Teoritë e cituara në libra shkollorë theksojnë se shkrimi ka filluar para rreth 5 mijë viteve dhe vendi i origjinës ka qenë Mesopotamia. Por, Emmanuel Anati na jep një tregim tjetër.
Sipas tij, shkrimi ka filluar shumë më herët, por në formë tjetër: në formë të shenjave vizuele nëpër gurë, eshtra dhe ndoshta edhe në lëkura. Sipas tij, këto vizatime në gurë, të cilat kanë mbijetuar si “bibël e shkruar në gur” dhe ekzitojnë nëpër të gjitha këndet e botës, janë mesazhe që lexohen.
Në kohën e krijimit të tyre, ato nuk ishin vetëm vizatime subjektive për hirë të “shprehjes”, por vizatime që bartnin mesazhe dhe, sipas tij, secila shenjë që bart mesazh brenda një sekuence sintaksore mund të konsiderohet si shkrim. Kështu, qysh në faqet e para të librit të tij “Dekodimi i artit parahistorik: origjina e shkrimit” [Decoding prehistoric art: the origins of writing], të botuar më 2014 nga Atelier në Itali, thekson idenë se në fillim “arti vizuel dhe shkrimi ishin një dhe e njëta gjë”. Por, gjithë dilema semiotike, sipas Anatit, qëndron te gjetja cili funksion ishte baza e shprehjes grafike: komunikimi specifik apo shprehja personale. Dhe këtë dilemë Anati synon ta zgjidhë në këtë libër.
Pos analizë konceptuale semiotike, metodë tjetër kryesore e tij është rikonstruktimi historik i fakulteteve kognitive njerëzore para 30-50 mijë viteve, përmes interpretimit të konceptualitetit njerëzor që shprehet në evidencën e artit shkëmbor, në gërmimet dhe interpretimet arkeologjike, në evidencën dhe analizën linguistike dhe evidencën empirike të sjelljes së fiseve të sotme të gjahtarëve dhe mbledhësve, të cilat nuk kanë traditë shkrimi fonocentrik. Anati nuk abonohet në teoritë e vona të cilat kufizojnë studimin antropologjik (edhe në hullitë kognitive!) duke u mbajtur te ideja se nuk mund të rikonstruktojmë parahistorinë duke krahasuar me sjelljen e sotme të fiseve të ndryshme, ndonëse dihet se ato fise ende shfrytëzojnë teknologjinë e kohës së gurit. Sipas tij, ekziston një mozaik jashtëzakonisht i madh i artit shkëmbor në botë, që ka miliona shenja dhe ka shtresa që datojnë prej miliona vitesh, dhe kjo përben galerinë e trashëgimisë shpirtërore njerëzore. Kjo trashëgimi ka jetuar te këto fise deri në kohën bashkëkohore. Pos kësaj, ai thekson se sistemi semiografik i shkrimit, si e quan ai, ka modele të sintakës dhe gramatikës sikurse edhe sistemi fonografik i shkrimit, të cilin e kemi në përdorim në kohën historike. Ai thotë: “Fise të ndryshme kanë shprehinë e komunikimit të mesazheve semiografike përmes shkopinjëve me mesazhe, të cilat lexohen në mënyrë perfekte dhe kuptohen në hollësi nga lexuesi. Këto fise kanë teknologjinë e kohës së gurit dhe definohen si fise pa kulturë shkrimi. Disa akademikë mohojnë se këta shkopinj janë shkrim. Por ata lexohen dhe kuptohen shumë mire, dhe madje me precizitet, në shoqëritë e tyre. Grupet e aborigjenëve australianë, pigmitë ba-twa të luginës së Kongosë, swami nga Finlanda veriore dhe inuitët e Kanadasë arktike dërgojnë mesazhe precize te lexuesit në këtë mënyrë. [fq. 27]
Por, a do të thotë kjo se vizatimet në gurë e eshtra janë shenja të një sistemi semiografik që tregojnë një tregim, apo narracion minimal, apo vetëm shprehje mimetike të një referenti real që gjuetarët e hershëm e kanë paraqitur? Anati argumenton se në këto vizatime ka edhe narracion të dendur. Dekodimi i mesazheve shpalos një botë të tërë anekdotash, legjendash, mitesh, ngjarjesh, e me radhë. Sipas tij, dekodimi i tillë (që shprehimisht del si dekodim goxha personal, sepse Anati citon kryesisht veten në këtë tekst përmbledhës!) po hap një shteg të ri në studimin e parahistorisë.
Këtë hulli studimi të simboleve të artit shkëmbor dhe artit parahistorik në përgjithësi për të interpretuar mendjen njerëzore dhe aftësinë konceptuale si karakteristikë primare të homosapiensit, Anati e quan antropologji konceptuale. Natyrisht se në departamentet bashkëkohore, një diskutim i tillë do të bëhej brenda fushës së antropologjisë fizike/biologjike apo edhe psikologjisë evolutive, por duket se Anati ka bërë punë të madhe në brandimin e kësaj hullije me këtë emërtim dhe e promovon me këtë emër. Po ashtu, më duhet të shënoj se mendoj se një numër i konsiderueshëm i antropologëve fizikë, sidomos në departamente anglofone, nuk do të ishin të kënaqur me udhën e ngushtë të interpretimit të tij konceptualist. Kjo për faktin se Anati nuk duket se ka shterruar leximin dhe krahasimin e studimeve të reja në këtë fushë, sidomos në shkencat neorologjike, në arkeobotanikë, antropologji gjenetike, etj.
M'the e t'thash, Anati lavëron udhën e vet të antropologjisë konceptuale, si e quan ai, pa kthyer kokën edhe aq shpesh anash. Tekefundit, se sa rritet produkti nuk varet krejt prej lavrës së lavruar nga lavërtari. Anati, megjithatë, lavron lavrën e tij. Si theksuam, gjatë gjithë librit vërehet se Anati krahason sistemin semiografik të fiseve të tashme dhe të përshkruara nga antropologët e 200 viteve të fundit, me sistemin semiografik të homosapiensit të para 50 mijë viteve. Për të “shkrimi është një lidhje e shenjave që japin të fakte, ide apo ndjenja dhe ka kuptim kur bartet përmbajtja konceptuale prej formuluesit te lexuesi”. Sipas tij, kjo "gjuhë" universale semiografike e këtyre shenjave, apo kjo “nënë e gjuhëve”, nuk ishte gjuhë specifike, por shprehje e ideve, pavarësisht gjuhës së folur. Anati analizon pikat, vijat, shenjat tjera përsëritëse, së bashku me piktogramet, ideogramet dhe psikogramet për të na ofruar deri te një proces ndërlidhës ku formohet sintaksa e kodeve ikonografike në përgjithësi. Kapitull pas kapitulli, ai jep analiza për argumentin e tij kryesor: çdo shenjë që formulohet, bart mesazh dhe lexohet përbën shkrim dhe shkrimi është karakterisitikë primare konceptuale e homosapiensit që prej pra 30 mijë vitesh. Ndonëse teza e tij për dekodimin e disa shenjave semiografike përmes krahasimit të sjelljes së sotme dhe asaj para 30 mijë viteve (apo edhe 50 mijë viteve, si thekson ai disa herë!) mund të ngre vetullat e lexuesit të njohur me prozën e historisë së artit dhe antropologjisë kognitive, Anati hap shteg të ri mendimi duke lënë shumë gjëra të hapura. Dhe në këtë fushë kjo veti është e fort e domosdoshme. Madje, ky është ndër librat e pakët që kam lexuar që nisë me pyetje dhe sosë me pyetje: “Kur u shpik shkrimi?” dhe “A është shkrimi karakteristikë primare konceptuale e homosapiensit?”.
Pra, shihet se Anati ka krijuar një hartë botërore të artit parahistorik dhe ka hapur udhë të re në interpretimin e gjuhës së parë komunikuese që evidentohet sot në artin parahistorik. Po ashtu, Anati thekson fort rolin e dekodimit të shenjave/gjuhës parahistorike. Ja një paragraf inspirues i dhënë në fund të librit: “Një epokë e re në studimin e artit parahistorik ka filluar me dekodimin e tij. Hapat e parë po hapin një reliev të ri. Nëse mund t’i lexojmë mesazhet e para 30 mijë viteve, parahistoria bëhet histori…fakti se dijmë se fiset njerëzore memorizonin marrëveshje në marrjen apo shkëmbimin e grave, se shënonin marrëveshje mbi tregtinë e ushqimit dhe nevojave tjera, se memorizonin tregime dhe mite, është fakt që i jep arkeologjisë një pamje të re.” [fq. 142]
Ai madje konsideron se leximi dhe dekodimi i artit shkëmbor veçse ka filluar. Sipas tij, kjo punë duhet të vazhdojë për të arritur në rezultate të knaqshme. Se a do të dijmë ndonjëherë gjuhën amëz apo gjuhët e çetave të homosapiensit migrant para dhjetra mijëra viteve, kjo mbetet peng i studimeve të ardhshme. Por, ideja e Anatit përkon me studimet e fundit në psikologji evolutive e në antropologji biologjike ku theksohet “revolucioni kognitiv", që konsiderohet të ketë ndodhur diku para 50-70 mijë viteve në mendjen e njeriut. Pa dyshim se kjo do të duhej të na jipte shpresë të mendonim se arti më i hershëm shkëmbor të cilin e kemi evidentuar në historinë njerëzore, do të duhej të ishte rezultat i këtij revolucioni kognitiv që ka bërë homosapiensi në bredhje të reja në shtigjet e mendjes së tij dhe shtigjet e planetit, të cilin e ka shndërruar në një artefakt të madh, kryesisht brenda 30 mijë viteve të fundit.
Po. Emmanuel Anati ka bërë një mori studimesh e ka shkruar një mori librash në disa gjuhë. Ai jep ligjërata, mban kongrese dhe organizon konferenca të shumëta. Së fundi, Anati ka qenë edhe në Kosovë, ka mbajtur ligjëratë dhe ka marrë pjesë në ekspedita në disa vende të Kosovës. Energjia dhe potenciali i tij janë evidente në punën e tij, edhe në këtë libër. Ky libër është përmbledhës dhe ofron një sintezë të mendimeve të tij të fundit. Ky libër është hyrje e nevojshme (dhe e re) për studentë e studiues të antropologjisë, arkeologjisë e historisë së artit.
Arti shkëmbor mund të jetë galeria kryesore e njohjes së shpërndërrimeve në aspekte kognitive të mendjes njerëzore. Si na thonë arkeologët e ndryshëm, e veçanërisht antropologu Shemsi Krasniqi, edhe Kosova, sikurse gjithë rajoni, është a pasur me art shkëmbor dhe, në jehun e tonit anatian, mund të jetë pjesë e rëndësishme e projektit të madh të dekodimit të “Nanës së Madhe të Gjuhëve” që përdorte homosapiensi bredharak.
Autori, Arsim Canolli, është antropolog, profesor universiteti.