Tri gra të zhveshura dhe të shtrira në pozita të ndryshme duket sikur të jenë përballur me ndonjë ngjarje të rëndë. Janë paraqitur në veprën e artistes ukrainase që jeton në Lituani, Tanya Korniichuk. Vepra është titulluar “Unlawful killings and rape” (Vrasjet dhe përdhunimet e paligjshme) dhe ka si motiv numrin e madh të rasteve të përdhunieve që po ndodhin gjatë Luftës në Ukrainë.
Në profilin e saj në Instagram poshtë veprës artistike ka shkruar: “Me fillimin e luftës, numri i rasteve të përdhunimeve u rrit ndjeshëm. Gratë dhe vajzat janë veçanërisht të rrezikuara në këtë kohë. Dhuna seksuale nuk lidhet me tërheqjen seksuale, por me dëshirën për të demonstruar pushtet dhe dominim, kur një grua dhe trupi i saj bëhet ‘territor pushtues’. Kështu pushtuesit po shkatërrojnë fizikisht dhe psikologjikisht njerëzit tanë, gratë dhe të ardhmen tonë. Dhe numri i raportimeve për përdhunime po rritet çdo ditë...”
Poshtë veprës së Korniichukut mund të shihet punimi i artistit lituanez, Vytis Vasiliunas i titulluar “Moments before tragedy” (Çaste para tragjedisë). Një nënë duke hapur rrobat për t’u tharë, shikon djalin e saj të vogël i cili shihet ulur në tokë duke luajtur me ca fije bari. Nëpërmjet rrobave të bardha, të shtrira në litarin për tharje, e të cilat duket se i ka kapur pluhuri i luftës, vërehet ardhja e dy ushtarëve të cilët shfaqen si një hije me ngjyrë të mbylltë kafeje.
Jo fort larg nga këto vepra, mund të shihet një pikturë ku paraqitet një vajzë së cilës nuk i duket fytyra. Piktura është punuar në ngjyra bardhezi, ndërsa vetëm në jakat e rrumbullakëta të bluzës së vajzës misterioze, shihen ca lulediej të verdhë të cilët simbolizojnë Ukrainës. Më poshtë, në pjesën e gjoksit, bluza e saj është zbërthyer në formë të një rrethi. “Painful emptiness” (Zbrazëti e dhimshme) e ka titulluar këtë ilustrim autori i saj, lituanezi Agne Nananai, i cili poshtë saj ka bërë një përshkrim ku thotë se gjithçka ka ndryshuar, pavarësisht se ai vetë jeton në një vend të sigurt, në Lituani.
“Ndjesia që kam çdo ditë, që prej kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës. Gjithçka është ndryshe tani, pavarësisht se jetoj në një vend të sigurt”, ka shkruar Nananai në profilin e tij në Instagram.
Edhe
“Artistë dhe refugjatë” me zërat e Ukrainës së luftës e të shpresës
Të gjitha këto vepra artistike si dhe shumë punime të tjera, të cila shpërfaqin realitetin e tanishëm ukrainas, mund të gjenden në web-faqen e “Creatives for Ukraine” (Krijime për Ukrainën). Në gjithsej 9 faqe sa ka kjo platformë mund të shihen mbi 200 punime nga artistë të ndryshëm nga e gjithë bota.
I portretizuar herë si paqeruajtës, herë si komandant lufte, mbrojtës i popullit ukrainas dhe heroi i gjithë botës, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë shëtitjes nëpër plaformë, shfaqet gjithmonë si karakter me tipare pozitive. Krejt ndryshe, përmes brinjëve të djallit, bishave mishngrënëse, varrezave e elementeve përherë negative, do vjen presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin.
punime të cilat shfaqin individualitetin artistik të secilit prej artistëve pjesëmarrës, kanë një të përbashkët: solidarizimin me Ukrainën. Shumica prej tyre karakterizohen me praninë e ngjyrave të flamurit ukrainas, kaltër dhe verdhë dhe po ashtu figurës së lulediellit, simbolit të kahershëm ukrainas.
Platforma online “Creative for Ukraine”, është inicuar nga agjencia e dizjanit të komunitetit të artistëve lituanez, “FOLK & friends”. Komuniteti në fjalë ka hapur një platformë online ku krijuesit nga e gjithë bota do të mund t’i dërgojnë punimet e tyre, në mënyrë që të solidarizohen me popullin e Ukrainës.
Në ueb-faqen e tyre, ata kanë kërkuar nga artistët e gjithë botës të sjellin punime me motive ukrainase, si një armë kundër agresionit rus.
“Situata me të cilën po përballemi tani nuk është vetëm një luftë kundër një vendi sovran, por edhe një luftë informative, ndaj ftojmë komunitetin krijues të gjithë botës të marrë armën e tyre më të madhe – krijimtarinë, dhe të tregojë fytyrën e vërtetë të këtij pushtimi katastrofik, në mënyrë që të gjithë ta shohin të vërtetën”, kanë shkruar ata në ueb-faqen e tyre, “creativesforukraine.com”.
"Creatives for Ukraine” do të bëjë grumbullimin dhe selektimin e veprave artistike dhe ilustrimeve digjitale, me qëllim që bota të arrijë të shohë tmerret dhe fatkeqësitë me të cilat populli ukrainas po përballet në këtë periudhë lufte. Po ashtu, kjo platformë ka si synim t’u ofrojë ndihmë mediave dhe organizatave jofitimprurëse, duke u ofruar punime në të cilat shpërfaqet tragjedia ukrainase, dhe kjo me idenë që bota të informohet saktë për atë çfarë po ndodh në Ukrainë.
Edhe
“Ukraina: Një krim lufte“ në 50 imazhe sjell dramën e mbrojtjes së atdheut
Platforma “Creatives for Ukraine” u krijua për të grumbulluar vepra arti dhe ilustrime digjitale që të mund të tërheqin vëmendjen e publikut, të ndihmojnë në shprehjen e ndjenjave dhe të ndajnë të vërtetën, në mënyrë që bota ta shohë. “Synimi dytësor ëshë krijimi i një platforme që do t’u lejonte anëtarëve të medias jofitimprurëse dhe organizatave të tjera të kenë akses të lirë në përzgjedhje të këtyre imazheve krijuese që përshkruajnë luftën në Ukrainë, duke i lejuar ata të ndajnë ilustrime me një audiencë më të gjerë për qëllime jokomerciale” – shkruhet në “Creatives for Ukraine”.
Platforma ka njojftuar se për t’u bërë pjesë e kësaj nisme duhet bërë “tag” ose “hashtag” “#CreativesForUkraine”. Në ueb-faqen si dhe faqen e tyre në Facebook, të gjitha publikimet bëhen duke respektuar të drejtat e autorit. E për këta artistë autor i krejt ngjarjeve të fundit në Ukrainë që kanë tronditur botën është presidenti rus, Vladimir Putin.