pasur ndikim edhe te presidenti Clinton, të cilin e ka shtyrë të veprojë në ndihmë të Kosovës”, ka thënë Spahiu që vdekjen e Osmanit e ka cilësuar humbje për të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan.

Publicisti Veton Surroi ka thënë se për ta kuptuar jetën dhe angazhimin e Osmanit duhet ditur se janë të panumërta familjet nga Kosova që kanë marrë ndihma të heshtura nga familja e Osmanit.

Surroi ka thënë se lobi shqiptar në të ’90-at ka bërë kthesë historike për shqiptarët.

“Në vitin 1990, Lidhja Shqiptaro-Amerikane, apo siç do ta njihnim, Lobi shqiptar, bëri një kthesë historike. Shqiptarët e futën nëpër derën e madhe të Kongresit amerikan çështjen e Kosovës dhe atë shqiptare në përgjithësi. Përderisa ende ndiheshin dridhjet nga rënia e Murit të Berlinit në Evropë, Lobi organizoi shkuarjen e Alternativës kosovare në Shtetet e Bashkuara. Ky ishte sinjali për Amerikën, dhe gjithë botën, se Kosova kishte zërin e vet, të demokracisë e pavarësisë dhe se prej aty, prej Washingtonit, tashmë fillonte një rrugëtim që do të duhej të mblidhte përkrahjen për një Kosovë të pavarur e demokratike. Dhe, për ta arritur këtë, duhej unitet mes shqiptarëve, siç do të përsëriste shpesh Osmani. Aty ishim bashkë , në tubimin në hotelin Sheraton në Nju Jork. Shqiptarë nga vise të ndryshme qenë mbledhur me ndjenjën se po hapej një mundësi historike. Osmani dhe bashkëpunëtorët e tij kishin ndihmuar që të ishim në atë sallë, në atë bashkëbisedim. Kjo kërkonte organizim, mjete, njohje dhe këmbëngulje. Kërkonte njerëz që do të vazhdonin të punonin edhe pasi të përfundonte mbrëmja dhe të largoheshin mysafirët”, ka kujtuar Surroi.

Ai ka thënë se familja e Osmanit ka ndihmuar edhe punëtorët e “Ramiz Sadikut” në organizim sindikal e kur ata patën mbetur pa punë.

“Punohej për ta hapur derën e Kongresit amerikan, ndërsa këtu duhej siguruar që familjet të kishin miell, vaj e sheqer. Ata i merrnin përsipër të dyja përgjegjësitë. Nga ky përkushtim lindi edhe RTV Victoria. Kur mbyllej televizioni shqip në Prishtinë, vëllezërit financonin një radio e televizion shqip në New York. Komuniteti kishte nevojë të informohej. Kosova kishte nevojë të dëgjohej. Ata e ndërmorën dhe e mbajtën atë punë”, ka thënë Surroi.

Ndërsa nga familjarët, Osmani u kujtua si person që ka qenë i hapur e që ka dhënë këshilla.

Mbesa e tij, Eva Nezaj, është zotuar se familjarët do ta bëjnë krenar Osmanin.

“Ai bënte gjithçka për të na sjellë buzëqeshjen në fytyrë. Një nga gjërat që e donte më së shumti ishte të kujdesej për familjen e tij. Ai gjithmonë thoshte: “E dini, Gjyshit i pëlqen shumë t’ju shohë të lumtura. Më pëlqen t’ju bëj të lumtura. Kjo është jeta ime.” Ishim shumë me fat që kishim dikë me të cilin mund të flisnim për gjithçka. Na jepte këshillat më të mira dhe na mësoi të punonim fort, ta donim familjen dhe të jetonim me zemër. Ai kishte mënyrën e tij për të na mësuar për jetën, shpesh përmes humorit, sinqeritetit dhe shprehjeve të tij të paharrueshme. Ai dinte t’i bënte të gjithë të ndiheshin të veçantë, të dashur dhe të rëndësishëm. Gjysh, të premtojmë se do të vazhdojmë të të bëjmë krenar dhe ta mbajmë dashurinë tënde me vete kudo që të na çojë jeta. Do ta mbajmë gjallë shpirtin tënd përmes mënyrës se si duam, si kujdesemi për familjen tonë dhe si ua sjellim buzëqeshjen të tjerëve, ashtu siç bëje ti gjithmonë për ne”, ka thënë Nezaj.

E Elez Osmani ka thënë se familjari i tij nuk u lodh duke bredhur rrugëve të botës për ta ndihmuar Kosovën dhe për ta sjellë demokracinë në Shqipëri.

“Janë të panumërta udhëtimet e tij nëpër botë bashkë me Lobin shqiptaro-amerikan, për t’i hapur mundësitë e bashkimit kombëtar. E para ishte çlirimi i Kosovës e më pas sjellja e demokracisë në shtetin amë”, ka thënë Elez Osmani.

Ai u lind në Morinë më 1946 dhe emigroi në SHBA më 1968, ku, së bashku me vëllezërit, u bë afarist i suksesshëm në New York. Gjatë viteve nëntëdhjetë, familja Osmani u shqua për veprimtarinë atdhetare, duke themeluar edhe RTV-në e parë shqiptare në Amerikë, Victoria.

Ai vdiq në Prishtinë të martën.

Varrimi i Osman Osmanit do të bëhet në orën 15:00 në Morinë të Gjakovës.

Clintonët kujtojnë Osman Osmanin: Na prezantoi me një familje refugjatësh nga Kosova

7 min. më parë / 21 tet 2026 11:36
Bill Clinton

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij, Hillary, kanë shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit e Osman Osmanit, njërit nga themeluesit e lobit shqiptar në Amerikë.

Me anë të një letre, çifti Clinton e kanë kujtuar Osmanin si fqinjin e tyre që nga viti 1999, kur ai i prezantoi me një familje refugjatësh nga Kosova, që po qëndronte në shtëpinë e tij.

“Zemrat tona janë pranë të gjithë atyre që janë mbledhur sot për të nderuar jetën e mikut dhe fqinjit tonë të dashur, Osman Osmani. Ne e takuam Osmanin dhe familjen e tij në vitin 1999, jashtë shtëpisë së tij në Chappaqua, Nju Jork, përballë shtëpisë që sapo kishim blerë. Zemra e tij e mirë dhe shpirti i tij bujar u dëshmuan që në takimin tonë të parë, kur ai na prezantoi me një familje refugjatësh nga Kosova, e cila po qëndronte në shtëpinë e tij”, thuhet në letrën e Clintonëve. 

Ata më tej kanë shprehur mirënjohje për miqësinë, mikpritjen dhe humorin e Osmanit. 

“Osmani ishte një njeri i mrekullueshëm dhe ne do t’i jemi gjithmonë mirënjohës për miqësinë, mikpritjen dhe humorin e tij të mirë. Mendimet dhe lutjet tona janë me fëmijët e Osmanit, me gjithë familjen e tij, me miqtë e shumtë dhe me të gjithë ata që patën fatin dhe bekimin ta njihnin”, thuhet në letrën e ngushëllimit.

Në një bisedë në podcastin PIKË më 22 qershor 2025, Osmani pati ndarë historinë se si u bë papritur komshi me ish-presidentin amerikan Bill Clinton dhe fjalët e para që ai ia tha pasi e mori vesh se është shqiptar.

“Fati... nuk di si me thanë. Bill Clinton më ka ardhur disa herë në shtëpi. U bëmë komshinj. Bleu shtëpi afër ku unë jetoj, dhe erdhi vetë të më takojë”, pati rrëfyer Osmani.

Takimi i tyre u shoqërua me një bisedë të ngrohtë, siç e pati shpjeguar Osmani, ku Clinton i tha: “Unë Kosovën e kam çliruar – unë i kam kthyer kosovarët në shtëpi”.