Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Artistët afganë reagojnë ndaj pushtimit taleban

“Fuqitë botërore mendojnë se ato mund t’i qasen gjithçkaje nëpërmjet forcës, armëve dhe parasë, por para se të bëhet diçka duhet të njihen traditat dhe historia e vendit”, ka thënë Laila Noor, aktiviste afgane dhe disenjatore e modës në Gjermani.

“Duhet të jesh i ndjeshëm e të pyesësh se çka është e rëndësishme për njerëzit e këtij vendi? Këta barbarë (talebanët) nuk kanë të bëjnë me artin e kulturën, por njerëzit e tjerë në Afganistan po. Janë këta njerëz që kanë nevojë për mbështetje e siguri dhe të mos dorëzohen tek ata që nuk kanë respekt për artin, kulturën dhe gratë”, ka shtuar ajo.

Në një intervistë për CNN-in, ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, që ka shërbyer për presidentin Obama ndërmjet viteve 2013 dhe 2015, erdhi në një përfundim të ngjashëm: “Historinë e Afganistanit nuk e kuptuam edhe aq”, ka thënë ai. “Ne kurrë nuk e kuptuam kulturën. Kurrë nuk e kuptuan fenë. Kurrë nuk e kuptuam tribalizmin”.

Ndërkohë, artistët afganë dhe figurat e kulturës anekënd botës po shtrojnë pyetje të vështira, më të rëndësishmet prej të cilave janë ato që SHBA-ja dhe shtetet perëndimore i bëjnë përgjegjëse për pasojat e veprimeve të tyre në këtë vend.

Khaled Hosseini, autor i romaneve bestseller “Gjuetari i balonave” dhe “Një mijë diej vezullues”, është nga afganët më të njohur që po e komenton gjendjen në Twitter.

Në një deklaratë të përcjellë për Deutsche Welle, autori i lindur në Kabul ka shprehur pikëllim për ngjarjet që po ndodhin në kryeqytetin afgan, duke thënë se ai është “zhgënjyer thellësisht dhe i shqetësuar rëndëshëm për vendin”. Hosseini ka përmendur rezultatet pozitive të arritura nga përpjekjet paqeruajtëse në njëzet vjetët e fundit, por ka theksuar se përparimi i bërë tani po kërcënohet.

“SHBA-ja dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të marrin hapa për të parandaluar një krizë humanitare në Afganistan. Ata duhet të ushtrojnë trysni ndaj talebanëve për të respektuar të drejtat themelore njerëzore të afganëve, veçmas grave dhe vajzave, dhe të përmbahen nga përdorimi i dhunës kundër qytetarëve afganë”, ka thënë shkrimtari.

DW ka kontaktuar artistë e regjisorë të ndryshëm në Afganistan të cilët kanë thënë se janë fshehur, ose po përpiqen të heqin veprat e tyre nga interneti e disa kanë pëlqyer t’i shmangin intervistat.

Disenjatorja afgane Shamayel Pawthkhameh Shalizi, që jeton në Berlin, ka bashkëndarë për programin e DW-së për Art dhe Kulturë dëshmitë e miqve dhe familjeve që nuk janë në gjendje të largohen nga Afganistani.

“Po dëgjoj goxha panik, frikë e rishfaqje të stresit post-traumatik të atyre që kanë përjetuar më parë kohën e talebanëve”, ka thënë ajo. Kjo po ndjesohet prej afganëve si “prapakthim në një kohë që kurrë nuk e kanë menduar se do të kthehej prapë”, ka shtuar ajo.

“Ani pse ata citohen të jenë ‘ndryshe’ tani”, ka theksuar Shalizi, e mbështetur në shembullin e regjimit taleban 25 vjet më parë, “nuk është vend i sigurt që tani të jesh artist, edhe nëse vazhdon të krijosh art apo nëse ke krijuar art gjatë këtyre 20 vjetëve sa nuk kishte talebanë. Këto janë komunitete fort të brishta, veçmas artistët dhe ata që janë nga komunitetet edhe më të margjinalizuara”, si gratë dhe pakicat fetare.

Shalizi ka dëgjuar nga miqtë e saj muzikantë në Afganistan se ata po i thyejnë studiot e tyre dhe po fshehin gjithçka. Por ajo është në kontakt edhe me artistë të tjerë që e vazhdojnë artin e tyre si formë qëndrese, duke bërë muzikë apo grafite në Kabul teksa talebanët po marrin qytetin “si një këngë mjellme”, e vetmja gjë që bëhet para se të kalojnë në ilegalitet.

Artistët që e paraqesin negativisht regjimin taleban janë në rrezik të shtuar, ka nënvizuar Shalizi, por arti në përgjithësi ndjesohet si kërcënim për talebanët.

Represioni tashmë ka filluar, ka thënë aktivistja në Gjermani Laila Noor, organizata e së cilës “Afghanistan Women’s Network” drejton një sërë shkollash në zonat e nëpërkëmbura në Afganistan. Institucionet arsimore janë mbyllur dhe gratë e vajzat po rrinë brenda. Secili është i frikësuar.

Noor beson se sikundër në regjimin e kaluar, qeveria talebane do të qëndrojë e qetë gjatë gjashtë muajve të parë, kur ata kanë nevojë për ndihmë ndërkombëtare, e pastaj do të fillojnë të heqin të drejtat.

“Njëzet vjet më parë, talebanët mbyllën të gjitha shkollat, vajzat u ndaluan të shkonin në shkollë, gratë nuk mund të punonin, ato kamxhikoheshin, mbyteshin me gurë apo dhunoheshin. Bota bënte sehir. Janë të njëjtit talebanë”, thotë ajo.

“Nuk e di se ç’lloj njerëzish janë (talebanët). Ata vrasin gra dhe ata erdhën në këtë botë nga një grua. Ata nuk kanë respekt për motrat e tyre, për nënat, dhe arti e kultura janë gjynah. Njëzet vjet më parë, ata shkatërruan trashëgiminë tonë botërore në Bamiyan”, vazhdon Noor.

Bashkësia ndërkombëtare erdhi në Afganistan dy dekada më parë, thotë ajo, duke shtuar se ata duhet të kishin gjetur një zgjidhje ndërkombëtare për problemin, e të mos ikin e t’i lënë njerëzit në fundnajë. “Ju lutem kuptojini zhgënjimin, dhimbjen dhe hakërrimin që afganët mbajnë në vetvete”.

Artikuj të ngjashëm